Flash News

KRYESORE

Intervista/ Gazmend Kapllani: Problemet e gazetarisë shqiptare, nga pavarësia te shkolla

Sikur të hidhnit një vështrim retrospektiv në këta tridhjetë vjet të tranzicionit postkomunist, cilat do të renditnit si arritjet dhe dështimet më të qenësishme të medias shqiptare? Unë në fakt pjesën më të madhe të veprimtarisë sime si gazetar e kam patur në Greqi. Isha editorialist me dy rubrika javore në të përditshmen më të njohur greke TA NEA. Në atë gazetë kam futur për herë të parë reportazhin e historisë vetjake (ajo që në anglisht njihet si “oral history”) pa ndërmjetësimin e gazetarit. Në shtypin shqiptar mandej kam patur rubrika javore në disa gazeta shqiptare – si Shekulli, Standard etj. - dhe kam bërë atë që quhet gazetari letrare.  Në Greqi dhe Shqipëri në stilin e shkrimit dhe rolin e gazetarit kam qenë i ndikuar nga gazetaria politike e George Orwell dhe shkolla Amerikane e New Journalism.  Mandej, kur bëra tezën e doktoraturës mbi imazhin e shqiptarëve në shtypin grek dhe grekëve në shtypin shqiptar jam marrë më seriozisht me shtypin dhe mediat shqiptare në tranzicion.  Kur flasim për mediat, jo vetëm në Shqipëri, duhet të kemi parasysh traditën nga e cila vijnë. Mediat tona, mund të themi me bindje të plotë, nga themelimi i shtetit shqiptar dhe deri në vitin 1990 nuk kanë patur kurrë mundësinë të ekzisojnë në një vend ku ekzistonte liria e fjalës. Sigurisht, nuk mund të krahasohet kontrolli autoritar i medias nga qeveria e Zogut me periudhën distopike të totalitarizmit. Në Amerikë, kur unë jap mësim romanin “1984” të Orwell-it, e nis duke u thënë studentëve që gjithçka që shkruhet këtu është e vërtetë dhe unë e kam përjetuar. Pasi nisin lexojnë, ka studentë që më thonë: “sigurisht, bëni shaka kur thoni që keni jetuar diçka të tillë. Kjo është fantazi distopike”. Për ata është, për ne jo. Nuk mund të flitet për gazetari për 45 vjet në Shqipëri. Ashtu siç nuk mund të flitet për muzikë bashkohore ose kinematografi bashkohore, fatkeqësisht. Nuk dua të them që s’kishte njerëz që dinin të shkruanin (ashtu siç kishte edhe këngëtarë me zë të shkëlqyer dhe aktorë shumë të talentuar). Por, kjo ka të bëjë me burokracinë e medias, jo me thelbin e saj. Gazetaria nuk ekziston në kushtet e totalitarizmit total, siç ishte ai shqiptar. Nuk mund të krahasohemi, me pak fjalë, as me vendet e tjera të bllokut socialist. P.sh. në Poloni Gazeta Wyborcza që drejtoi Adam Michnik, në 1989 mblodhi të gjithë intelektualët disidentë sepse ata ekzistonin. Në Shqipëri nuk ekzistonin intelektualë disidentë. Ekzistonin intelektualë të persekutuar, që rezistonin ndoshta mes heshtjes së tyre, por nuk kishte disidentë as rrjete të nëndheshme intelektualësh apo disidentësh. Totalitarizmi i Enver Hoxhës në shkatërrimin e plotë të çdo qelize lirie ishte nga tiranitë më të suksesshme komuniste në botë. Nga kjo pikëpamje, mund të krahasohet vetëm me çmendinën e Koresë së Veriut.  Pra, mediat shqiptare duhen parë nga kjo pikëpamje.  Sukses i madh, sipas meje, është fakti që brenda 10-20 vjetësh në Shqipëri u formua një realitet mediatik me ndikim të rëndësishëm. Kam përshtypjen që në momentin që arriti kulmin “mbërriti” kriza globale e medias, e cila te ne, ku çdo gjë është e brishtë, pati ndikim të madh. Nga pikëpamja e arkitekturës mediatike, mediat shqiptare do t’i krahasoja me arkitekturën e qyteteve tona pas rënies së komunizmit. Ndërtime të shumta, vend dhe pa vend, pa plan dhe me themele të dyshimta. Nga dështimet më të mëdha do thosha është fakti që nuk zhvilluam kurrë një shkollë Gazetarie që të hedhë rrënjë, as reportazhin investigativ serioz, as mendimin me të vërtetë kritik dhe të pavarur në media nuk e zhvilluam. Gazetaria është art më vete dhe serioz, por ende jo në Shqipëri. Nga ana tjetër, besoj