Flash News

KRYESORE

Hashim Thaçi kërkon njohjen e Kosovës nga Greqia dhe Sudani

Hashim Thaçi kërkon njohjen e Kosovës nga Greqia dhe Sudani

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Sudanit, Ibrahim Ghandour.

Kreu i shtetit tha se pavarësia e Kosovës është në harmoni të plotë me të drejtën ndërkombëtare, gjë të cilën, siç theksoi, edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka vërtetuar.

Ai tha se Kosova po e konsolidon pozitën e saj në arenën politike ndërkombëtare, se po e dëshmon veten si faktor paqeje e stabiliteti në rajon.

Tutje, presidenti Thaçi theksoi se vetë procesi i integrimeve euro-atlantike Kosovës dhe anëtarësimi i saj në organizata të rëndësishme botërore dëshmojnë se Kosova duhet të pranohet nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar.

Presidenti Thaçi e ftoi Ministrin e Jashtëm të Sudanit, Ibrahim Ghandour, për intensifikimin e kontakteve mes qeverive përkatëse, e që, sipas tij, do të duhej të kurorëzoheshin me njohjen e Kosovës nga Sudani.

***

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias.

Kreu i shtetit e falënderoi ministrin Kotzias për mbështetjen e Greqisë dhe qëndrimin pozitiv ndaj Kosovës në proceset integruese rajonale dhe euro-atlantike.

“Përkundër mungesës së njohjes, e vlerësojmë pozitivisht nivelin aktual të dialogut politik ndërmjet dy shteteve. Ne e kemi shprehur gatishmërinë tonë për të ruajtur e thelluar shkallën e arritur të bashkëpunimit politik duke vazhduar praktikën e takimeve dhe vizitave të niveleve të larta politike, të cilat kontribuojnë në ecurinë pozitive të marrëdhënieve tona fqinjësore dhe që nxisin bashkëpunimin dhe dialogun mes dy vendeve”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë takimit.

Ai shprehu bindjen e tij se njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Greqia do të forconte stabilitetin dhe paqen në rajon dhe do të promovonte perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe të gjithë rajonit.

Gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, presidenti Thaçi theksoi se Kosova shume shpejt do te hap Zyrën për Çështje Ekonomike në Athine e cila do të jetë katalizator i rritjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve respektive.

Të fundit