Flash News

KRYESORE

Goditet klani shqiptar që “mbyste” me drogë Italinë, policia tregon se si vepronte grupi kriminal

Goditet klani shqiptar që “mbyste” me drogë Italinë,

Një organizatë kriminale që transportonte nga Shqipëria në drejtim të Italisë sasi të mëdha marijuane u shkatërrua pas një operacioni italo-shqiptar.

Gjykata e Firences lëshoi 5 urdhër arreste, 4 të shtetasve shqiptarë dhe të një italiani. Antimafia në Firence nisi hetimet në janar të 2018-ës, pasi zbuloi për veprimtarinë e klanit shqiptar, i cili kishte futur sasi të mëdha të drogës në zonën e Firences, shkruan Cronace Campagnia.

Grupi shqiptar e dërgonte drogën në rrugë detare nga brigjet shqiptare në ato të Brindisit. Më pas ata kishin kontakte me mafien pulieze, që merrte mallin e në vazhdim e rishpërndante atë në qytetet kryesore, Roma, Napoli, Milano dhe Firence.

Në total, policia italiane arriti që të sekuestronte pas hetimeve të kryera nga anëtarët e këtij klani rreth gjysmë toni marijuanë.

Policia e Shtetit njoftoi se në qytetin e Vlorës u finalizua një tjetër operacion policor ndërkombëtar i koduar “SABBIA”. Në operacion u përfshinë Departamenti i Policisë Kriminale, “Interpol” Tirana, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe “Interforca” italiane në Shqipëri

Arrestimet u ekzekutuan në provincat e Firences, Sienës, Brindisit dhe në Vlorë, aktivizuar nëpërmjet Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor “Interpol” dhe “Interforca” italiane në Shqipëri.

Në Vlorë është kapur dhe arrestuar shtetasi F. S., si dhe është shpallur në kërkim një tjetër, të dy me masë sigurie “Arrest në burg”. Në Itali është arrestuar 1 shtetas, ndërsa për 2 të tjerë është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Masat janë lëshuar në përfundim të hetimeve të nisura në janar të vitit 2018, nga Skuadra Hetimore e Repartit “Operation”, që kanë mundur të identifikojnë një grup të organizuar kriminal në fushën e narkotikëve.

Të fundit