Flash News

KRYESORE

Globalizimi 'amerikan' nuk i kërcënon kulturat e vogla; një paranojë ideologjike

Globalizimi 'amerikan' nuk i kërcënon kulturat e vogla;

Nga Mario Vergas Llose

 

Në këtë ese, shkrimtari laureat i Nobelit, Mario Vergas Llosa davarit frikërat prej kontaminimit të kapitalizmit global apo shkatërrimit të kulturës, dhe argumenton se kombet e “identitetit kolektiv” janë duke u dehumanizuar dhe se identiteti lulëzon prej “kapacitetit të qënieve njerëzore për t’i rezistuar këtyre influencave dhe për t’iu kundërvënë atyre me aktet e lira të kreativitetit të tyre.

Mario Vergas Llosa është shkrimtar i famshëm botërisht dhe intelektual publik.

Në vitin 2010 ai u nderua me çmimin Nobel në Letërsi për fuqinë e strukturës së kartografise së tij dhe imazheve të mprehta të rezistencës së individit, revoltës dhe disfatës.

Ai është autori i disa veprave letrare si “Festa e cjapit”, “Lufta e fundit të botës”, “Vajza e prapë”, “Jeta e vërtetë e Alejandro Mayta” dhe shumë të tjerave.

Kjo ese është botuar në revistën Foriegn Policy më 1 janar 2001.

_________________________________________________________________________________

Sulmet më efektive kundër globalizimit janë zakonisht jo ato që i referohen ekonomisë. Në fakt ato janë sociale, etike dhe, para së gjithash, kulturore. Këto argumente pluskojne midis turbullirave të Seattle në vitin 1999 dhe kanë patur më shumë rezonancë në Davos, Bankok dhe Pragë.

Ata thonë këtë:

Zhdukja e kufijve kombëtarë dhe krijimi i një bote të ndërlidhur nga tregjet do të ketë të bëjë  me vdekjen e kulturave kombëtare dhe rajonale dhe të traditave, zakoneve, miteve, dhe dokeve që përcakton identitetin kulturor të çdo vend apo rajoni.  Qëkur shumica e botës është e paaftë t’i rezistojë  produkteve të pushtimit kulturor të vendeve të zhvilluara- apo, më për të qenë më të drejtpërdrejtë, të superfuqisë, Shteteve të Bashkuara-që në mënyrë të paevitueshme u hapin shtigje korporatave transnacionale, kultura e Amerikës Veriore në fund të fundit do ta imponojë veten, duke standardizuar botën dhe duke asgjësuar florën e saj të pasur të larmisë kulturore. Në këtë mënyrë, të gjithë njerëzit e tjerë, dhe jo vetëm të vegjlit dhe të dobëtit, do ta humbasin identitetin, shpirtin e tyre, dhe do të bëhen asgjë tjetër përveçse koloni të shekullit të njëzet e një-zombi apo karikatura të modeluara sipas normave kulturore të imperializmit të ri që, përveç sundimit në të gjithë planetin me kapitalin e tij, ushtrinë dhe dijen shkencore, do të imponojë te të tjerët gjuhën e vet dhe mënyrat e të menduarit, besimit, shijimit, dhe të ëndërruarit.

Ky makth i një utopie negative, i një bote që, falë globalizimit, është duke e humbur larminë gjuhësore dhe kulturore, dhe që po gllabërohet kulturalisht nga Shtetet e Bashkuara, nuk është fusha ekskluzive e politikanëve të krahut të djathtë, nostalgjikeve të Marksit, Maos, apo Che Guevaras.

Ky persekutim delirant-nxitur nga urrejtja dhe mllefi kundrejt gjigandit amerikano verior- është gjithashtu i dukshëm në vendet e zhvilluara dhe kombet e kulturës së lartë dhe është shpërndarë përgjatë sektorëve politikë të së majtës, qendrës dhe të djathtës. Rasti më i bujshëm është ai i Francës ku ne shohim fushata të shpeshta në mbrojtje të “identitetit kulturor” francez që supozohet se është i kërcënuar nga globalizmi.

