Flash News

KRYESORE

Haki Çako priti sa ta shkarkonin, pesë rastet kur mund të ishte larguar me ‘dinjitet’

Pas gati tre vitesh në krye të policisë shqiptare Haki Çako është shkarkuar sot nga detyra me vendim të kryeministrit. Shkarkimi i kryepolicit kishte kohë që përflitej ndërkohë që gjatë tre viteve largimi i tij, duke ju referuar ngjarjeve të ndodhura, është kërkuar disa herë. Për tre vite Haki Çako refuzoi të merrte përgjegjësi pavarësisht se janë të paktën pesë situata në të cilat ai mund të kishte zgjedhur të ishte larguar nga detyra me vullnetin e tij.

Haki Çako priti sa ta shkarkonin kur mund të kishte dhënë dorëheqjen në kohën kur kanabizimi i vendit ishte një fakt. Sasitë e mëdha të drogës së kapur në Itali dhe Greqi dhe që vend origjine kishin Shqipërinë, shkrimet e mediave të huaja, denoncimet e opozitës do të ishin prova të mjaftueshme për të pranuar fenomenin e kanabizimit të vendit dhe po aq të mjaftueshme edhe që kryepolici të jepte dorëheqjen.

Haki Çako priti sa ta shkarkonin por mund të kishte dhënë dorëheqjen pas publikimit të videos për ngjarjen e ndodhur në ambientet e tregut industrial në Elbasan, ku afro 15 punonjës policie, përfshi edhe drejtues të lartë të policisë së qarkut, sabotuan detyrën e tyre duke lënë të largohej një person i cili më parë i kishte përplasur makinën zëvendësdrejtorit të qarkut.

Haki Çako priti sa ta shkarkonin por mund të kishte dhënë dorëheqjen në momentin që në publik dolën akuzat që implikonin ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, njeriu që e propozoi atë në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Haki Çako priti sa ta shkarkonin por mund të kishte dhënë dorëheqjen në momentin që tre drejtues të lartë të policisë, të emëruar me firmën e tij, u shpallën në kërkim si të dyshuar për favorizim të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve naroktike.

Haki Çako priti sa ta shkarkonin por mund të kishte dhënë dorëheqjen në kohën kur raportet e Shërbimit Informativ jepnin të dhëna se afro 170 punonjës policie, me grada të ndryshe në radhët e uniformave blu, ishin të implikuar në kultivimin e kanabisit./Politiko.al

 

 

Të fundit