Flash News

KRYESORE

Hahn jua bën të qartë Kosovës e Serbisë: Nuk ka anëtarësim në BE nëse nuk zgjidhni problemet

Hahn jua bën të qartë Kosovës e Serbisë: Nuk ka

Komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka folur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe rëndësinë e këtyre raporteve për anëtarësimin e dy shteteve në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për “Deutche Welle”, Hahn ka thënë që tema e Kosovës është një temë shumë e ndjeshme në Serbi dhe se opinioni dhe publiku serb duhet të mësohet me faktin që pa gjetur një zgjidhje përfundimtare me Kosovën nuk ka anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Tema e Kosovës është një temë e ndjeshme në Serbi, ne kemi publikuar strategjinë e re për zgjerim në të cilën kemi specifikuar se të gjitha shtetet që duan të bashkëngjiten, fillimisht duhet të zgjidhin konfliktet dhe paqartësitë e tyre, dhe ata duhet ta dinë që kjo vlen edhe për Kosovën edhe për Serbinë, për këtë arsye është e nevojshme edhe formulimi i një marrëveshjeje juridikisht obliguese mes Kosovës dhe Serbisë, normalisht kjo do të kërkojë shumë takime mes palëve dhe opinioni serb duhet të përgatitet për një gjë të tillë. Presidenti i Serbisë në këtë rast po merr përgjegjësinë mbi vete mirëpo ai ka edhe rreziqet që e ngarkojnë atë”, ka thënë Hahn.

Hahn shtoi që një gjë e tillë vlen edhe për Kosovën dhe aspiratat e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke potencuar se nuk duhet të ketë vetëm dialog pa ndonjë përfundim, por është shumë e rëndësishme që ky dialog të prodhojë diçka pozitive për të dy palët, dhe kjo është diçka jetike për perspektivën e Kosovës në BE.

“Shpresoj që autoritetet e Prishtinës ta kuptojnë që një gjë e tillë vlen edhe për ta, është e rëndësishme që Kosovës ti bëhet e qartë që bisedimet të kenë një epilog pozitiv dhe gjithashtu perspektiva e Kosovës në BE varet nga kjo”,  përfundoi Hahn.

Të fundit