Flash News

KRYESORE

Incident në avionin Ankona-Tiranë, shkëndija elektrike në kabinë shkakton panik

Një incident ajror ka ndodhur paraditen e sotme kur një avion i postës italiane “Mistral air” i kontraktuar nga kompania “Blu Panorama” ka patur probleme gjatë kohës që ishte në ajër, pas një shkëndije elektrike në kabinë. Fatmirësisht të gjithë pasagjerët, rreth 100 vetë, nuk kanë patur dëmtime, por ata kanë përjetuar momente tmerri.

“Vetëm 15 minuta pasi jemi nisur nga aeroporti i Ankonës konstatuam erë të djegur në bordin e avionit. Biletat i kishim prerë me Blu Panorama, por avioni ishte i Ernest Fly, pasi Blu Panorama operon me këtë kompani. Ekuipazhi na informoi se kemi probleme, dhe se flaka kishte rënë në kabinë, ndaj duhet të kthehemi. Në aeroport na kanë pritur zjarrfikëset. Mes pasagjerëve kishte tension të madh, disa filluan të qanin”, dëshmon një prej pasagjerëve për “Opinion”.

Avioni ishte nisur nga aeroporti i Ankonës me destinacion Tiranën. Ai ka bërë ulje emergjente sërish në Ankona.

Kompania ka dalë me një komunikatë për mediat pas incidentit që pësoi në fluturim paraditen e sotme, avioni me numër fluturimi Mistral ATR72.

Mistral Air bën të ditur se rreth 15 minuta pas ngritjes së avionit nga aeroporti i Ankonës (ora 10:57) u ndje erë djegie në kabinë që mund të jetë shkaktuar nga një qark elektrik.

Komandanti kërkoi të kthehet në aeroportin e Ankonës, ku u ul në orën 11:28 . Pasagjerët nuk kanë pësuar asnjë dëmtim. Personeli e trajtoi me profesionalizëm rastin. Aktualisht avioni është duke iu nënshtruar kontrollit të nevojshëm teknik.

Të fundit