Flash News

KRYESORE

“Hetim ndërkombëtar për ‘Kumanovën’ dhe mbështetje për anëtarësimin në UNESCO”, premtimet e Zoran Zaev në Prishtinë

“Hetim ndërkombëtar për ‘Kumanovën’ dhe

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka zhvilluar sot vizitën e parë në Kosovë ku është takuar me homologun kosovar, Ramush Haradinaj. Zaev dhe Haradinaj folën për marrëveshjet e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për temat e nxehta që qëndrojnë ende të hapura.

I pyetur për rastin e Kumanovës, ku 33 shqiptarë janë dënuar me 746 vite burg dhe 7 burgime të përjetshme, Zaev pranoi se do të ketë një hetim ndërkombëtar. Ai u shpreh se nuk dëshiron që kjo çështje të bëhet pengesë për marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni.

“Kjo është një çështje që nuk e ka provokuar as Zoran Zaev dhe as Ramush Haradinaj. Është një çështje për të cilën qytetarët meritojnë të dinë të vërtetën. Jemi dakortësuar për një hetim ndërkombëtar dhe të vijnë ekspertë që do të analizojnë të gjitha provat. Kjo është në interes të bashkëpunimit tonë. Nuk dua që kjo çështje të bëhet pengesë për marrëdhëniet tona. Do të ketë hetim ndërkombëtar që të arrihet e vërteta”, u shpreh Zaev.

Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, Zaev tha se Prishtina mund të llogarisë mbështetjen e Maqedonisë në këtë proces.

“Kjo çështje është shtyrë tani për tani. Kosova mund të llogarisë mbështetjen e Maqedonisë në të gjitha proceset. Mbështetja jonë do të jetë gjithnjë për zhvillimin e marrëdhënieve fqinjësore sa më të mira”, deklaroi kryeministri maqedonas.

Në takimin me kreun e Kuvendit, Kadri Veseli, Zaev ka premtuar gjithashtu nisjen e ndërtimit të autostradës nga Shkupi në drejtim të kufirit me Kosovën.

Të fundit