Flash News

KRYESORE

Intervista/Kim Mehmeti: Maqedonia, një vend i drejtuar nga ‘minjtë’, që mendojnë se janë luanë

Intervista/Kim Mehmeti: Maqedonia, një vend i drejtuar nga

Një mike e përbashkët, me emër perëndeshe, na njohu. Ia kam pasë lexuar tregimet, dhe nëpër to ndërtova një stimë. Më pëlqente inkursioni i tij te rrënja e fjalëve. Për herë të parë e takova në Tiranë të enjten, një ditë gjithë diell, në një kafene në krah të Televizionit shqiptar. Ia kisha dërguar ndërkohë pyetjet për këtë intervistë, dhe biseda u soll rreth politikës, gjendjes në Maqedoni, Rrugës së Kombit, Berishës, Bashës, Ramës. Nuk e kam lejen t'i them të gjitha, po edhe po t'i thoja nuk mendoj se Kim Mehmeti do të nxehej. Kam përshtypjen se ai thotë gjithçka: hapur, pa frikë, me një vendosmëri që e kanë  edhe tregimet e tij. Siç e ka edhe kjo intervistë.

Alfred Lela

 

A është Maqedonia në krizë dhe a mund të shndërrohet kjo në një tension apo përplasje sociale dhe etnike?

Kim Mehmeti:  Maqedonia ka qenë dhe mbetet fyti i  ‘vullkanit’ të quajtur Ballkan dhe si e tillë,  ajo gjithmonë dridhet, dhe nëpër të, pandalë, dalin ‘llavat’ djegëse të historisë së këtyre hapësirave. Pastaj Maqedonia, me shumëçka dhe, për shumëçka, i ngjan një udhëkryqi të përkohshëm, të hapur vetëm sa të ketë nga të kalojnë karvanët e popujve të armiqësuar ballkanikw. Pra, çdo gjë në këtë shtet, ngjan si të ishte ngrehinë e muruar nga mosmarrëveshjet e popujve të Ballkanit, dhe si hapësirë e arnuar nga mbeturinat e shteteve fqinje. Andaj edhe ndodh që kur kolliten kryeqendrat e vendeve fqinje të Maqedonisë, apo edhe kur i kap gripi proceset rajonale, ky shtet të ketë nevojë për infuzion ndërkombëtar. Kështu që  edhe krizat me të cilat përballet Maqedonia, nuk mund të shihen as jashtë proceseve rajonale, as jashtë rrethanave sociale e ekonomike, por duke mos harruar se jo vetëm sot, por edhe në të kaluarën, problemet e shumta që nuk kanë asnjë lidhje me marrëdhëniet ndëretnike, Maqedonia i ka mbuluar me ‘rrezikun’ e trilluar shqiptar. Madje gjitha sukseset ndërkombëtare, Maqedonia i ka arritur duke e shpallur vetveten viktimë të këtij rreziku të trilluar, kështu që  shqiptarët gjithmonë  e kanë pasur rolin e fajtorit-kujdestar.

Kriza e sotme në Maqedoni është e veçantë, sepse nuk ka të bëjë me fatin e mëtejmë të shtetit, por me atë të kriminelëve të regjimit të deridjeshëm, DPMNE-BDI. Pra, sot, Maqedonia përballet me betejën që do vendosë nëse ajo do ia dalw ta shpëtojë vetveten, apo do shpëtojnë hajdutët që asaj ia harxhuan edhe ato pak atribute shtetëformuese që i kishte.  Si e tillë, kjo krizë është më e rrezikshmja se gjitha të deritanishmet, madje më e rrezikshme edhe se konflikti i 2001, ngaqë i ngërthen në vetvete ambiciet e fqinjëve, marrëdhëniet e tendosura ndëretnike, përplasjet sociale, dallgëzimet globale...., e që të gjitha së bashku, keqpërdoren nga politikanët kriminelë të ish regjimit DPMNE-BDI, të cilët e plaçkitën popullin e shtetin dhe të cilët tani verojnë sipas  parimit – fytyrën tonë të kriminelit mund ta mbulojë vetëm ndonjë tragjedi kolektive! Dhe politikanët e tillë veprojnë edhe sipas logjikës se, sa më keq e ka shteti e populli, aq më të padukshëm bëhen mëkatet e tyre! Kështu që në Maqedoninë e sotme zhvillohet beteja mes atyre që duan ta shpëtojnë shtetin dhe atyre që duan ta shpëtojnë vetveten nga burgu dhe ndëshkimi që u takon. Personalisht mendoj se janë në përparësi ata që duan ta zhbëjnë dhe ta mposhtin Maqedoninë!

