Flash News

KRYESORE

Intervista/ Henri Levy për virusin, izolimin dhe rolin e Amerikës, BE dhe Kinës: Nuk ndihem rehat me retorikën e ‘luftës’

Intervista/ Henri Levy për virusin, izolimin dhe rolin e Amerikës, BE

Një miliard njerëz tani janë shpirtërisht të bashkuar duke jetuar në karantinë dhe u duhet të përballen me ndjesinë paralajmëruese se një pandemi mund të rikthejë vuajtjet e urisë, luftës dhe vdekjes. Çfarë kure do të sugjeronit për këtë gjendje kolektive të mendjes së izoluar?

A jeni i sigurt se ata janë shpirtërisht të bashkuar? A nuk janë ata, përkundrazi, plotësisht të izoluar, të shkëputur nga njëri-tjetri dhe duke e konsideruar çdo fqinj si një kërcënim të mundshëm? Sigurisht që ka solidaritet. Sigurisht që janë këta mjekë dhe infermierë të mrekullueshëm që e vënë jetën e tyre në rrezik për të mbrojtur tonën. Por, sa i përket pjesës tjetër, ne nuk e di… Një “izolim i bashkuar” është një oksimoron i vërtetë! Dhe "i bashkuar në karantinë" më duket paradoksale dhe absurde! Nuk po them se nuk është e nevojshme. Unë nuk jam ekspert, nuk jam mjek, dhe besoj ekspertët dhe mjekët kur thonë se është e nevojshme dhe se duhet ta pranojmë këtë distancim të ri shoqëror. Por le të mos i përzihemi shkencës dhe politikës. Unë ua lë mjekësinë mjekëve, por kam njëfarë common sense-i- dhe nuk pranoj iluzionin e të pretenduarit se "distancimi shoqëror" mund të thotë dhe të jetë një "vëllazëri" ...

Gjashtë muaj më parë në një debat publik në Greqi ju keni sulmuar me vendosmëri Steve Bannon për nacionalizmin dhe nativizimin e tij. Në "The Empire and the five kings’ju paralajmëruat për një tërheqje të ShBA nga bota. A ka kontribuar kjo tërheqje në përgjigjen tonë të dobët, të vonuar, vetë-dëmtuese ndaj pandemisë? A ka çuar "murtaja e populizmit" (për të përdorur një nga frazat e tua) te kjo murtajë?

Një murtajë është një murtajë. Eshtë një fenomen natyror. Unë me të vërtetë dua të them "natyror" – gjë e cila, meqë ra fjala, mund t’i bëjë pak më modestë ekologjistët dhe ekspertët e tjerë të ndryshimeve klimaterike që fajësojnë "njeriun", ose "civilizimin" ose "teknicitetin". Nuk ka asnjë lidhje me tërheqjen e askujt. Dhe, kur flasim për këtë murtajë, patjetër që duhet të shpëtojmë nga kjo mënyrë e të menduarit moral dhe ndëshkues. Pasë thënë këtë unë do të shtoj dy pika. Së pari: Një nga arsyet pse përhapet virusi është politika, jo e Amerikës, por e Kinës; është qeveria kineze që gënjeu, ndëshkoi ata që folën, censuroi gazetarët që donin të paralajmëronin botën dhe të anagzhonin opinionin publik etj. E dyta: Një nga arsyet pse murtaja është kaq e dhunshme është fakti që të gjitha demokracitë tona kanë sakrifikuar sistemet e kujdesit shëndetësor publik për dekada. Arianna Huffington publikoi një libër disa vjet më parë në lidhje me shembjen e infrastrukturave amerikane, përfshirë spitalet. Ajo kishte të drejtë. Kur shoh pamjet drithëruese të Nju Jorkut, kur marr lajme për miqtë e mi amerikanë që shkojnë në supermarket me frikë në zemër, kur shoh se vendi më i fuqishëm i të gjitha kohërave në tokë nuk ka as mundësinë të nderojë siç duhet duke varrosur të vdekurit e vet, zemra ime lëngon, po; por edhe unë nuk mund të mos mendoj, se ka diçka që nuk shkon në shtetin e George Washington-it, Abraham Lincoln-it dhe John Fitzgerald Kennedy-t. Dhe kjo, mjerisht, vjen nga shumë kohë më parë! Nuk është vetëm një evolucion i fundit! Dhe ka pak lidhje , mjerisht, me Trump, e kështu me radhë…

