Flash News

KRYESORE

Hapet pikë e re kufitare Shqipëri-Mali i Zi, tani transport udhëtarësh edhe në liqenin e Shkodrës

Hapet pikë e re kufitare Shqipëri-Mali i Zi, tani transport

“Hapja e pikës së re doganore në fshatin Zogaj, në kufirin me Malin e Zi do ta kthejë Zogajn në një lagje të qytetit dhe Liqenin e Shkodrës në një aktraksion turistik dhe qendër të zhvillimit ekonomik rajonal”, deklaroi sot zv.kryeministrja Senida Mesi, gjatë fjalës në seancën plenare.

“Kjo pikë kufitare është dakordësuar të hapet në mbledhjen e dy qeverive në Shkodër këtë korrik, duke i dhënë dy vendeve tona mundësitë për fuqizimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit fitimprurës të dyanshëm dhe afatgjatë, duke krijuar kushte optimale për zhvillimin e këtij bashkëpunimi përmes lehtësimit të qarkullimit në kufirin e përbashkët shtetëror”, tha Mesi.

Zv.kryeministrja bëri me dije se pika e përbashkët e kalimit kufitar do të ndërtohet në territorin e Shqipërisë dhe do të ketë një rikonstruksion të rrugës që fillon në Ostros në Mal te Zi–Shirokë-Shkodër. Kalimi i përbashkët do të jetë me një ndalesë, duke thjeshtuar procedurat kufitare.

Mesi sqaroi gjithashtu se kjo pikë do të jetë e hapur 24 orë në ditë për qarkullim ndërkombëtar rrugor dhe qarkullim të personave në Liqenin e Shkodrës, me qëllim lehtësimin e lëvizjes në zonat afër Bashkisë Shkodër dhe zonave të malësisë së Krajës, Komuna e Tivarit, Bar, Virpazar – Mali i Zi në kufirin tokësor dhe liqenor.

Njëkohësisht, ajo nënvizoi rëndësinë e hapjes së kësaj pike në shfrytëzimin e vlerave turistike të liqenit dhe gjithë Shkodrës si dhe në rritjen e shkëmbimeve mes dy vendeve.

Të fundit