Flash News

KRYESORE

Haradinaj dhe Thaçi: Strategjia e BE ka dështuar të ofrojë qartësi për anëtarësimin e Kosovës

Haradinaj dhe Thaçi: Strategjia e BE ka dështuar të ofrojë

Publikimi i strategjisë për Zgjerimi të BE-së duket se nuk është pritur shumë mirë nga dy liderët kryesor të Kosovës.

 Ka qenë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj që ka reaguar i pari ndaj këtij vendimi, për të cilin thotë se Kosova është duke u trajtuar në mënyrë asimetrike dhe të paqartë për të ardhmen e saj evropiane, edhe pse ky shtet numëron një sërë arritjesh.

Por nuk u ndal me kaq. Haradinaj e ka vazhduar fjalën e tij duke thënë se ata janë të vetëdijshëm për sfidat që kanë përpara, po  është tejet e rëndësishme që Bashkimi Evropian të ketë një politikë të qartë ndaj Kosovës dhe mos ta lërë atë në hije.

“Derisa ne jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara nesh, është tejet e rëndësishme që Bashkimi Evropian të ketë politikë të qartë ndaj Kosovës, në mënyrë që të avansojë procesin e saj të integrimit, dhe të mos rrezikohen të arriturat tona të përbashkëta për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon. Këto janë edhe pritjet e qytetarëve të Kosovës, të cilët presin nga Bashkimi Evropian trajtim të barabartë si për të gjithë qytetarët evropianë”, ka përfunduar Haradinaj. 

Sigurisht që në valën e këtyre fjalëve që kryeministri ka lëshuar nuk kishte si të mungonte dhe reagimi i presidentit Hashim Thaçi, i cili është treguar shumë i kujdeshëm, po nuk ka harruar kurrësesi ta vendos në qendër të vëmendjes faktin që Haradinaj e ka përmendur disa herë.  

Duke u treguar shumë diplomatik me fjalët, Thaçi ka thënë se e mirëpret hartimin e këtij dokumenti strategjik, i cili e trajton Kosovën si pjesë integrale të planeve për zgjerim të Bashkimit Evropian, por që fatkeqësisht kjo strategji ka dështuar të ofrojë qartësi për anëtarësimin e Kosovës në BE.

“Kjo qasje jo e drejtë ndaj Kosovës është pasojë e mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së, respektivisht e paaftësisë së BE-së për një qëndrim unik për Kosovën. Por, Kosova nuk do të zhytet në dëshpërim.

Ne duhet ta shfrytëzojmë potencialin e plotë të kësaj strategjie për të avancuar pozicionin tonë në rrugën drejt anëtarësimit, për zbatimin e reformave të nevojshme evropiane dhe për të përmbyllur procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Kosova urgjentisht duhet të tejkalojë gjendjen e izolimit, duke ratifikuar marrëveshjen për vijën kufitare me Malin e Zi, e cila sjell edhe heqjen e vizave për qytetarët tanë nga BE-ja”, shtoi Thaçi. 

 

 

 

 

 

Të fundit