A mund të mendoni si maqedonas për një çast dhe t’i kuptoni ata kur nuk e pranojnë statusin e shqipes si gjuhë institucionale?

Kim Mehmeti: Jam shkolluar dhe jam rritur me maqedonasit dhe, gjuhën maqedonase e njoh dhe e përdor pa pengesa, poaq sa edhe gjuhën time amtare. Dhe si i tillë, e kam kuptuar se gjuha maqedonase me të vërtet është e ‘rrezikuar’, por jo nga gjuha shqipe, po nga serbishtja dhe bullgarishtja, që janë gjuhë të ngjashme me maqedonasen dhe që i flasin popuj disamilionësh. Andaj edhe kurrë nuk e kuptova nga kjo frikë iracionale e qarqeve maqedonase nga gjuha shqipe, gjë që më çon të besoj se e tëra ka të bëjë me urrejtjen ndaj çdo gjëje shqiptare.  Doni dëshmi për këtë bindje timen! Ja për shembull, nëpër TV dhe radio kanalet e shumta private maqedonase, herë pas here, mund të dëgjosh  edhe këngë popullore në gjuhën turke, rome…por kurrë, dhe në asnjë rrethanë, jo edhe ndonjë këngë apo melodi në gjuhën shqipe.

Personalisht nuk kam asgjë kundër – përkundrazi e mirëkuptoj – afërsinë e maqedonasve  me popujt e tjerë sllavë, ngaqë e di se i takojnë të njëjtës vëllazërie etnike. Por nga ana tjetër, nuk mund ta pranoj që boshtin e vet kurrizor maqedonasit ta forcojnë nga urrejtja ndaj shqiptarëve.  Urrejtje e cila në Maqedoni është institucionalizuar dhe ke përshtypjen se në këtë vend më lehtë mund ta shfarosësh gripin, apo fruthin e fëmijëve, se sa antishqitarinë! Posaçërisht kur e sheh se thuajse çdo gjë në këtë shtet, është vënë në funksion të mbrojtjes së interesit maqedonas nga ‘rreziku shqiptar’.

Bindja ime se helmi antishqiptar ka depërtuar shumë thellë në tokën e Maqedonisë, më çon të besoj se mbase edhe nuk kanë lindur burrështetas që mund ta bëjnë Maqedoninë shtet dhe se për ta bërë atë shtet, duhet nisur çdo gjë nga e para.

Shqiptarët, më në fund, e kam fjalën për politikanët, janë bërë bashkë dhe janë strehuar te një platformë e përbashkët dhe përbashkuese. Si ndodhi kjo, dhe pse kaq vonë?

Kim Mehmeti:  Partitë e shqiptarëve të Maqedonisë deri më tani janë sjellë si bakallxhinjët, që nuk e durojnë konkurencën e njëri-tjetrit në tregun ku shiten interesat e popullit. Andaj edhe të krijohet bindja se, jo partive maqedonase, por atyre shqiptare, më së shumti u shkon për shtati moszgjidhja e kërkesave shqiptare, ngaqë nëse ato do zgjidheshin, politikanët injorantë e hajdutë shqiptarë, nuk do kishin çka t'i ‘shisnin’ palës maqedonase. Prandaj, vlerësoj se partitë e sotme shqiptare nuk i bëri bashkë interesi i shqiptarëve të këtushëm, por dobësimi i tyre dhe frika e elitave partiake se do i humbitnin privilegjet e përfitimet që kishin.

