Flash News

KRYESORE

Hetimet e Prokurorisë, si po ia hedh Veliaj përgjegjësinë e përmbytjes së autostradës administratorëve të tij

Hetimet e Prokurorisë, si po ia hedh Veliaj përgjegjësinë e

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për përmbytjen katastrofike të autostradës që lidh Tiranën me Durrësin, e dyta herë brenda një viti.

Drejtuesit e bashkive Vorë dhe Kamëz hodhën dyshime se përmbytja ishte shkaktuar për shkak të hapjes pa paralajmërim të liqenit të Kasharit dhe të Bovillës, pretendime që u mbështetën edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha. Por pasi drejtuesit e Prokurorisë u shfaqen në vendngjarje, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, reagoi duke hedhur poshtë akuzat e bashkive fqinje, ndërsa theksin e vendosi te protokolli.

“Nuk mund të jetë hapur pa kaluar protokolli në këto dy bashki”, u shpreh Veliaj të shtunën duke iu referuar liqenit të Bovillës, si dhe theksoi se vendimin për hapjen e digës e merr administratori i shoqërisë.

Me këtë deklaratë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nuk e përjashtoi kategorisht hapjen e digave, por bazuar në protokoll, ai pretendon se diga nuk është hapur, të paktën në dijeninë e tij. Pra dhe nëse hapja e digës ka ndodhur, ashtu siç shprehen zyrtarët e Vorës dhe Kamzës, kjo është përgjegjësi e administratorit të Bovillës dhe Kasharit, thotë Veliaj, dhe jo e tij.

Pjesë nga reagimi i bashkisë së Tiranës:

Kreu i Bashkisë sqaroi se portat e digës së Bovillës vijojnë të qëndrojnë të mbyllura dhe se niveli i liqenit është nën kuotën maksimale. Veliaj bëri të ditur se vendimin për hapjen e digës e merr administratori i shoqërisë, i cili paraprakisht ka detyrimin ligjor të njoftojë zyrtarisht edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, si dhe kryetarin e Bashkisë së Kamzës.

“Një qytetar që nuk e kupton si funksionon ujësjellësi ka të drejtë të mërzitet, por nuk u lejohet kjo atyre që deri dje kanë menaxhuar qytetin. Ne të gjithë e kuptojmë që Bovilla nuk është hapur, se që të hapet, së pari duhet të kapë nivelin maksimal, që ende s’e ka kapur. Së dyti, ka një protokoll ku i pari që njoftohet është kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe i Kamzës, kështu që nuk mund të jetë hapur pa kaluar protokolli në këto dy bashki. Së treti, edhe nëse hapet, nuk kalon fare në anën tjetër të Tiranës, sepse kemi një lum që na ndan në mes. Le të mos hapim panik. Ata që menaxhuan shtetin shqiptar dhe dështuan në mënyrë mizerabël vitet që ndodhi kjo katrahurë në Shqipëri me ndërtimet dhe me shërbimet publike, s’kanë të drejtë të flasin tani”, përfundoi Veliaj.

Të fundit