Flash News

KRYESORE

Ilir Meta i del në krah ministres Gjonaj: Vota në KLD tregoi nevojën ekstreme për institucionet e reja të drejtësisë

Ilir Meta i del në krah ministres Gjonaj: Vota në KLD tregoi

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas deklaratës së ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila shprehu sot indinjatën për vendimin e Këshillit të lartë të Drejtësisë për mosshkarkimin nga detyra të 3 gjyqtarëve, që kjo ministri kishte kërkuar.

Në reagimin e Presidencës thuhet se “vendimarrja e shumicës së anëtarëve të KLD-së për procedimin e gjyqtarëve tregon edhe njëherë nevojën ekstreme që ka vendi, për ngritjen dhe funksionimin sa më parë të organeve të reja të sistemit të drejtësisë që janë parashikuar nga reforma.”

Në një deklaratë për shtyp, ministrja Gjonaj duke numëruar shkeljet e bëra nga gjyqtarët Petraq Curri i Durrësit, Ergys Selmani i Fierit dhe Ken Dhima i Vlorës, theksoi se “e djeshmja ishte një ditë e zezë për këtë këshill që nxori në pah sfidën e madhe që kemi përpara për të përmbysur sistemin e kalbur të drejtësisë. KLD si një organ kolegjial, ka dështuar në garantimin e llogaridhënies së gjyqtarëve dhe është kthyer në një strukturë mbrojtëse të interesave personale të gjyqtarëve në dëm të interesit publik”.

Reagimi i Presidencës:

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi, i pyetur mbi reagimin që ka ky institucion, për vendimarrjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të datës 07.05.2018, ku në këtë mbledhje janë rrëzuar propozimet e Ministrit të Drejtësisë, për shkarkimin nga detyra të disa prej gjyqtarëve u shpreh se :

– Presidenti i Republikës, z.Ilir Meta, shpreh keqardhjen për mosmiratimin e propozimeve të Ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e disa gjyqtarëve nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

– Presidenti i Republikës, z.Ilir Meta, që prej marrjes së detyrës si Kryetar i KLD-së, ashtu si dhe ditën e djeshme ka mbështetur në vijimësi të gjitha propozimet e Ministrisë së Drejtësisë ( propozime të ish-Ministrave të Drejtësisë, apo Ministres aktuale Gjonaj) për proçedimin disiplinor dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve, kërkesa këto aktuale, apo kërkesa të mbartura dhe të pashqyrtuara nga KLD-ja.

– Mbledhja e ditës së djeshme dhe vendimarrja e shumicës së anëtarëve të KLD-së për procedimin e gjyqtarëve tregon edhe njëherë nevojën ekstreme që ka vendi, për ngritjen dhe funksionimin sa më parë të organeve të reja të sistemit të drejtësisë që janë parashikuar nga reforma.

– KLD sot funksionon bazuar në dispozita tranzitore dhe kjo gjëndje duhet të marrë fund sa më parë.

– Ngritja dhe funksionimi i organeve të reja si; Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, do të vendosë çdo gjyqtar përballë një sistemi objektiv të llogaridhënies për veprimtarinë e tij.

– Shkeljet disiplinore të kryera nga disa gjyqtarë të shqyrtuara ditën e djeshme në KLD ishin më tepër se flagrante dhe me pasoja të rënda.

– Votimi i djeshëm për këto raste tregoi se KLD nuk i përgjigjet dot pritmërive të shoqërisë për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Të fundit