Flash News

KRYESORE

Gojëkyçur për teatrin, Artan Shkreli flet për herë të parë: Gjejini paratë ku të doni dhe restauroni godinën!

Gojëkyçur për teatrin, Artan Shkreli flet për

Artan Shkreli ka qenë një prej personazheve më të angazhuar në betejat për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, por posti i këshilltarit dhe më pas i zv/ministrit në Qeverinë e Edi Ramës, i kyçën gojën për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Në pozitat e zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk e ka pasur të thjeshtë dhe etika e nëpunësit të shtetit ia ka kufizuar të shprehurit të asaj që mendon.

Në një intervistë publikuar nga gazeta Panorama, Shkreli si arkitekt, restaurator dhe mbrojtës i trashëgimisë tregon pse ka mbajtur një qëndrim të tillë.

Ai tregon se nuk ka ndryshuar qëndrim për çështjen e teatrit, por në kushtet që aktualisht është pjesë e qeverisë është i detyruar të mbajë një qëndrim etik.

“Ose do të bësh nëpunësin shtetëror dhe do të jesh përgjegjës për atë që mbulon, ose do të bësh kritikun e politikave, duke parë nga jashtë dhe për të sensibilizuar opinionin publik. Por kjo nuk do të thotë se ne kemi hequr dorë nga angazhimi për ato gjëra, për të cilat kemi luftuar dikur. Vetëm se tashmë debatet tona zhvillohen në tryeza më të mbyllura, edhe më të larta. Nëse do kërkohej dhe do ishte mundësia të bëhej teatri diku tjetër, do të isha unë i pari që do të merrja lapsin për të bërë një projekt restaurimi dhe për të bërë rifunksionalizimin e këtij teatri, pasi ky teatër nuk funksionon as sot siç funksiononte dikur Klubi “Skanderbeg”, që ka pasur bibliotekë, restorante, klube, ekspozita, teatër”, tha Shkreli.

Ai tregon se cili do të ishte qëndrimi i tij nëse do ishte një përfaqësues i shoqërisë civile.

“Nëse unë do të flisja si Artan Shkreli, si restaurator, që më intereson vetëm Teatri dhe nuk më intereson pjesa tjetër, do kërkoja restaurimin e Teatrit. Ideale do të ishte që një teatër bashkëkohor të ndërtohej diku tjetër nëse do të ekzistonin paratë për të blerë truallin. Por jemi në dualitetin mes njeriut që do të restaurojë godinat e vjetra me një vlerë historike në këtë qytet dhe atij që kërkon një teatër bashkëkohor. Nëse do të isha sot përfaqësues i shoqërisë civile, do të kërkoja me papërgjegjshmërinë e ligjshme: Gjejini paratë ku të doni dhe restauroni Teatrin! Unë këtë nuk e them dot nga pozicioni që jam”, u shpreh ai.

Të fundit