Horrori në familjen Josifi në Tiranë rast i (pa)precedent, por ‘alarmi’ për autoritetet (në vesh të shurdhët) ka rënë prej vitesh

Tirana prej mbrëmjes së të enjtes u trondit nga një ngjarje e paprecedent. Në një apartament në zonën e Kombinatit, u gjetën të pajeta nënë e bijë, ndërsa vajza tjetër e familjes ishte në gjendje të rëndë. Viktimat ishin Zhaneta Josifi 56-vjeçe, vajza e saj Anisa 30 vjeçe, ndërsa vajza tjetër më e madhe, Blerta 34 vjeçe u gjet në gjendje kritike për jetën.

Autoritetet zbardhën shpejt detajet e para mbi ngjarjen e ndodhur, që fillimisht të shkon mendja te skenarët e filmave horror, por që në fakt kemi të bëjmë me një ndodhi reale në kryeqytet.

Policia dje sqaroi se kishim të bënim me një vetëflijim familjar, një akt që mendohet se ka lidhje me sektin fetar që ato predikonin prej vitesh, fillimisht në Përmet dhe më pas në Tiranë ku ishin vendosur prej disa vitesh.

Autoritetet policore zyrtarisht nuk kanë konkretizuar se për cilin sekt bëhet fjalë, por është përfolur edhe sipas dëshmisë së fqinjëve dhe të afërmve të viktimave, se ishin predikuese e ‘Dëshmitarëve të Jehovait” dhe besonin te ringjallja pas vdekjes (vetëvrasjes).

Detajet e zbardhura deri tani kanë tronditur mbarë opinionin publik edhe për mënyrën se si është kryer rituali i vetëflijimit.

Fillimisht, ka ndërruar jetë Anisa dhe sipas ekspertizës ligjore 30-vjeçarja kishte ndërruar jetë para 15 muajsh. Trupi i saj mbahej në shtëpi, teksa nëna dhe motra tjetër kujdeseshin duke e lyer me solucione të ndryshme për të ngadalësuar procesin e dekompozimit dhe përhapjen e erës, në pritje që ajo të ringjallej.

Pas saj, paraprakisht disa javë më parë ka ndërruar jetë edhe Zhaneta, ndonëse lajmi është bërë i ditur vetëm një ditë më parë, ndërsa vajza tjetër u gjet nga policia rëndë, pasi daja i kësaj të fundit kishte sinjalizuar policinë, për shkak se asnjëra prej grave nuk përgjigjej në telefon dhe nuk e hapnin derën.

Por ç’mënyrë flijimi kishin zgjedhur? Duke refuzuar ushqimin dhe duke u izoluar brenda mureve të shtëpisë për një kohë të gjatë. Pra, për ditë e javë të tëra ata nuk hanin e as nuk pinin që të përmbushej predikimi ku ata besonin, në këmbim të ringjalljes pas vdekjes.

Po ashtu, një e dhënë tjetër është fakti se kryefamiljari kishte ndërruar gjithashtu jetë pas një akti vetëvrasje, ndërsa drejtonte një filal të këtij sekti më parë në Përmet.

Rasti i (pa) precedent për autoritetet

Rasti i familjes Josifi nuk ka ndodhur më herët në vendin tonë, por fenomeni i lidhur me ‘dëshmitarët e Jehovait nuk është i panjohur.

Prej vitesh, në Shqipëri, sidomos në Tiranë ka patur disa raste vetëvrasjesh të personave që ishin njohur në komunitet si pjesë e këtij sekti fetar.

Madje, mes viktimave ka patur edhe të mitur, pasi shoqëroheshin me misionarë , apo lexonin fletushka që përfaqësuesit zakonisht i lënë në çdo derë shtëpie e lagjeje.

Nëse rikthehemi pas në kohë, kujtojmë disa prej rasteve, që u bënë publike edhe në media, por që nga hetimet e kryera deri tani nuk është vërtetuar asnjëherë se sekti kishte lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me aktet e vetëflijimit.

-Në Mallakastër në vitin 2011 një 13-vjeçar u vetëvar në banesë, pas ishte lexues i rregullt i fletëpalosjeve që shpërndanin misionarët e Jehovait në lagjen e tij.

-Në prill të 2014, në Durrës është vetëvrarë një tjetër i mitur, 13 vjeç.

-Në 21 shkurt të 2013 Ramazan Arap Keçi 22 vjeç u vetëvar në Fushë-Krujë. Sipas policisë,  njihej si pjesë e sektit të Dëshmitarëve të Jehovait

-Në qershor 2017, një 24-vjeçare në Durrës tenton t’i japë fund jetës duke prerë damarët. Në atë kohë babai i vajzës denoncoi se e bija para aktit ishte shoqëruar me dy misionare të Jehovait etj..

Çfarë është sekti ‘Jehova”

Dëshmitarët e Jehovait është një sekt fetar, i cili u përhap në Shqipëri pas viteve ’90 me rilindjen e feve të tjera, pas rënies së sistemit komunist, i cili pengonte me ligj zhvillimin dhe predikimin e besimeve fetare gjatë 45 viteve të ushtrimit të pushtetit në vendin tonë.

Ky sekt zhvillon aktivitetin e tij fetar dhe në shumë vende të tjera të botës, por në disa shtete është e ndaluar të predikohet ky besim fetar, për shkak të riteve dhe parimeve të dyshimta fetare që shpesh kanë shtyrë në vetëvrasje shumë persona mes të cilëve dhe fëmijë. Fenomeni i vetëvrasjeve nga persona, të cilët kishin përqafuar parimet morale dhe fetare të këtij sekti regjistroi shumë raste gjatë vitit 2005 në Shqipëri, duke lënë dyshime të thella mbi sektin fetar Jehovaian, duke ngritur pikëpyetje të shumta mbi predikimet dhe normat e tyre.

Ajo që vlen për t’u theksuar është fakti se autoritetet gjatë gjithë kësaj kohe kanë marrë sinjale konkrete mbi ritet e dyshimta fetare dhe lidhjet e dyshimta pikërisht me këtë sekt, por deri tani nuk është parë asnjë rezultat konkrete veç rasteve të përsëritura.

Kujtojmë se policia jo më larg se pak ditë më parë arrestoi një person vetëm për një status në rrjetet sociale ku bënte thirrje “Vrasje çifutëve”, ndërsa për raste të tilla konkrete dhe të përsëritura deri tani nuk është parë që dikush të shkojë para përgjegjësisë.

Ndërsa në rrugët e Tiranës, predikuesit vazhdojmë t’i shohim të stacionuar duke promovuar fletëpalosjet apo duke trokitur derë më derë për “zotin Jehova”.