Flash News

KRYESORE

Hapja e Ambasadës së SHBA në Jeruzalem pasohet me masakër në Gaza; Izraeli vret 53 palestinezë dhe plagos 2238 të tjerë

53 jetë njerëzish, midis tyre shumë fëmijë, ka kushtuar deri më tani vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të zhvendosur Ambasadën e SHBA-së nga Tel Avivi në Jeruzalem.

Gazeta izraelite “Haaretz” raporton për 40 mijë protestues të mbledhur në kufirin me Izraelin në Rripin e Gazës, ndërkohë që avionët dhe ushtarët e këtij shteti kanë plagosur deri më tani 2238 palestinezë, 770 prej tyre janë qëlluar me plumba.

Palestinezët kundërshtojnë vendimin e Uashingtonit për të hapur ambasadën në Jeruzalem, pasi sipas tyre kjo i njeh Izraelit kontrollin mbi qytetin e shenjtë. E gjendur në këtë situatë, ‘Shtëpia e Bardhë’ ka reaguar nëpërmjet një deklarate ku sqaron se hapja e ambasadës nuk do të thotë se SHBA ka njohur përfundimisht statusin e Jeruzalemit si pjesë të shtetit të Izraelit, por negociatat për këtë çështje duhet të vazhdojnë.

Maskrën që ushtria e Izraelit po kryen ndaj civilëve e kanë dënuar disa shtete si Irani, Turqia, Egjipti dhe Katari. Franca ka bërë thirrje për qetësi në kufirin midis dy vendeve, ndërsa Britania e Madhe ka folur për ekstremistë që shtyjnë civilët drejt protestave të dhunshme.

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini ka bërë gjithashtu thirrje për qetësi dhe ka theksuar se Brukseli vijon të mbështesë zgjidhjen e dy shteteve, ku Jeruzalemi do njihet si kryeqytet i përbashkët.

Turqia është shteti që po mban qëndrimin më kritik në këtë situatë, duke paralajmëruar madje SHBA-në dhe Izraelin për pasoja. Ankaraja ka kërkuar nga shtetet e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik që të mbajnë një qëndrim të përbashkët dhe të ashpër.

Sa i përket hapjes së ambasadës amerikane, Shqipëria është një ndër 33 shtetet që do të marrë pjesë në ceremoninë hapëse, ndonëse në OKB votoi rezolutën ku dënohej ky vendim.

Të fundit