Një grup i gjerë intelektualësh dhe politikanësh është alarmuar nga gjasa se toka që prodhoi Montaigne, Descartes, Racine dhe Baudlaire-dhe një vend që ishte për një kohë të gjatë arbitri i fashoin-it në rroba, mendime, art, kulinari, dhe në të gjitha fushat e shpirtit-mund të pushtohej prej McDonald, Piza Hut, Kentucky Fried Chicken, rock-ut, rap-it, filmat e Hollivudit, blue jeans-et, sneaker-at dhe T-shirtet. Kjo frikë ka rezultuar, për shembull, në subvencionet masive franceze për industrinë lokale të filmit dhe kërkon kuota për shfaqjen e një numri të caktuar të filmave kombëtarë dhe të kufizojë importimin e filmave prej Shteteve të Bashkuara. Kjo frikë është gjithashtu arsyeja pse bashkitë dhe komunat lëshuan direktiva që penalizojnë me gjoba të rënda çdo lajmërim publicitar që ndot me anglikanizma gjuhën e Molierit. (Megjithatë, duke gjykuar nga këndvështrimi i këmbësorëve të rrugëve të Parisit, direktivat nuk ishin zbatuar plotësisht.) Ky është shkaku pse Jose Bove, fermeri i shdnërruar në kryqtar kundër ushqimit të keq është bërë jo më pak se një hero popullor në Francë. Dhe, me dënimin me tre muaj burg, popullariteti i tij është rritur.

Edhe pse unë besoj se ky argument kulturor kundër globalizimit është i papranueshëm, ne duhet të njohim se thellë brenda tij shtrihet një e vërtetë e padiskutueshme. Ky shekull, bota në të cilën ne të gjithë jetojmë do të jetë më pak piktoreske dhe mbrujtur me më pak ngjyra lokale se sa ato që lamë pas.

Festivalet, veshjet, kostumet, ceremonitë, ritet dhe besimet të cilat në të kaluarën i dhanë njerëzimit varietetin folklorik dhe etnologjik janë duke u zhdukur në mënyrë progresive, apo duke u kufizuar në pakica, ndërsa shumica i shoqërise  i braktis dhe adopton të tjerë, shumë të përshtatshëm për realitetin e kohëve tona. Të gjitha vendet kanë patur eksperiencë në këtë proces, disa syresh më shpejt se të tjerët, por nuk është në sajë të globalizmit. Përkundrazi është në sajë të modernizimit, dhe globalizmi është efekt dh jo shkaktar i tij. Eshtë e mundur të ankohesh, sigurisht, që ky proces ndodh, dhe të ndiesh nostalgji për eklipset e kaluara të jetës, veçanërisht nga avantazhi ynë komod i së tashmes, duket shumë zbavitës, origjinalitet dhe me ngjyra. Por ky proces është i pashmangshëm. Regjimet totalitare në vende si Kuba apo Korea e Veriut, frikësohen se çdo lloj hapjeje do t’i shkatërrojë ata, dhe e mbyllin veten fare dhe lëshojnë çdo lloj ndalese dhe censure kundër modernizimit. Por, edhe ata janë të paaftë të pengojnë infiltrimin e ngdaltë të modernizmit, dhe gërryerjen graduale të të ashtuquajturit identitet kulturor. Në teori, ndoshta, një vend mund ta mbajë këtë identitet. Por, vetëm nëse-si disa fise të largëta në Afrike apo Amazonë-që vendosin jetesën në izolim total, duke i prerë të gjitha lidhjet me kombet e tjerë dhe duke praktikuar vetëmjaftueshmërinë. Një identitet kulturor i ruajtur në këtë formë, do ta kthejë shoqërinë mbrapsht në standardet prehistorike të jetesës.

Eshtë e vërtetë se modernizimi bën të zhduken shumë forma të jetesës tradicionale. Por, në të njëjtën kohë hap mundësitë dhe përbën një hap të rëndësishëm drejt një shoqërie në tërësi. Ja përse, kur u jepen opsionet të zgjedhin në mënyrë të lirë, njerëzit, ndonjëherë në kundërshtim të asaj që liderët apo intelektualët tradicionalistë do të pëlqenin, zgjedhin modernizmin pa paqartësinë më të vogël.

