Flash News

KRYESORE

'Historia e Mendimit Shqiptar', një libër i ri nga studiuesi Ndriçim Kulla

I nisur afro 25 vite më parë, rrugëtimi e tij si lexues kërshërimtar në fletoret e viteve 30-të, duket se u arrit në një përfundim të rëndësishëm me “Antologjinë e mendimit shqiptar”, të botuar për herë të parë në vitin 2003. Ishte një libër i vëllimshëm që përzgjidhte rreth 25 autorë dhe që shtrihej në një hapësirë kohore prej 70 vitesh. Qasja e parë me një mendim të mohuar prej dekadash ishte sa ngazëllenjëse aq edhe traumatike. Lexohej mrekullisht shpirti dhe psikika shqiptare e ngritur në një vertikalizëm të paparë ndonjëherë më parë dhe kuptohej se sa shumë kishte humbur mendimi i sotëm nga mos-njohja apo mos-pasja për traditë të më parshme këtë shkëlqesë intelektualiteti dhe fisnikërie.

Dalngadalë kërshëria u kthye në mision, kurse njohja në një përgjegjshmëri për ta ndërfutur këtë mendim në shkollën dhe Universitetin shqip. Para 10 vitesh puna e një brezi të tërë admiruesish dhe përkrahësish të këtij mendimi solli organizimin e një konference shkencore mbarëkombëtare dhe hartimin e nje promemorie. Vetëm se kjo ishte një arritje institucionale.

Pas monografive, biografive, veprave përmbledhëse, të pasuruara me antologjinë e më pas me enciklopedinë e tij, piramida e kështu-ngritur e mendimit shqiptar e ndërtuar në vite nga ana e studiuesit Ndriçim Kulla, duhej në mënyrë të natyrshme të kishte edhe majën e vet, historinë e saj. Një domosdoshmëri të tillë arrin të na plotësojë libri i tij më i fundit, por kur sheh përmasën e shtrirjes në kohë e në thellësi të sondës hulumtuese të kërkimit, kupton se vetëm e natyrshme s'ka qenë për autorin një vepër e tillë.

Përtej se një histori, libri synon të jetë një trashëgimni, një traditë, një frymë kulture njëherësh. Rrugëtimi i tij gjer në thellësi të shekujve, nuk është thjesht për të shkruar historinë, por për të gjetur rrënjët e mendimit tonë, ato kode, ato modele, atë bazë të përbashkët e të qëndrueshme që do të shërbente si themel mbi të cilën do të ngrihej kohë pas kohe e gjithë ngrehina e këtij mendimi. Fitojmë kështu mendimin e ashtu-quajtur "historik" shqiptar, i cili nëpërmjet autorëve të veçantë, të spikatur në periudha kohore ndoshta të largëta me dhjetra vite apo dhe me shekuj midis tyre, krijon atë fillin lidhës, që formësoi njësinë e tij që ne mund ta admirojmë të shpërthejë në mënyrë vertikale, tek ato disa lëvizje të mëdha të mendimit që nuk i kanë munguar shqiptarëve në historinë e tyre. Duke ndjekur edhe rrugën e rrjedhës së brendshme të formimit psikik dhe shpirtëror shqiptar, që në momentet e qetësisë dhe zhvillimit vite-pakë përgjatë shekujve të tërë të luftrave, ka arritur të lërë xhevahirë të vërtetë kulture dhe qytetërimi, autori ka arritur të rrjetëzojë dhe zhvillojë atë hartë mendore, atë model të burimit etnik që në periudha të ndryshme të historisë krijoi frymën e kulturës, prej të cilës u kondensua talenti dhe gjenia e mendimtarëve tanë të mëdhenj. Ky rrugëtim, fiton kështu një vlerë të shtuar, pasi na paraqet ato kapacitete shëtitës në kohë, të mendimit shqiptar, që ne sot i shohim si trashgimni, si traditë, si mentalitet. E për të shkuar akoma dhe më tej, në epilogun e kësaj "Historie të mendimit shqiptar", autori ndërton edhe një paradigëm të tij, të posaçme për t'u përthyer me realitetin e sotëm shqiptar. E shkuara, e qenësishmja, e vlerta por edhe e meta e mendjes dhe shpirtit shqiptar bëhen një, për të ndërtuar një program konkret për të ardhmen. Kjo paradigmë e bën librin përtej se një histori, një vepër të mirëfilltë të aktualitetit shqiptar.

Të fundit