Flash News

KRYESORE

Greqia udhëheq grupin e “Miqve të Shqipërisë”; këto janë 10 shtetet e BE që i dhanë sot mbështetje vendit tonë

Në Bruksel është zhvilluar sot takimi i ‘Miqve të Shqipërisë’, një iniciativë e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias dhe ku merrte pjesë edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas.

Përveç Greqisë dhe Gjermanisë, në takim morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Italisë, Austrisë, Suedisë, Rumanisë, Polonisë, Bullgarisë, Maltës dhe Qipros, si dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati falënderoi vendet anëtare për mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer në perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe u shpreh se ky takim është një mundësi shumë e mirë për të diskutuar me progresin e bërë. Ministri Bushati nënvizoi hapat që ka ndërmarrë Shqipëria përmes reformave të guximshme për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe plotësimin e pesë prioriteteve në kuadrin e perspektivës së anëtarësimit në BE.

Mogherini vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në  rajon dhe shtoi se hapja e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë është vendim i drejtë dhe në interes të dyanshëm.

Në takim u diskutua mbi koordinimin e hapave të mëtejshme të fillimit të bisedimeve të anëtarësimit.

Në këtë kontekst, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare vlerësuan rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe rezultatet pozitive të arritura në përmbushje të prioriteteve kyçe për çeljen e negociatave të anëtarësimit dhe miratimin e reformës në drejtësi, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e zbatimit të qëndrueshëm të tyre.

Gjithashtu, ata nënvizuan progresin e pasqyruar në Raportin e Komisionit duke evidentuar ecurinë e reformave shtet-konsoliduese dhe çmuar vendosmërinë e Qeverisë shqiptare për të vijuar me zbatimin e reformës në drejtësi.

Të fundit