Flash News

KRYESORE

Ibsen Elezi ‘fiton’ simpatinë e Safet Gjicit, pas kritikave në Kuvendin e PD i ulet në tavolinë ish-kandidatit socialist

Ish-kryetari i Partisë Demokratike në Kukës, Ibsen Elezi i krijoi vetes një hapësirë të gjerë mediatike me kritikat që lëshoi kundër Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për mënyrën se si e kanë drejtuar partinë.

Nga Kuvendi Kombëtar, Elezi akuzoi deputetët demokratë për shpenzimet e luksit, si dhe kritikoi drejtuesit për shkatërrimin e sistemit të karrierës në parti, katapultimet e padrejta nga lart dhe aleancën më LSI-në.

Me këto kritika, Elezi pati mundësinë të kthehej në një personazh interesant për shumë media, të cilat i dhanë hapësirë të madhe në studiot e tyre, por së fundmi, ish-kryetari demokrat mesa duket ka fituar edhe simpatinë e Safet Gjiçit.

Gjiçi ka qenë kandidat i Partisë Socialiste në Kamëz për zgjedhjet lokale të vitit 2015-të, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës ai u rendit i dyti në listën e PS për qarkun e Kukësit, por nuk arriti të siguronte mandatin e deputetit.

Politiko.al raporton se takimi midis Gjiçit dhe Elezit është zhvilluar mëngjesin e sotëm në hotel “Gjallica” në Kukës. Përveç Elezit, në tavolinë me Gjicin ndodhen edhe tre burra të tjerë.

Ky takim shton dyshimet mbi sinqeritetin e kritikave të Ibsen Elezit ndaj drejtuesve të partisë së tij dhe sponsorizimit të fushatës mediatike në mes të cilës ai u gjend pak ditë më parë.

Të fundit