Akuzat kundër globalizmit dhe në favor të identiteti kulturor, zbulojnë një konceptim statik të kulturës i cili nuk ka baza historike. Cila lloj kulture ka mbetur identike dhe e pandryshueshme në të gjitha kohët?

Për t’i gjetur, ne duhet të kërkojmë nëpër komunitetet e lidhura me besimet magjike të vogla, primitive, që jetojnë nëpër  shpella, që adhurojnë bubullimat dhe kafshët dhe në sajë të primitivitetit të tyre janë gjithnjë e më shumë të zbuluar ndaj shfrytëzimit dhe asgjësimit. Të gjitha kulturat, në veçanti ato që kanë të drejtën të quhen moderne dhe të gjalla, kanë evoluar deri në pikën ku janë vetëm një reflektim i largët i asaj që ishin vetëm dy apo tri gjenerata më parë. Ky evolucion është lehtësisht i dukshëm në vende si Franca, Spanja dhe Anglia, ku ndryshimet përgjatë gjysmës së fundit të shekullit kanë qenë kaq spektakolare dhe të thella saqë një Marcel Proust, një Federico Garsia Lorca apo një Virginia Ëoolf vështirë se do të njiheshin sot nga shoqërite në të cilat lindën- shoqeritë  puna e të cilëve i ndihmoi të rinovoheshin.

Koncepti i identitetit kulturor është i rrezikshëm. Nga një këndvështrim social ai përfaqëson thjesht një koncept t dyshueshëm dhe artificial, por nga një perspektivë politike ajo kërcënon arritjen më të çmuar të humanizmit: lirinë. Unë nuk mohoj se njerëzit që flasin të njëjtën gjuhë, u lindën dhe jetuan në të njëjtin territor, përballuan të njëjtat probleme dhe praktikuan  të njëjtat fe dhe zakone, kanë karakteristika të përbashkëta. Por, ky emërtues kolektiv nuk mund ta emërtojë kurrë secilin prej tyre, dhe vetëm sa shfuqizon apo nxjerr në një plan të dytë shpërfillës shumën e atributeve dhe tipare unike që diferencon një antar grupi nga tjetri. Koncept ii identitetit, kur nuk përdoret në një shkallëzim ekskzluzivisht individual, është në thelb reduktues dhe dehumanizues, një abstraksion kolektivist dhe ideologjik e gjithë asaj që është kreative dhe origjinale në qenien njerzore, e gjithë asaj që nuk është vendosur nga trashëgimia, gjeografia apo trysnia sociale. Në të kundërt, identiteti i njëmendtë buron nga aftësia e qenieve njerëzore për t'i rezistuar këtyre ndikimeve dhe t'i luftojë ato me akte të lira të shpikura prej tij.

Nocioni i identitetit kolektiv' është një fiksion ideologjik, dhe themeli i nacionalizmit. Për shumë etnologë dhe antropologë, identiteti kolektiv nuk përfaqëson të vërtetën, madje as mes komuniteteve më arkaike. Praktikat e përbashkëta dhe zakonet mund të jenë thelbësore për mbrojtjen e një grupi, por diferenca e inisiativës dhe kreativitetit ndërmjet anëtarëve të saj, për ta emancipuar veten prej grupit, është në çdo rast e madhe, dhe ndryshimet individuale mbizotërojnë në krahasim me zakonet kolektive kur individët shqyrtohen si njësi më vete, dhe jo si elementë periferikë të kolektivitetit. Globalizimi u jep radikalisht të gjithë qytetarët të këtij planeti mundësinë për të ndërtuar identitetet e tyre kulturore përmes aksionit vullnetar sipas parapëlqimeve dhe motivimeve të brendshme. Tani, qytetarët nuk janë gjithmonë të detyruar, si në të shkuarën dhe në shumë vende të së tashmes, për të respektuar një identitet që i ngërthen në një kamp përqendrimi prej të cilit nuk ka dalje-ideniteti që u është mbivendosur nëpërmjet gjuhës, kombit, kishës dhe zakoneve të vendeve ku janë lindur. Në këtë kuptim, globalizmi duhet mirëseardhur sepse, dukshëm, i zgjeron horizontet e lirisë individuale.