Demokracia perëndimore ka vështirësi në frymëmarrje. A është koronavirusi "Mbreti i Gjashtë"? A është ky "Mbreti" edhe më i rrezikshëm se sa kërcënimi sovjetik? Nëse kontrolli shoqëror dhe të drejtat e kufizuara janë të domosdoshme për të përballuar pandemitë, a është Kina gati të eksportojë në Perëndim, krahas ventilatorëve të saj shumë të nevojshëm, sistemit e saj ‘të regjistruar’ të qeverisjes bazuar në mbizotërimin e kolektivit mbi individin?

Jo, jo dhe jo. Padyshim jo një “mbret”; asnjë "vullnet" i asnjë lloji; dhe kjo është arsyeja pse, meqë ra fjala, unë nuk ndihem aspak rehat me retorikën e "luftës". Koronavirus nuk është një "armik"; është thjesht një virus i trashë pa tru që, herët a vonë, do të zhduket nga një vaksinë. E dyta: Sigurisht jo një kërcënim sovjetik; nuk ka asnjë mënyrë për ta krahasuar këtë me ndonjë fuqi të së keqes, totalitare ose terroriste; dhe, përsëri, ne do t’ia dalim kundër kësaj sëmundje shumë më lehtë sesa kemi bërë kundër Bashkimit Sovjetik. Dhe e treta: Kina sigurisht do të eksportojë ventilatorë dhe maska; pa dyshim që ata do të rrahin gjoksin, dhe do të shfrytëzojnë rastin – ndaj ShBA dhe europianëve - në këtë situatë tragjike; por nuk mund ta imagjinoj eksportin e sistemit të tyre të qeverisjes! Për Greqinë (atdhe i demokracisë), për Francën (burim i Iluminizmit), për Amerikën (ende shoqëria më e madhe liberale në botë) do të ishte një humbje, fatkeqësi dhe poshtërsi.

Si një intelektual që është zhytur në fenomenologjinë e pushtetit, a u besoni njerëzve në pushtet që të marrin fuqi të posaçme pa efektin anësor të zhvillimit të një oreksi për kufizimin e të drejtave në çdo rast që u jepet? Nëse "viruset" e reja, të përmirësuara, dixhitale të mbikëqyrjes dhe kontrollit shoqëror, infektojnë dhe kolonizojnë "polisin", si munden qytetarët, të trembur dhe të pafuqishëm në rrethanat aktuale, të luftojnë përsëri dhe të rimarrin të drejtat e tyre themelore?

Problemi i vërtetë është frika, keni të drejtë. Sigurisht që frika është normale. Sigurisht që të gjithë kemi miq dhe të afërm që janë goditur nga virusi. Por frika iracionale nuk duhet të jetë përgjigja. Irracionale do të thotë që të pranojmë çdo zgjidhje. Irracionale do të thotë të jesh i gatshëm të sakrifikosh të gjitha të drejtat në mënyrë që të shpëtojmë iluzionin e një garancie për të mos vdekur. Irracionale do të thotë të konsiderosh që asgjë nuk ka rëndësi, asgjë nuk ka vlerë, përveç frymëmarrjes. Kjo është ajo që Alexandre Kojeve, komentatori i shkëlqyer i Hegel-it, e quajti ‘jeta e kafshëve’, në fund të Historisë, në krahasim me jetën e vërtetë njerëzore në Historinë reale. Kjo është ajo që ju grekët nënkuptuat kur kundërshtuat "euzein" (jeta e mirë, jeta organike e përzier me vlera, etikë etj) dhe "zein", faktin e asgjë më shumë se të jetuarit, si bimë ose peshk. Por, përsëri, le të jemi të kujdesshëm. Nuk do të them, siç bëni ju, "njerëz në pushtet". Unë nuk do t'i fusja të gjithë në të njëjtin thes. Keni ata si Viktor Orban në Hungari, i cili e shfrytëzon qartësisht mundësinë për të përparuar agjendën e vet joliberale. Dhe keni të tjerë, në Francë, në Mbretërinë e Bashkuar, e gjetkë, të cilët me siguri nuk kanë të njëjtin qëllim: të drejtat dhe liritë që ata pezullojnë tani, ne do t'i kthejmë sërish nëse dëshirojmë.

