Flash News

KRYESORE

Grabitja me një të vdekur në Fier, policia jep detajet e para, autorët tentuan të grabisin banesën e çiftit Meçaj

Grabitja me një të vdekur në Fier, policia jep detajet e para,

Policia e Fierit ka zbardhur detajet e para lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur rreth orës 03.00 pas mesnate në lagjen “29 nëntorit”. Si pasojë e shkëmbimit me armë zjarri mes 4 autorëve të maskuar dhe forcave të policisë, të cilët ndërhynë gjatë tentativës së grabitjes, njëri nga autorët mbeti i vdekur, një tjetër u plagos, kurse dy të tjerë janë larguar.

Sipas policisë, grabitja do të kryhej në banesën e Minella Meçaj, siç duket edhe në foton e siguruar nga politiko.al. Në banesë ndodhej vetëm çifti Meçaj, të cilët sapo kanë pikasur autorët duke tentuar të hapin derën, kanë njoftuar menjëherë policinë. Kjo e fundit ka ndërhyrë brenda pak minutash për ndalimin e autorëve, por këta të fundit kanë shkëmbyer zjarr me pistoletë dhe automatik ndaj bluve të Fierit, duke mbetir i vdekur njëri prej tyre.

NJOFTIMI I POLICISË

Në datën 23.03.2018, rreth orës 03:00, policia lokale u njoftua nga një telefonatë se në lagjen “29 Nëntori” Fier, pranë banesës së shtetasit Minella Meçaj , disa persona kanë tentuar të hyjnë brenda shtepisë duke thyer drynin e derës.

Pas marrjes së njoftimit mbërritën në vendngjarje shërbimet e policisë, të cilët janë përballur me disa persona të maskuar e të armatosur me pistoleta e automatikë, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë.

Në kushtet e reagimit proporcional, nga shkëmbimi i zjarrit, njëri nga autorët është plagosur dhe një tjetër ka gjetur vdekjen.

Të dy ata ishin të maskuar e të armatosur me pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Autorët e tjerë, që dyshohet se janë edhe dy, duke qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë janë larguar duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit, me një mjet ende të paidentifikuar.

Nga rradhët e Policisë së Shtetit nuk ka të lënduar.

Menjëherë janë ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe po vijon puna për kapjen e autorëve të tjerë.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm provash materiale.

Nën drejtimin e një grupi të posacëm të Prokurorisë, i cili gjendet në vendngjarje, po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.

 

Të fundit