Flash News

KRYESORE

Inflacioni në Venezuelë arrin në 1 milion përqind. Maduro: “Kemi dështuar, por qurravitjet duhet të mbarojnë.” Kolumbia kërkon ndryshimin e sistemit

Inflacioni në Venezuelë arrin në 1 milion përqind. Maduro:

Presidenti venezuelas, Nicolas Maduro pranoi dështimin e modelit prodhues që qeveria e tij aplikoi në Venezuelë, vend që përballet me një hiper inflacion dhe katër vite recesion.

“Modelet prodhuese që kemi testuar deri tani ishin një dështim dhe kjo është përgjegjësia jonë, e imja, e jotja”, deklaroi presidenti venezuelas gjatë një kongresi të formacionit në pushtet, Partia Socialiste e Bashkuar e Venezuelës (PSUV).

“Qurravitjet duhet të përfundojnë! (…) Ne duhet të prodhojmë me apo pa agresionin, me apo pa bllokazh, ta bëjmë Venezuelën një fuqi ekonomike (…) Nuk ka më ankesa, ajo që dua janë zgjidhje, shokë!”, theksoi Maduro.

Qeveria venezuelase ka shtetëzuar sektorë të tërë të ekonomisë, si çimentoja dhe çeliku, ka larguar qindra sipërmarrje dhe kohët e fundit i ka bërë thirrje ushtrisë që të kontrollojë tregjet bashkiake për të mbajtur nën kontroll rritjen e çmimeve.

Inflacioni mund të arrijë 1 000 000% këtë vit, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë që PBB-ja (Prodhimi i Brendshëm Bruto) do të bier me 18%.

Banorët e Venezuelës po përballen prej kohësh me një zi buke, ndërkohë që në rrjetet sociale publikohen çdo ditë video që tregojnë se si në kryeqytet ushqehen duke gjuajtur zogj apo kafshë në rrugë.

Presioni mbi qeverinë në Karakas është duke u shtuar edhe nga shtetet fqinje. Presidenti ende në detyrë i Kolumbisë, Juan Manuel Santos vlerësoi se rënia e qeverisë venezuelase të Nicolas Maduro është shumë e afërt pavarësisht shtypjes që po ushtron mbi popullsinë.

“Ajo është afër, mendoj unë. Në një vend me inflacionin që po përballet Venezuela, një milion për qind deri në fund të vitit 2018, sipas FMN-së, regjimi do të shëmbej”, deklaroi Santos në një intervistë të dhënë dje në mbrëmje në selinë e qeverisë.

Santos tha se shpreson që Maduro të largohet në mënyrë paqësore nga pushteti, duke mos përjashtuar edhe shpërthimin e dhunës.

Pak javë më parë, mediat amerikane publikuan disa informacione nga ‘Shtëpia e Bardhë’ ku presidenti Donald Trump kërkonte nga këshilltarët e tij të merrnin në konsideratë një sulm ushtarak ndaj Venezueslës.

Të fundit