Doni dëshmi për këtë, që e thashë më e lartë?  Ish lideri historik i RDK-së, në vitin 2011 u bëri thirrje liderëve të atëhershëm shqiptarë, ndër ta edhe atij të BDI-së, që pas zgjedhjeve t’i bashkonin mandatet për të zgjidhur disa çështja të shqiptarëve në Maqedoni, por çuditërisht asokohe një gjë të tillë nuk e pranoi kryetari i sotëm i BDI’së, të cilit kohëve të fundit i shkrumbon goja nga thirrjet për t'u bashkuar partitë shqiptare!?

Shkurt e shqip, partitë shqiptare sot i bashkoi e vërteta se janë më të dobëta se populli!  BDI-ja e deridjeshme, as që ia varte zërit të popullit, dhe më të rëndësishëm e kishte ‘bashkimin’ pa kushte me VMRO-DPMNE-në, se me partitë shqiptare, sepse kishte njëzet deputetë, sepse e kishte barazuar interesin partiak me atë të popullit, sepse shqiptarët e këtushëm i ndjente si argatë të punësuar në kompaninë  e quajtur BDI, e pronarë të së cilës ishin drejtuesit e saj. Por tani, kur u përgjysmua dhe ra në dhjetë deputetë, kur u përball me humbjen e paimagjinueshme, drejtuesit  e saj ngutshëm alarmuan Tiranën e Prishtinën duke kërkuar ndihmë për ta ruajtur statusin që nuk e kanë: të jenë lokomotivë e politikës shqiptare në Maqedoni!

E kam thënë para shumë vitesh atë që u dëshmua në zgjedhjet e fundit në Maqedoni:  shtetet ku demokracia ndërtohet sipas parimit se forca e popullit dhe e shtetit varet nga fuqia e partisë në pushtet, (gjë që ndodh edhe në Shqipëri e Kosovë), edhe institucionet e shtetit vihen në shërbim të mirëmbajtjes së partisë, e jo të shtetit dhe popullit. Dhe në ato shtete, ndodh ajo që është duke ndodhur: sa më e fort është partia që drejton vendin, aq më i dobët është shteti e populli në të dhe, partisë fituese i takojnë të gjitha, e tjerëve asgjë.

Andaj mendoj se për vendet si tonat, ku nuk ke demokraci por demokraturë, partitë e forta janë shkatërrimtare, ato nuk lindin demokratë, por hajdutë e diktatorë dhe liderët e tyre partiakë, sa më gjatë e sundojnë popullin dhe shtetin, aq më shumë e humbin pushtetin mbi hajdutin dhe diktatorin në vetvete. Parë nga ky këndvështrim, edhe BDI-ja prodhoi drejtues të cilëve u dukej pak të merren me ‘çikrrima’, siç janë të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë, prandaj filluan të merren me zgjidhjen e problemeve rajonale e globale. Dhe tani, kur e panë se pa popullin nuk vlejnë gjë, se pa votën e popullit mbeten atë që meritojnë të jenë – barinj në fshatrat e tyre - ata iu kthyen popullit. Dhe për këtë ‘vetëdijesim’ kaq të ngutshëm të injorantëve mendjemëdhenj të BDI-së, më meritore është Lëvizja BESA, që solli një frymë të re politike, një mendësi të re politike, që mbështetet mbi të vërtetën se individët me vlera dhe të aftë e bëjnë partinë, e jo partia njerëz të vlefshëm.

A nuk ju duket se pranimi i shqipes si 'gjuhë e Maqedonisë', do të binte ndesh me të gjithë përpjekjen e qeverisë së Gruevskit për të instaluar një ‘Maqedoni të lavdishme’, pasqyruar kjo edhe në stilin neoklasik dhe grandioz të ndërtesave dhe shtatoreve që kanë ‘mbipopulluar’ Shkupin?