se s’ka në Shqipëri asnjë lloj media me të vërtetë të pavarur. Nuk e kam fjalën për ideologjinë që përkrahin mediat. Mund të jesh i angazhuar politikisht dhe të mbetesh i pavarur në mendim. Por, përvoja ime personale është që mediat në Shqipëri, kur nuk përdoren si mjete negociatash me pushtetin, përdoren nga pronarët e tyre siç përdor një trajner skuadre futbolli ekipin e tij. Por, mediat nuk janë futboll. Janë një funksion shumë themelor i shoqërisë demokratike. Nuk është e rastësishme se kriza e mediave përkon me krizën e rëndë të demokracisë në shkallë botërore.  Si mendoni se është perceptimi i publikut për median në përgjithësi dhe figurën e gazetarit në veçanti? Cilët gjykoni si elementët e duhur që mund të përmirësojnë këtë imazh? Si e gjykoni besueshmërinë e medias sonë sot?  Në Shqipëri besoj se fjala “gazetar” ka ende një lloj tingulli magjik. Nuk e kam kuptuar se nga vjen një autoritet dhe respekt i tillë. Ndoshta nga perceptimi se dikush që ka aftësinë të bëjë publike mendimet e tij ka një lloj fuqie dhe mundësie që e kanë shumë pak. Gjithashtu, “gazetari” i shtypit besoj se trajtohet më shumë si intelektual nga publiku, në krahasim me “gazetarin” e televizionit që trajtohet më shumë si peshkatar sensacionesh. Ajo që ka dëmtuar figurën e gazetarit është që lexuesi apo shikuesi kupton që në fillim se “filani” apo “filanja” i shërbejnë këtij politikani apo kësaj force politike. Jo janë me këtë apo atë, por i shërbejnë.  Sigurisht, nuk përmirësohet media duke e etiketuar si “kazan”, siç bën kryeministri i tanishëm. Sigurisht, i thotë “kazan” asaj pjese të medias që nuk kontrollon, ose nuk ka blerë ende. I intereson pushtetarëve që media të jetë “kazan” në fakt, sepse kjo do të thotë që nuk ushtron dot kontroll. Një gazetar i ndërgjegjshëm e di që nuk ka pushtet të mirë apo të keq. Ka kontroll të mirë apo të keq të pushtetit. Pushteti ka të njëjtat tendenca në çdo vend të botës: do të bëhet i pakontrollueshëm, të bëjë çfarë të dojë, të vjedhë sa të dojë, të gënjejë si të dojë dhe kur të dojë. Pra, mediat do përmirësohen kur do dinë të kontrollojnë pushtetin – por jo vetëm kur i urdhëron pronari ta bëjnë. Mediat kanë nevojë për një punë serioze me gazetarët, që nga përgatitja profesionale, deri te pavarësia e mendimit. Besueshmërinë e medias do ta masja me kushtet nën të cilat punojnë gazetarët në Shqipëri. Në ç’kushte punojnë?  Përveç kësaj mediat kanë një funksion kulturor të rëndësishëm. Edhe këtu, fatkeqësisht, për shkak të mungesës dhe pamjaftueshmërisë serioze të strukturave si Universiteti, shoqërise civile, grupeve të leximit, kulturës së leximit, organizatave dhe qendrave kulturore serioze, ka një prirje që të kthehen, sidomos TV-të në Shqipëri, në një lloj “Këshilli Kardinalësh”. Herë pas here takoj intelektualë apo historianë në Shqipëri që më thonë “sonte do shkoj te filani në TV të diskutoj këtë apo atë temë”. Personalisht, më kap trishtimi kur ngatërrohet talk show me trajtimin e historisë, për shembull... Në fund do ta përqasim historinë si talk shoë apo thjesht si show...  Si e gjykoni ecurinë e lirisë së shprehjes dhe të medias gjatë këtyre tridhjetë vjetëve tranzicion dhe në ç’nivele gjendet aktualisht? A mendoni se gazetarët, redaktorët dhe kryeredaktorët i marrin vendimet në punën e tyre të përditshme mbi bazën e ndërgjegjes profesionale? Në lirinë e shprehjes, sigurisht, ka progres të madh nëse mendohet që vijmë nga mungesa totale e lirisë. Por, kjo nuk mjafton më. Strukturat e pushtetit post-komunist janë ende shumë autoritare dhe kanë pak tolerancë për lirinë e fjalës. Meqë shumë prej pushtetarëve tanë vijnë nga bota komuniste ose kanë trashëguar atë mentalitet, e shohin median si “inxhinjere të mendjeve” të njerëzve dhe propagandë. Nga kjo pikëpamje mundohen t’i kontrollojnë mediat. Nga përvoja ime në Shqipëri ka kryeredaktorë të aftë, por në fund të ditës duhet të japin llogari te pronari, i cili duhet të japë llogari te pushtetari i radhës, përse bënë këtë zgjedhje, dhe jo një tjetër. Do të thosha se mediat në Shqipëri janë në një gjendje ku mund të themi se do donin të ishin të lira, por nuk janë me të vërtetë.  