Flash News

KRYESORE

Hapja e negociatave me Shqipërinë, DW: Tri shtete skeptike ‘s’duan t’ia dinë’ për Reformën në Drejtësi

Hapja e negociatave me Shqipërinë, DW: Tri shtete skeptike

Deutsche Welle ka bërë një përmbledhje të vizitës dhe deklaratave të presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk në Shkup dhe në Tiranë.

Sipas DW, Tusk në deklaratat e tij në Tiranë vijoi përqasjen e kancelares Merkel, pra një "Po me kushte” për hapjen e negociatave në  samitin e Këshillit Europian, më 18 tetor, pa e ndarë nga Maqedonia e Veriut.

“Tusk në deklaratat e tij në Tiranë vijoi përqasjen e kancelares Merkel. Për më tepër ai u shpreh, se BE duhet të hapë negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë  e Veriut njëherësh,  pa e ndarë Shqipërinë  për arsye të krizës së gjatë politike.

Nëse Maqedonia e Veriut vlerësohet lart për arritjen e marrëveshjes me Greqinë për emrin e saj, Shqipëria vlerësohet po kaq lart për kryerjen e reformës në drejtësi, të cilën BE e konsideron një model që mund të ndiqet edhe nga vende të tjera.

Në vizitën që kreu në Tiranë, ditët e fundit, Christian Lange, Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit e cilësoi reformën në drejtësi "një parakusht për afrimin e Shqipërisë me BE, një proces unik në të gjithë rajonin, që hap rrugën për një drejtësi të reformuar tërësisht, të orientuar vetëm nga e drejta dhe ligji”, shkruan DW.

Megjithatë, pavarësisht përparimeve kryesisht në Reformën në Drejtësi, tri shtete kanë të tjera rezerva.

“Por reforma në drejtësi nuk përbën argument që Franca, Holanda dhe së fundmi Greqia të lëvizin nga qëndrimet e tyre skeptike ndaj Shqipërisë lidhur me hapjen e negociatave.

Franca mbetet  e shqetësuar për numrin e lartë të kërkesave për azil nga qytetaret e Shqipërisë dhe i quan ato  "të paligjshme” pasi Shqipëria konsiderohet vend i sigurt nga pikëpamja demokratike. Të njëjtin shqetësim ka ngritur javën e kaluar pranë Komisionit Europian edhe  Holanda.

Ndërsa Greqia ka deklaruar së fundmi, se do të bllokojë hapjen e negociatave pasi në Shqipëri nuk respektohet e drejta e pronës së minoritetit grek.

Deri tani nuk ka shenja që vendet skeptike të ecin drejt ndryshimit të qëndrimit të tyre. Por shpresat për një „po" në 18 tetor mbeten, duke e parë mundësinë e një vendimi pozitiv si një „vendim politik të BE", thuhet në artikull.

Të fundit