Dy historitë e një kontinenti

Ndoshta Amerika Latine është shembulli më i mirë i artificit dhe absurdit të përpjekjes për të ndërtuar identitete kolektive. Cili mund të ishte identiteti kulturor i Amerikës Latine? Çfarë do të mund të përfshihej në një përmbledhje koherente besimesh, zakonesh, traditash, praktikash dhe mitesh që e kultivojnë këtë rajon me një personalitet të përveçëm, unik dhe të patransferueshëm? Historia jonë është farkëtuar në polemika intelektuale-disa shumë të ashpra-në përpjekje për t'iu përgjigjur këtyre pyetjeve. Më e zjarrta ishte ajo, që nisi në fillim të shekullit 20, vuri përballë hispanistët me indigjenistët dhe jehoi në krejt kontinentin.

Për hispanistët, si Jose de la Riva Aguero, Victor Andres Belaunde dhe Francisco Garcia Calder-Ameika Latine u lind kur, falë Zbulimit të Konkuistës, iu bashkua gjuhëve spanjolle dhe portugeze, dhe duke adoptuar krishtërimin, formoi një pjesë të qytetërimit perëndimor. Hispanistët nuk i nënveftësonin kulturat para-Hispanike, por këmbëngulnin se ato formonin veç një shtresë-dhe jo atë parësoren-të realitetit social e historik që e përmbushte natyrën dhe personalitetin e vet falë ndikimit jetëfrymues të Perëndimit.

Indigjenistët, në anën tjetër, i mohonin me indinjatë morale benefitet e supozuara që sollën europianët në Amerikën Latine. Për ta, identiteti ynë i ka rrënjët dhe shpirtin në kulturat dhe qytetërimet para Hispanike, zhvillimi dhe mdernizimi i të cilave qenë penguar brutalisht nga dhuna, dhe u bënë subjekt censure, represioni dhe margjinalizimi, jo vetëm gjatë tre shekujve kolonialë, por edhe më vonë pas ardhjes së republikanizmit. Sipas mendimtarëve indigjenistë 'pasqyrimi amerikan' autentik (për të përdorur titullin e një libri nga Joze Lezama Lima) banon në të gjitha manifestimet kulturore-nga gjuhët vendase te besimet, ritet, artet dhe zakonet popullore -që i rezistuan shtypjes kulturore perëndimore dhe mbërritën deri në ditët tona. Një historian i njohur i kësaj rryme, peruani Luis E. Valcarel, madje pohoi se kishat, manastiret dhe të tjera monumente të arkitekturës koloniale duhet të digjeshin përderisa ata përfaqësonin 'anti-Perunë'. Ato ishin mashtrime, një mohim i idenitetit të pastër amerikan i cili mund të ishte prej rrënjësh ekskluzivisht indigjene. Dhe, një prej shkrimtarëve më origjinalë të Amerikës Latine, Jose Maria Arguedas, rrëfen në histori elegance të thellë dhe proteste morale vibrante, epikën e mbijetesës së kulturës Quechua në botën andeane, pavarësisht pranisë mbytëse dhe shtrembëruese të Perëndimit.

Hispanicizmi dhe indigjenizmi prodhuan ese të shkëlqyera historike dhe vepra shumë kreative të fiksionit, por të gjykuara nga perspektiva e tanishme, të dyja doktrinat ngjajnë njëlloj sektariste, reduksioniste dhe false. Asnjëra nuk është e zonja për të përmbledhur diversitetin e gjerë të Amerikës Latine në këmishën e saj të forcës ideologjike dhe të dyja vijnë era racizëm. Kush do guxonte të pretendonte në ditë tona se vetëm ajo që shtë 'hispanike' apo 'indiane' përfaqëson me legjitimitet Amerikën Latine? Sidoqoftë, përpjekjet për të farkëtuar dhe izoluar 'identitetin kulturor' të dallueshëm, vazhdojnë sot me një zell politik dhe intelektual që do u shkonte kauzave më të hajrit. Pëpjekja për të impostuar një identitet kulturor në një popull është si t'i mbyllësh ata në një burg dhe tu mohosh më të shtrenjtën e lirive-atë të të zgjedhurit çfarë, si dhe kush duan të jenë. Amerika Latine nuk ka një, por disa idenitete kulturore; asnjëri prej tyre nuk mund të pretendojë më shumë legjitmitet apo pastërti se të tjerët.