Sot po përjetojmë nga njëra anë një krizë të medias, por njëherësh edhe një revolucion të saj. Në ç’raport mendoni se janë mediat tradicionale dhe mediat e reja në vendin tonë, dhe cili është ndikimi i këtyre të fundit? Sigurisht, zhvillimet e mediave në shkallë botërore ndikojnë edhe në vendin tonë. Kriza e mediave tradicionale është e jashtëzakonshme. Në fakt, po shkojmë drejt zhdukjes së gazetës së shtypur. Po ta mendosh se gazeta e shtypur ishte një lloj “shkolle” e përditshme e qytetarit që jetonte në demokraci  - Hegeli thoshte se gazeta ka zëvendësuar lutjen e mëngjesit - mund të kuptosh se çfarë mund të sjellë diçka e tillë. Kalimi i gazetave online nuk ka qenë aq i suksesshëm nga ana ekonomike dhe e lexuesve. U është dashur të tkurren aq shumë saqë ka nisur të humbasë në mënyrë shqetësuese cilësia dhe thellësia e punës së gazetarit. Personalisht nuk lexoj pothuajse fare më gazeta të përditshme. Lexoj revista javore dhe mujore kulturore dhe politike. Besoj se roli i medias së shkruajtur nuk është më te nxjerrja e lajmit. Gërma e ka humbur betejen me imazhin. Sfida e shtypit është të kuptojë ngjarjet, t’i interpretojë, t’i hulumtojë, t’i sfidojë, të shkojë thellë, nën sipërfaqen sensacionale të “lajmit në çastin që ndodh” që bën shpesh TV-ja apo kultura e Facebook-ut.  Në Shqipëri nuk e shoh të ndodhë diçka e tillë. Përkundrazi po shtohen mediat sensacionale që i ngjajnë kulturës së Facebook-ut. Të paktën kështu më duket mua, ndoshta e kam gabim... Gazetaria duket se po kalon në një periudhe krize kudo në botë. Media e pavarur has vështirësi të mbijetojë në një treg ku mbizotëron sensacionalizmi, klientelizmi politik, dhe lajmet e rreme. Si e shihni të ardhmen për gazetarinë e pavarur në vitet në vijim? Jeni optimist apo pesimist?  Nuk e di. Mediat, sigurisht, nuk ekzistojnë në një vakuum. Janë pjesë e zhvillimeve të shoqërive tona dhe unë besoj se historia e njerëzimit është ngaherë e paparashikueshme dhe rezervon habi të këndshme dhe mizore bashkë. Por, sigurisht, media, sidomos ajo e shtypur, po kalon një krizë të paparë. E ashtuquajtura kultura e informacionit online ka sjellë më shumë fanatizëm dhe shpërthimin e teorive të komplotit se sa informacion.  Nuk di nëse është rastësi, por kolapsi i kulturës së leximit të gazetës përkon me një ngritje të cinizmit moral, të përçmimit të fakteve, të mospërfilljes për ndryshimin mes gënjeshtrës dhe faktit, dhe me një lloj urie për “lajmin e çastit” si një lloj adrenaline. Trajtimi i realitetit që jetojmë si shoë personalisht më tremb. Të shohim çfarë lloj sfidash të tjera do dalin gjatë dhe pas pandemisë. Jetojmë në shoqëri të fragmentuara dhe të polarizuara çdo ditë e më shumë dhe besoj se përgjigjia për të ardhmen e mediave nuk është as ekonomike, as teknologjike. Eshtë mbi të gjitha politike... Nuk dua pastaj të mendoj skenarët që thonë se gazetat dhe lajmet në të ardhmen të “prodhohen” nga inteligjenca artificiale që do percjellin lajme duke i filtruar me “fast check”. Çfare lloj bote mund të jetë atëherë? Media online dhe rrjetet sociale pa dyshim kanë sjellë një revolucion në aspektin e marrëdhënies që krijohet me publikun dhe komunikimin në përgjithësi. Si mendoni se ka ndikuar kjo dukuri në cilësinë dhe profesionalizmin e informacionit? Po gazetaria, si mendoni se po përshtatet me këtë? Eshtë e vërtetë që rrjetet sociale sollën një lloj revolucioni të ri “protestant” në