Flash News

KRYESORE

Greqia mund të humbasë “flamurin” si investitori më i madh në Shqipëri; rriten Zvicra dhe Holanda

Në tremujorin e dytë 2018, fluksi i investimeve të reja nga Greqia ishte negativ, prej -10 milionë eurosh, me negativi në vite. Në fakt, Greqia vijon ende që të jetë e para sipas stokut të investimeve në vite, me 1.27 miliardë euro, por ky stok ka mbetur i pandryshuar prej të paktën 3 vitesh. Bankat me kapital grek po tërhiqen nga tregu shqiptar (NBG u shit te Abi Bank dhe Tirana Bank është në negociata për t’u shitur te grupi Balfin). Telekomunikacionet, që ishin investitori tjetër i madh nga  Greqia, janë në një situatë të vështirë, pasi prej dy vitesh po rezultojnë me humbje dhe kanë minimizuar investimet. Nëse vazhdon kjo tendencë, shteti helen pritet të humbë “flamurin” si investitori më i madh në vend.

Në vend të dytë për nga stoku i investimeve ka kaluar Zvicra, me 1.13 miliardë euro, në rritje të shpejtë vitet e fundit, por që është efekt i faktit që investimet e gazsjellësit TAP konsiderohen me bazë në Zvicër, raporton ‘Monitor’.

Në vend të tretë është ngjitur Holanda, me 973 milionë euro, si rrjedhojë e investimeve në energji, me hidrocentralet mbi lumin e Devollit (ndonëse tashmë Devolli Hydropower është 100%  në duar të norvegjezëve të Statkraft , investimi llogaritet nga vendi fillestar i origjinës), duke ia kaluar Kanadasë, e cila deri para dy vitesh ishte investitori i dytë më i madh në vend për shkak të origjinës së Bankers Petroleum, prodhuesit më të madh të naftës.

Italia është në vend të pestë me një stok prej 646 milionë eurosh, e ndjekur nga Turqia, me 565 milionë euro.

Investitorët gjermanë, që kanë shprehur shpesh pakënaqësinë për korrupsionin dhe burokracinë, i qëndrojnë larg Shqipërisë në krahasim me shtetet e tjera të rajonit, teksa ata në vite kanë sjellë në Shqipëri vetëm 129 milionë euro, duke u renditur në vend të 11.

Të fundit