Flash News

KRYESORE

Hapet tregu i shpendëve në Baldushk/ Veliaj: Të konsumojmë produkte vendase

Për vitin e pestë radhazi, Baldushku është kthyer në epiqendrën e produkteve bio të zonës së Tiranës, e veçanërisht të gjelit të detit. Për këtë vit, sasia e shpendit është dyfishuar.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi hapjen e Tregut të Shpendëve nga Agjencia për Administrimin e Tregjeve, që do të funksionojë deri më 31 dhjetor.

Ai theksoi rëndësinë e blerjes së produkteve lokale, e shtoi se kjo është mënyra më e mirë edhe për të rikuperuar ekonominë e këtyre zonave të prekura nga tërmeti.

“Kemi dy mundësi: ose të nënshtrohemi, gjunjëzohemi dhe të panikosemi, të ndalojmë jetën normale, festimet, gjithë aktivitetin që i shkon fundit të vitit, ose të themi se mënyra më e mirë për të ndaluar tërmetin ekonomik pas tërmetit të natyrës, është të karikojmë ekonominë. Pra, të inkurajojmë qytetarët të shpenzojnë. Nëse doni që ta ndihmoni Tiranën, Durrësin, Lezhën, pra tre qarqet e prekura, mënyra më e mirë për ta ofruar këtë ndihmë është duke konsumuar produkte që prodhohen në këto tre qarqe, duke shpenzuar dreka apo darka në lokale, restorante, hotelet e këtyre qarqeve, në dyqane dhe në dhurata, si mënyra më e mirë”, tha ai.

Kryebashkiaku tregoi se shembullin e parë e ka dhënë Bashkia e Tiranës, e cila në mensat sociale, kopshte e çerdhe, përdor produkte vendase.

Kurse deputeti i PS, Xhemal Qefalia deklaroi se falë nismës së kryebashkiakut Veliaj 4 vite më parë, tashmë gjeli i Baldushkut është kthyer në një markë të njohur duke ndihmuar ekonominë vendase.

Të fundit