Flash News

KRYESORE

I dërguari i Oscar: Jam i impresionuar me cilësinë e filmave në TIFF

I dërguari i Oscar: Jam i impresionuar me cilësinë e filmave

Sot mbyllet edicioni i 16-të i Festivalit Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë. 7 juri përbërë nga personalitete të artit dhe kinematografisë, kombëtare dhe ndërkombëtare, do përzgjedhi fituesit. Në një javë publiku kryeqytetas pati mundësinë të shijonte filma premierë të disa zhanreve të sjellë nga regjisorë të njohur si Gus van Sant, Lars von Trier apo Luca Guadagnino. E reja e këtij edicioni është padiskutim edhe përzgjedhja e këtij Festivali në listën e 100 festivaleve të filmit në botë të akredituar nga Akademia e Shkencave dhe Artit në Amerikë, për çmimet Oscar.

I dërguari i kësaj Akademie në Tiranë, Ali Asgari, flet në një intervistë për Festivalin.

Intervistoi: Genta Ramadani

G.R. - Ju vini nga industria e Oscars, pse jeni këtu në TIFF dhe çfarë kërkoni specifikisht në këtë Festival, kështu të mund ta merrni me vete në Oscars?

Nga ky vit, siç dihet, TIFF kualifikohet për në Oscars dhe sipas rregullave të Akademisë, duhet që në festival, pra në juri, të jetë një pjesëtar i Akademisë, prandaj dhe unë jam këtu si anëtar jurie. Unë dhe miq të tjerë, pjesëtarë të rinj të Akademisë, përpiqemi të gjejmë figura të reja, skuadra të reja, zëra të rinj dhe autorë të rinj të cilët do mund të sjellin risi në këtë fushë e nuk janë pjesë e komerciales. Ne kërkojmë cilësi të reja, se si ai/ajo do ta shpërfaqe idenë e tij/të saj. Në na intereson cilësia e autorit, se si ata e shohin jetën. Sa kreativ janë ata. Unë nuk e konsideroj një prodhim të madh, por se si autori mund t'i transmetojë audiencës çështje të madha e cilësore.

G.R. - Çfarë mendoni për Festivalin Filmit ne Tiranë?

Cilësia e filmave është shumë e madhe. Kishte një numër të madh që aplikuan, mendoj se ata kanë përzgjedhur filmat më të mirë. Disa nga filmat i kam parë, disa ende jo. Cilësia e filmave dje dhe skuadrat më janë dukur shumë interesante. Filma vërtetë të mirë nga ky rajon, nga Ballkani, që nuk kanë një industri të madhe filmi, po përsëri ata me kanë impresionuar me cilësinë.

Gjatë këtyre tri ditëve këtu kam vënë re që Festivali nuk ka patur shumë reklamim, pra njerëzit po të dinin me shumë mbi TIFF dhe filmat e rinj, audienca do ishte edhe më e madhe.

E di që paratë janë problemi, që qeveritë nuk japin shumë mbështetje dhe është e vështirë të gjesh sponsor, por besoj që për vitin që vjen do të gjenden mënyra të reja për ta reklamuar Festivalin. Por veç kësaj, organizimi është shumë i mirë, njerëzit janë të mirë dhe mua më pëlqen shumë vendi.

G.R. - Ju jeni vetë regjisor dhe skenarist. Kam lexuar për punën tuaj dhe ndjekur disa nga filmat tuaj. Kurioziteti im është cili është interesi juaj kryesor dhe cilat janë temat që ju frymëzojnë?

Mua më pëlqen të flas për gjërat e jetës së përditshme dhe se çfarë ndodh përreth meje. Dua ta shpreh se kush jam e ku jetojmë, prandaj mundohem t'i dëgjoj njerëzit dhe më pëlqen të eci nëpër rrugët e qytetit, të shoh e të dëgjoj se çfarë bëjnë e thonë njerëzit. Kështu mund të krijoj një gjë të re për të gjitha këto që shoh, të cilat do të tregojnë më shumë për mua. Prandaj në filmat e shkurtër njerëzit ndërveprojnë me njëri tjetrin, dhe kjo më frymëzon shumë.

Më pëlqen të shoh fotografi, nga njerëz të njohur apo të thjeshtë, sepse çdo fotografi ka historinë e vet. Sepse me imazhet që shoh mund të krijoj histori, i frymëzuar nga fotografitë.

G.R. - Atëherë, nisur nga kjo, po kërkoni ju të gjeni të njëjtat tipare në filmin fitues të kësaj kategorie?

Të prodhosh një film është ndryshe nga filmat që pëlqen. Si regjisor, ca filma unë mund t'i prodhoj, nisur nga mënyra se si unë jam bëj filmat, por nga ana tjetër, jo të gjithë do prodhojnë të njëjtat filma, ndaj jam i hapur për të parë e shijuar filma që vetë nuk mund t'i prodhoj, gjëra të reja, përtej asaj që unë di të bëj.

G.R. - Meqë jemi në Tiranë, a ka diçka që ju ka frymëzuar dhe lënë mbresa nga ky realitet? Detaje të cilat mund të ndikojnë filmat tuaj të ardhshëm?

Këto ditë që kam qenë këtu, jam ulur nëpër lokalet e Tiranës ku kam vënë re me kujdes thjeshtësinë e njerëzve. Në një bar më bëri përshtypje një djalë i ri tek bisedonte me një të moshuar, dhe djali i ri qeshte tërë kohës me batutat e plakut. Njerëzit duken të lumtur. Sidomos njerëzit në moshë të thyer. Kjo më frymëzon. Çfarë ti përjeton në jetë, me kohën ti mund ta transmetosh në filmin që ti bën, sepse e kaluara është në mënyrë të pashmangshme, pjesë e subkoshiencës. Ajo që unë prodhoj sot është pjesë e jetës që kam bërë.

Në çdo festival që kam qenë, në udhëtimet e mia, kam marrë eksperienca të cilat të ndihmojnë të rritesh me shumë e të prodhosh gjëra të veçanta.

Kam qenë edhe njëherë më parë në Tiranë, kur kam qenë në juri për DokuFest në Kosovë, kam ardhur edhe këtu për të parë qytetin sepse kam shumë miq shqiptarë. Më pëlqen të njoh kulturën tuaj, madje kam edhe një qeleshe në shtëpi, si dhuratë.

Të fundit