Flash News

KRYESORE

Hoti: Në Bruksel do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke

Hoti: Në Bruksel do të ketë vetëm marrëveshje

Pas marrëveshjes ekonomike të nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Kosova dhe Serbia tashmë do të vazhdojnë bisedimet në Bruksel, ku krerët e dy vendeve do të takohen ditën e nesërme.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti shprehet se në Bruksel do të diskutojnë për njohjen reciproke që do të çojë në marrëveshjen përfundimtare. Në një postim në rrjetet sociale, Hoti thekson se në Bruksel nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë.

Ai shton më tej se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, stabilitet, zhvillim dhe integrim euro-atlantik të të gjithë regjionit

Postimi i plotë i Hotit: 

Bazuar në zotimet që i kemi dhënë në Samitin e Parisit më 10 korrik 2020, si dhe mbështetjen që kemi marrë nga Presidenti Makron dhe Kancelarja Merkel, të hënën në Bruksel e takojmë palën serbe për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke. Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë. Do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, që është sistematike dhe ku përfshihen të gjitha çështjet që duhet të adresohen në mes të dy vendeve të pavarura duke u bazuar në konventat, standardet dhe praktikën ndërkombëtare të rregullimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve të pavarura.

Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, stabilitet, zhvillim dhe integrim euro-atlantik të të gjithë regjionit.

Të fundit