Natyrisht, Amerika Latine mishëron botën para Hispanike dhe kulturat e saj, të cilat në Meksikë, Guatemalë dhe vendet andeane ende ushtrojnë kaq shumë forcë sociale. Por Amerika Latine është gjithashtu një luzmë e madhe e spanjisht dhe portugalishtfolësve, me një tradtë prej pesë shekujsh me vete, prania dhe veprimet e e të cilëve kanë qenë vendimtare në tiparet që kontinenti ka sot. Dhe, a nuk është Amerika Latine edhe ngapak Afrikë, e cila mbërriti në brigjet tona bashkë me Europën? A nuk i ka shenjuar lëkurën tona, pamohueshëm, prania afrikane, apo dhe muzikën, origjinalitetin dhe shoqërinë tonë? Përbërsit shoqërorë, kulturorë, etnikë që formojnë Amerikën Latine na lidhin thuajse me të gjithë rajonet dhe kulturat e botës. Ne kemi kaq shumë idenitete kulturoe sa duket sikur nuk kemi asnjë. Ky realitet është, përkundër asaj që besojnë nacionalistët, thesari ynë më i madh. Përbën gjithashtu një kredencial që na bën të mundur të ndihemi si qytetarët të gjithëanshëm në botën tonë të globalizuar.

 

Zëra lokalë, impakt global

Frika e amerikanizimit të planetit është më shumë paranojë ideologjike, se sa realitet. Nuk ka dyshim, sigurisht, se me globalizmin Anglishtja është bërë gjuha e përgjithshme e kohës sonë, siç ishte Latinishtja në Mesjetë. Dhe do ta vazhdojë ngjitjen e saj, sa kohë që është një instrument i pazëvendësueshëm për transaksione dhe komunikim ndërkombëtar. Por, a do të thotë kjo se Anglishtja zhvillohet në kurriz të gjuhëve të tjera të mëdha? Absolutisht, jo. Në fakt, e kundërta është e vërtetë.

Zhdukja e kufijve dhe një botë gjithnjë e më e ndërvarur ka krijuar rrethana për brezat e rinj që të mësojnë të përshtaten me kultura të tjera, jo vetëm si hoby por edhe si nevojë, përderisa aftësia për të folur gjuhë të ndryshme dhe për të vozitur lehtësisht në kultura të ndryshme është bërë thelbësore për suksesin profesional. Merr rastin e Spanjishtes. Gjysmë shekulli më parë folësit e spanjishtes ishin një komunitet i izoluar; ne e projektonim veten në mënyra të pakta përtej kufijve tanë tradicionalë gjuhësorë. Sot Spanjishtja është dinamike dhe shpërthyese duke fituar territor në të pesë kontinentet. Fakti se gjenden rreth 25-30 milion Spanjishtfolës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpjegon se pse dy kandidatët për president, George Ë Bush dhe Al Gore, fushatuan jo vetëm në Anglisht, por edhe në Spanjisht.