Pushteti u heq qytetarëve të drejtat themelorenë mënyrë që të luftojë sëmundjen. Pastaj ata privohen nga të drejtat ekonomike, pasi beteja kundër sëmundjes çon në shkatërrim të kapitalit. Nëse "murtaja e populizmit" do të na çonte në murtajë të vërtetë, a do të na çonte murtaja e vërtetë në më shumë pabarazi dhe madje edhe më shumë populizëm? Si do ta prishim këtë cikël të mbrapshtë?

Për momentin, ia kemi dalë. Shumica e shteteve u sollën siç duhet, me zgjuarësi dhe madje edhe me guxim, duke shmangur gabimet e mëdha të vitit 1929. Bankat qendrore luajtën rolin e tyre. Edhe institucionet ndërkombëtare. Dhe sindikatat - dua të them punëtorët - luajtën gjithashtu lojën. Tani, shtetet nuk do të jenë në gjendje të përhapin ‘paratë e helikopterit’ me kohë të gjata dhe pa kufi. Në një pikë, do të duhet të ndalen. Dhe ekonomia do të duhet të rifillojë. Si, pa rindërtuar ekonominë, sistemet e kujdesit shëndetësor do të rindërtohen, apo edhe të ndërtohen? Si, në një botë papunësie, duhet të shmangim një epidemi dëshpërimi? Kjo është pyetja tani - për të mos përmendur të mallkuarit e bokës, të cilët po dilnin nga pazhvillimi dhe tani mund të varrosen përsëri në një shkretëtirë mjerimi, urie dhe… murtaja të tjera! Sapo jam kthyer nga Bangladeshi. Një vend shumë i dashur për mua, që kur isha atje, 49 vjet më parë, me luftëtarët e tyre të lirisë, gjatë Luftës së tyre çlirimtare. Kaq shumë plagë po shkatërrojnë vendin. Duke filluar nga murtaja e varfërisë dhe ndryshimit të klimës ...

Franca, Greqia, Italia, Spanja dhe vendet e tjera po kërkojnë solidaritet të financuar me Eurobonde nga Berlini. Por kjo është si t’i kërkosh taksapaguesit gjerman të nxjerrë nga halli pjesën tjetër të Europës pa gjë në këmbim. A do t’i shtonte kjo më tej perspektivat e së djathtës ekstreme gjermane anti-BE? A është kërkesa e Eurobondit  moralishte balancuar për të rindërtuar imperativën morale të një Europe më të Bashkuar?

Unë jam i sigurt vetëm për një gjë për momentin. Faleminderit Zotit që kemi Europën! Pa të, pa solidaritetin minimal që ofron, pa Bankën Qendrore, pa mbështetjen e madhe financiare që vinte nga institucionet europiane, të gjithë do të ishim shembur! Nuk është bërë sa duhet, sigurisht. Sidomos me Italinë, me Greqinë, vendlindja tjetër e Europës - dhe ne nuk ia kujtojmë vetes aq sa duhet këtë fakt. Megjithatë, pak gjëra janë më idiote se slogani i ri: "kriza dëshmon domoshmërinë e kombeve dhe kufijve". Eshtë e kundërta: Ajo dëshmon domosdoshmërinë e Europës. Ose më mirë: domosdoshmëria e më shumë Europe.

Murtajat i paraprinë rënies së të mëdhenjve. Murtaja në Athinën e lashtë çoi në prishjen e Athinës. Murtaja e Justinianit kontribuoi në rënien e Bizantit. A dyshoni se është e pashmangshme që epoka e pandemive përfundimisht të çojë në një rend të ri botëror?

Nëse Perëndimi mbyllet brenda kufijve dhe barrikadave të tij, po. Rreziku i vërtetë, tani, është atje. Do të ishte si t’i thuash "lamtumirë botës". Do të thoshte t’ia linim të gjithë ndikimin tonë kulturor aktorëve si Kina apo dhe India. Dhe do të ishte mbyllja e derës. Nëse e shohim këtë murtajë si një pretekst të ri për tërheqje, atëherë, po, do të jetë një datë e madhe në historinë e gjatë të rënies sonë.

*Përkthimi nga faqja anglisht e gazetës greke ekatherimini: Politiko.al

 

Të fundit