informacion. Një lloj Lutheri online, me pak fjalë. Sfiduan autoritetin e mediave qendrore dhe i dhanë mundësinë e bashkëveprimit të menjëhershëm individëve. Kjo e bën botën tonë më transparente. Por unë jam skeptik kundrejt glorifikimit të kulturës së rrjeteve sociale, ashtu siç jam edhe kundër demonizimit të tyre. Ne nuk duhet të harrojmë se natyra e njeriut dhe e politikës, pavarësisht ndryshimeve teknologjike, nuk ka ndryshuar edhe aq shumë. Revolucioni online është edhe ai një utopi dhe unë utopitë individuale i përkrah sepse vetëm ti ke përgjegjësine për vendimet e tua, por utopitë kolektive i kam frikë. Civilizim do të thotë ndërtimi në mënyrë demokratike i “filtrave”, ashtu si edhe demokraci perëndimore do të thotë ndarje e pushteteve. Degradimi i mediave po shoqërohet me zhdukjen e këtyre “filtrave” që na bëjnë të kuptojmë ndryshimin mes rrenës dhe të vërtetës, teorive paranojake të komplotit dhe realitetit të ndërlikuar njerëzor. Ndoshta ato “filtra” ishin të vjetra, por duhen rindërtuar. Kjo është sfida e medias sot.   Si mendoni se ka evoluar marrëdhënia ndërmjet medias dhe politikës ndër vite? Si e shihni zhvillimin e këtij raporti në të ardhmen? Gazetaria profesioniste kudo në botë është në gjendje të vështirë edhe për një arsye madhore: ka ndryshuar modeli tradicional i biznesit, me hyrjen në lojë të internetit, medias online dhe rrjeteve sociale. Po në Shqipëri si e shihni këtë problem, dhe a shihni një model biznesi që është në gjendje të mbështesë një gazetari të pavarur, në interes të publikut? Atë që shoh unë në Shqipëri është zhdukja e “filtrave”, edhe atyre pak që ekzistonin. Ne kemi një popull të varfër, me Universitete në gjendje të mjerueshme, me shoqëri civile shumë të brishtë, një vend pa Librari në fakt, pa kulturë leximi. Zhdukja e gazetës së shtypur e thellon krizën e leximit serioz. Pasoja e kësaj kulture interneti për një shoqëri si e jona do të thotë më shumë çoroditje dhe më shumë manipulim nga ana e pushtetit. Eshtë iluzion fakti që kultura e internetit rrit kontrollin e pushtetit nga individë anonimë. Pushteti ka shumë marifete që ta kthejë internetin në favor të tij. Individi anonim nuk ka pothuajse asgjë veç iluzionet dhe lëkurën e tij të lirë...  Një nga fushat ku gjërat kanë ndryshuar më pak gjatë këtyre tridhjetë vjetëve tranzicioni postkomunist kanë qenë marrëdhëniet e punës në media. Cilat do të renditnit si problematikat më të mprehta në këtë fushë dhe si e shihni perspektivën? Si do ta shihnit qasjen e medias ndaj problematikës së korrupsionit në vend dhe a gjykoni se gazetaria investigative mund të bëjë më shumë në këtë drejtim?  Kam përshtypjen që nuk ka gazetari investigative në kuptimin e vërtetë të fjalës në Shqipëri. Gazetar investigativ nuk lind, bëhesh. Por, si do bëhesh pa traditë dhe një shkollë gazetarie? Ku do bëhesh kur korrupsioni që hulumton shpesh është i lidhur me median ku punon? Shqipëria, siç kam thënë, nuk ka nevojë për një revolucion mediatik, por pikë së pari për një revolucion moral, kundër cinizmit moral që po e bren këtë vend si kanceri organizmin e njeriut...

*Artikujt dhe intervistat e mësipërme janë pjesë e serisë së refleksioneve rreth rolit të medias në tri dekadat e tranzicionit postkomunist, një projekt i Politiko.al në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikes Çeke.

Pikëpamjet e shprehura janë të autorëve dhe nuk reflektojnë, domosdoshmërisht, pikëpamjet e donatorit apo partnerit të Projektit. Çdo portal/gazetë që do të ripublikojë këto materiale duhet t'i referohet burimit fillestar.     https://politiko.al/agron-gjerkmarkaj-dekulturimi-i-gazetave-ne-tranzicion/ https://politiko.al/bashkim-shehu-nga-leximi-i-rd-gjysmefshehtazi-te-titujt-bombastike-te-sotshem-media-postkomuniste-ne-shqiperi/      

Të fundit