Flash News

KRYESORE

Incident në kampin e muxhahedinëve në Shqipëri, sulmohet grupi i gazetarëve të huaj

Incident në kampin e muxhahedinëve në Shqipëri, sulmohet

Një incident ka ndodhur në datën 10 gusht në kampin ku qëndrojnë muxhahedinët në Manzë të Durrësit. Një ekip televiziv i televizionin britanik Channel 4 TV, i cili po filmonte kampin nga jashtë rrethimit është sulmuar nga një grup i muxhahedinëve si dhe rojet e sigurisë që qëndrojnë aty.

Për këtë incident, me anë të një njoftimi të shpërndarë për mediat, kanë reaguar edhe muxhahedinët të cilët japin një version tjetër të ngjarjes. Për qetësimin e situatës ka ndërhyrë edhe policia shqiptare.

“Të premten, më 10 gusht, 2018, një ekip televiziv me tre persona, në mënyrë të fshehtë e pa njoftim paraprak, filmoi dhe fotografoi brenda vendbanimit të anëtarëve të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI-MEK), refugjatë në Shqipëri, nga një vend ngjitur. Agjentë vendas shqiptarë të sigurisë, të cilët e pikasën këtë akt të dyshimtë e të jashtëligjshëm i kërkuan të mos filmonin dhe t’ua dorëzonin filmimet. Por anëtarët e ekipit, të cilët u prezantuan si britanikë që punojnë për televizionin britanik Channel 4 TV, e shpërfillën këtë kërkesë dhe vazhduan punën derisa erdhi policia shqiptare dhe i shoqëroi për në rajonin e policisë.

Në rajon, u bë e qartë se njëri prej këtyre tre individëve kishte një kartelë shtypi britanike nga ITN e Britanisë ITN, që kishte skaduar në mars 2018. Dy të tjerët, të cilët ishin paraqitur në mënyrë të rreme si britanikë, refuzuan të jepnin një kartë identiteti, dhe më pas u zbulua që ishin shqiptarë. Këta të dy kishin bashkëpunuar më përpara me disa mercenarë të regjimit iranian për të përgatitur një tjetër program televiziv kundër PMOI-MEK...”, thuhet në reagimin e muxhahedinëve. (*Shënim- Këtë pjesë të deklaratës së muxhahedinëve ku akuzohet rëndë pa fakte një koleg gazetar e kemi fshirë).

Ata shprehen gjithashtu se “ditën tjetër, lajmi i vizitës së tyre në vendbanimin e PMOI dhe fotografitë e bëra atje u shfaqën në faqen e Facebook-ut të Massoud Khodabandeh, një agjent famëkeq i Ministrisë së Inteligjencës së regjimit iranian (MOIS), si dhe në faqen e internetit Iran-Interlink që drejtohet nga MOIS. Kështu, u bë e qartë se ky ekip audio-vizual nga Channel 4 është në komunikim aktiv me këtë agjent inteligjence të regjimit iranian dhe ka marrë detyrën për të përgatitur një program për të denigruar PMOI. Por kur MOIS e kuptoi se publikimi i lajmit dhe fotove e kishte njollosur komplotin e saj kundër Muxhahedinëve, dha urdhër që ato të hiqen më 12 gusht”.

 

Të fundit