Flash News

KRYESORE

Hyn në fuqi Kodi Zgjedhor, anëtari i KQZ: Tri sfida të mëdha, ka akoma nevojë për ndërhyrje pas ndryshimeve kushtetuese

Hyn në fuqi Kodi Zgjedhor, anëtari i KQZ: Tri sfida të

Ndryshimet e Kodit Zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit hynë dje në fuqi, ku një ndër pasojat e para të ndryshimit është riformatimi i KQZ-së.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, anëtari aktual i KQZ-së, Bledar Skënderi, tha se thelbi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor janë riformatimi i KQZ-së dhe teknologjia në zgjedhjeve. Skënderi u shpreh se në sesionin e ri, Kuvendi duhet të ketë detyrë primare ngritjen e trupës së re të KQZsë, pasi ka tri sfida të mëdha: hapja e listave, implementimi i teknologjisë në zgjedhje dhe votimi i emigrantëve.

Po ashtu, sipas Skënderit, Kodi Zgjedhor ka akoma nevojë për ndërhyrje pas ndryshimeve kushtetuese, që lidhen me faktin se sa do të hapen listat, nëse do të kemi sërish sistem me qarqe apo rajone më të mëdha, si dhe nëse zgjedhësit do të kenë mundësi të votojnë për më shumë se një kandidat në listë.

Skënderi, dje hyri në fuqi Kodi i ri Zgjedhor dhe një nga pikat më të rëndësishme është riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Çfarë risie sjell kjo formulë në KQZ-në e re?

Në Fletoren Zyrtare të datës 4 gusht janë botuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe dje, mbas 15 ditësh, hyri në fuqi. Ndryshimet konsistojnë kryesisht në riformatimin e trupës së KQZ-së. Nuk do të ketë më një trupë me 7 anëtarë, ku njëri është kryetar dhe një tjetër nënkryetar, por kemi një sistem tjetër. Kemi një komisioner që do ketë rolin e një drejtori teknik, i cili do të merret me menaxhimin e zgjedhjeve. Do të ketë një zëvendëskomisioner, i cili i ka detyrat e përcaktuara qartë dhe do merret me implementimin e teknologjisë në zgjedhje dhe kemi ndërtimin e dy trupave të përbëra me nga 5 anëtarë. Trupa e parë quhet Komisioni Rregullator dhe Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve. Anëtarët e Komisionit Rregullator do të kenë mandat 5-vjeçar dhe anëtarët e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve do të kenë mandat 9-vjeçar.

Në këndvështrimin tuaj, KQZ-ja mund të ngrihet deri në 19 tetor si afati maksimal?

A po shkon më vonë për të përgatitur teknologjinë, sepse kemi detyrimin ligjor për të aplikuar identifikimin elektronik në të gjithë Shqipërinë? Unë besoj se është detyrë primare e Kuvendit, që sapo të fillojë kjo legjislaturë, të merret urgjent me riformatimin e KQZ-së së re, të hapin procedurat për kandidimin e komisionerit, ndihmëskomisionerit dhe dy trupat.

Çfarë roli do të ketë opozita politike në formimin e KQZsë së re, pasi dimë që PD e LSI dhe aleatët e vegjël janë jashtë Parlamentit?

Në dispozitat tranzitore janë vendosur disa kritere. Përveç përzgjedhjes normale që do kenë anëtarët e dy trupave dhe komisionari në vitet në vijim, për këto zgjedhje është vendosur një klauzolë përjashtuese, pasi do të krijohet një komision i posaçëm parlamentar, ku do jetë një përfaqësues i posaçëm nga partitë e opozitës që doli nga zgjedhjet e vitit 2017, i cili, që në rastin e komisionerit ka të drejtën që nga tre kandidaturat që do ofrojë komisioni parlamentar për komisioner, të eliminojë njërin nga kandidaturat, ndërsa dy kandidaturat e tjera shkojnë për votim në Parlament. Ndërsa në rastin e KAS-it dhe Komisionit Rregullator, përfaqësuesi i opozitës ka të drejtë të propozojë nga dy kandidatë, dhe parlamenti nuk ka të drejtë ti përjashtojë por vetëm ti miratojë. Pra, opozita do të ketë gjithsej 4 anëtarë. Dhe unë besoj që e gjithë procedura mund të përfundojë deri në fund të shtatorit. Gjithçka varet nga Kuvendi për të përcaktuar afate të qarta dhe të shkurtra për procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve.

Krahas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, tani kemi edhe disa ndryshime kushtetuese, të cilat sanksionojnë që sistemi zgjedhor duhet të jetë me lista të hapura. Në eksperiencën tuaj si anëtar i KQZ-së, a do të jetë i vështirë procesi i votimit dhe numërimit në Shqipëri?

Ky proces, në kuadrin e një debati që ka shoqëria shqiptare, sapo ka filluar. Ndryshimet kushtetuese janë vetëm pika e nisjes për të gjithë këtë proces, i cili është i gjatë dhe i vështirë për t’u implementuar. Duhen ndryshime të tjera në Kodin Zgjedhor për të përcaktuar procedurat se si do të funksionojë procesi i votimit; do hapen listat 100%, do ngelet një pjesë e listës e hapur apo e mbyllur, do ngelet votimi me qarqe apo do të duhet të bëhen rajone më të mëdha, do të duhet të detajohet se sa kandidatë nga lista ka të drejtë të zgjedhë një votues, pra, shumë gjëra që kanë nevojë urgjente që Komisioni i Reformës Zgjedhore, me një lloj akordi politik, ta vendosë përpara këtë proces.

Duke pasur parasysh që ne kemi numërim të përqendruar, a komplikohet dhe a zgjatet procesi i numërimit, duke pasur parasysh se do numërohen votat për partinë dhe për kandidatët?

Varet nga mënyra sesi do të implementohet procesi me lista të hapura. Nëse ne do të kemi një proces për zgjedhje ku përzgjidhet një parti dhe një kandidat, procesi nuk ka asnjë vështirësi për t’u administruar.

Cilat janë sfidat kryesore që do të ketë KQZ-ja e re pasi të krijohet?

Praktikisht, unë mendoj që KQZ-ja e re do të ketë tri sfida kryesore në zgjedhjet e ardhshme, që do të jenë: hapja e listave, implementimi i teknologjisë në zgjedhje dhe votimi i emigrantëve. Juve dhe kolegëve tuaj ju mbaron mandati në momentin që zgjidhet komisioneri dhe trupa e re.

Ju, në fakt, keni pasur mjaft akuza, sidomos nga opozita, por kritika ka pasur edhe nga raporti i ODIHR-it, çfarë e bëri më të vështirë punën e KQZ-së sidomos në zgjedhjet e fundit?

KQZ-ja është një organ, që ndër vite është konsoliduar dhe unë mendoj se KQZ, të paktën në 15 vitet e fundit, ka rezultuar shumë produktive. Përplasjet politike të palëve në terren e kanë përcjellë ngarkesën negative te tavolina e KQZsë. Por unë dua të them se KQZ-ja ndër vite ka menaxhuar me sukses dhe pjesa e administrimit të zgjedhjeve është bërë në mënyrë shumë të mirë./Panorama

Të fundit