Sa miliona të rinj e të reja anembanë globit i janë përgjigjur sfidave të globalizimit duke mësuar Japonisht, Gjermanisht, Mandarin, Kantoneze, Rusisht apo Frëngjisht? Fatmirësisht, kjo tendencë do të rritet në vitet që vijnë. Kjo është arsyeja se pse mbrojtja më e mirë e gjuhëve dhe kulturave tona është t'i promovojmë papushim në të gjithë botën e re, dhe jo të këmbëngulim në shtirjen naive të vaksinimit të tyre ndaj kërcënimit të Anglishtes. Ata që propozojnë kura të tilla flasin shumë për kulturën, pra ata priren të jenë njerëz injorantë që maskojnë vokacionin e tyre të vërtetë: nacionalizmin. Dhe nëse ka një gjë që shkon kundër prirjeve të natyrshme universaliste të kulturës, ai është vizioni përjashtues, mendjengushtë dhe konfuz që perspektivat nacionaliste përpiqen të imponojnë në jetën kulturore. Mësimi i mrekullueshëm që kulturat na mësojnë është se ato nuk kanë nevojë të mbrohen nga burokratët apo komisarët apo të kufizohen pas hekurash apo të izolohen nga doganat, në mënyrë që të mbeten gjallë dhe të harlisura; në të kundërt përpjekje të tilla vetëm sa do të mpakin dhe banalizojnë kulturën. Kulturat duhet të jetojnë lirisht duke u ndeshur vazhdimisht me kulturat e tjera. Kjo i rinon dhe i rinovon ato, duke i lejuar të përmirësohen dhe përshtaten me rrjedhën e vazhdueshme të jetës. Në antikitet, Latinishtja nuk e vrau Greqishten; në të kundërt, origjinaliteti artistik dhe thellësia intelektuale e kulturës helenike e përshkoi qytetërimin romak dhe përmes tij, poemat e Homerit dhe filozofia e Platonit dhe Aristotelit u shtri në të gjithë botën. Globalizmi nuk do t'i bëjë kulturat lokale të zhduken; në një kornizë të hapjes botërore, gjithçka që është e vlefshme ndër kulturat lokale do të mbijetojë duke gjetur tokë pjellore në të cilën të lulëzojë.  

Kjo po ndodh kudo në Europë. Veçanërisht ilustruese është Spanja ku kulturat rajonale po rishfaqen me energji të veçantë. Gjatë diktaturës së gjeneralit Francisco Franko kulturat rajonale u shtypën dhe mallkuan deri në ekzistencë të fshehtë. Por, me rikthimin e demokracisë diversiteti i pasur kulturor i Spanjës u la i lirë dhe u lejua të zhvillohej pa fre. Në sistemin e autonomisë të vendit, kulturat rajonale kishin patur një shpërthim të jashtëzakonshëm, veçanërisht në Katalunjë, Galici dhe në zonat baske, por edhe në pjesën tjetër të Spanjës. Sigurisht, ne nuk duhet ta ngatërrojmë këtë kulturë rajonale të rilindur, e cila është pozitive dhe pasuruese, me fenomenin e nacionalizmit, i cili përbën një kërcënim serioz për kulturën e lirisë.

Në esenë e tij të shquar të vitit 1948 "Shënime për përkufizimin e Kulturës', T.S. Eliot parashikoi se, në të ardhmen, njerëzimi do të përballej me një rilindje të kulturave lokale  e rajonale. Në atë kohë një profeci e tillë dukej shumë e guximshme. Sidoqoftë, globalizmi me gjasë, do ta bëjë realitet në shekullin 21, dhe ne duhet të jemi të lumtur për këtë. Një rilindje e kulturave të vogla lokale do t'i japë mbrapsht njerëzimit atë mori sjelljesh dhe shprehish të pasura që shteti-komb i zhduku, në mënyrë që të krijonte të ashtuquajturat identitetet e kulturës kombëtare, aty nga fundi i shekullit 18 dhe veçanërisht në shekullin 19. (Ky fakt harrohet lehtësisht ose ne mundohemi ta harrojmë për shkak të ngjyrimeve të rënda morale.)  Kulturat kombëtare shpesh u farkëtuan në zjarr dhe në gjak, duke ndaluar mësimin apo botimin e gjuhëve amtare apo praktikimin e feve dhe zakoneve që nuk ishin të njëjta me ato që shtet-kombet konsideronin si ideale. Në këtë mënyrë, në shumë vende të botës, shteti-komb me forcë imponoi një kulturë dominante mbi ato lokale, që ishin  shtypur dhe përzënë nga jeta zyrtare. Por, në të kundërt nga paralajmërimet e atyre që ia kanë frikën globalizimit, nuk është e lehtë t'i fshih kulturat me themel-sado të vogla të jenë-nëse pas tyre është një traditë e pasur dhe njerëz që i praktikojnë ato, qoftë edhe në mënyrë të fshehtë. Dhe sot, falë dobësimit të shtetit-komb, ne po shohim kultura lokale të harruara, margjinalizuara dhe të heshtura, që rishfaqen dhe që shpalosin shenja dinamike jete në koncertin e madh të këti planeti të globalizuar.

©Për përkthimin: Politiko.al

 

  

 

      

 

Të fundit