I penduari Astrit Patozi. Ankesa, mallkime dhe lutje për 30 qershorin

Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi e quan të neveritshëm ngritjen e Komisionit Hetimor ndaj presidentit Meta. Sipas tij, shkallët e konfliktit që kanë dy institucionet më të rëndësishme të shtetit, retorika që ato përdorin, përveç se kanë thelluar krizën politike, ato ndodhen edhe në një marrëzi politike.

“Ndjej neveri për këtë. Ne jemi në një krizë politike e cila nuk është zgjidhur nga 30 qershori. Shpresoj që Gushti dhe Shtatori të sjellë një lloj qetësie të gjithë personazheve por edhe të gjithë politikës në përgjithësi”, tha Patozi.

I pyetur nga gazetarja Mirela Milori për marrëdhënien që “Bindja Demokratike” ka me KQZ, e cila ka hedhur poshtë kërkesën e saj për hapjen e materialeve zgjedhore, Patozi sqaron se kërkesa e tyre ishte për të rritur transparencën.

“Dua të sqaroj diçka, ne ankimimin tonë nuk e kemi bërë për rezultatin tonë. Pas gjithë kësaj situatë dramatike, rezultati i “Bindjes Demokratike” nuk ka shumë vlerë për publikun dhe as për ne. Ne e kemi bërë për një lloj detyrimi ndaj publikut shqiptar, edhe ndaj votuesve tanë për të bërë një lloj transparence, për t’i treguar publikut që këto ishin zgjedhje të këqija, të cunguara që u shoqëruan me deformim të votës, sëmundje e lashtë e politikës tashmë në Shqipëri. Ne duam t’i tregojmë shqiptarëve, publikut që zgjedhje si këto mos paçim, qofshin të fundit, ky ishte qëllimi kryesor”, deklaroi Patozi.