Kim Mehmeti: Maqedoninë e sotme janë duke e rrënuar ndërtuesit e së kaluarës së saj të munguar!  Andaj ajo i ngjan një zonje që të gjitha i ka artificiale dhe të silikonta. Pra, i ngjan një zonje që ka bërë ndërhyrje të shumta kirurgjike, por në vend që të duket më e bukur, është bërë si karikaturë e vetvetes!  Mjafton ta shohësh sheshin e  Shkupit, apo luanët përpara godinës së qeverisë së Maqedonisë, që ta kuptosh se çka ndodh me një vend që e drejtojnë  ‘minjtë’ që mendojnë se janë luanë!

Për fatin tonë të keq, Maqedonia pakthyeshëm është katandisur rrugës së shfytyrimit të saj, ku ndërhyrjet “estetike” kanë për qëllim t’i shlyejnë të gjitha gjurmët shqiptare në ‘fytyrën’ e këtij shteti shumë-etnik. Pra, qëllimi është që në Maqedoni edhe qielli, edhe ajri edhe toka, të kenë vetëm dy shenja njohëse: atë sllave dhe atë ortodokse. Shkurt e shqip, Maqedoninë e drejtojnë idiotë që nuk e kanë kuptuar më universalen: se qielli, ajri e toka, nuk mund të kenë as përkatësi etnike, as fetare! Dhe në këtë grup burrështetasish bëjnë pjesë edhe drejtuesit e BDI-së, që mund t’i jepnin fund kësaj çmendurie, duke e braktisur me kohë vëllazërinë me VMRO-DPMNE-në, por siç duket, aq i verbëroi grykësia dhe përfitimi personal, sa shkuan deri aty sa donin të na bindnin  se edhe luani bullgar, qenka i pranueshëm për stemën shtetërore të Maqedonisë, ngaqë i tillë siç është – bishtngritur -  qenka simbol që e lartëson edhe shqiptarinë!?

Kur kalon kufirin me Maqedoninë Telekom Macedonia të përshëndet me fjalët ‘Mirësevini në djepin e qytetërimit’. A nënkupton ky qytetërim atë maqedonas (antikun), sllav, apo është një artific për të krijuar një Maqedoni që nuk është FYROM? A mund të jetë multietniciteti një qytetërim, apo tashmë multikulturalizmi ka dështuar dhe bota duhet të kthehet nga ekstroverse në introverse?

Kim Mehmeti: Problemi i popujve të vegjël të Ballkanit është se të gjithë kanë ëndrra të mëdha dhe ndjehen pronarë të djepit të civilizimit njerëzor. Por, siç duket, në atë djep, ata kanë vënë në gjumë, dhe i këndojnë ninulla, vetëgënjimit se janë më të bukur seç duken, si dhe paaftësisë të përballen me vogëlsinë e vet.

Më në fund, sa më i vogël është një popull, aq më të mëdha e më të shumta i ka përmendoret.  Kuptohet se shumëngjyrësia është pasuri e kësaj bote dhe themel mbi të cilin qëndron ajo, por pasuri që popujt e Ballkanit kurrë nuk e kanë çmuar. Shikuar nga ky këndvështrim, Maqedonia ka edhe halle shtesë, e që kanë të bëjnë me identitetin e padefinuar etnik të atyre që vetveten e quajnë maqedonas. Dhe, maqedonasit e sotëm nga pak i ngjajnë fëmijës të rritur në jetimore, të cilit gjatë rritës, i shtohet edhe dëshira të dijë se cilët janë prindërit e tij të vërtetë. Dhe deri këtu, nuk ka asgjë të panatyrshme.  E panatyrshmja fillon në çastin kur ai i zbulon ata, por ngaqë nuk i duken mjaftueshëm të bukur, vazhdojnë gjurmimin tutje, për të gjetur prind më të denjë për vetveten.

E thashë, jam shkolluar në gjuhët sllave dhe historinë e tyre e kamë mësuar nga librat e shkruara nga maqedonas, e jo nga autorë shqiptarë. E në ato libra thuhej se maqedonasit janë pasardhës të sllavëve të jugut. Por ja, tani dolën ‘rilindësit’ e VMRO-DPMNE-së, e thonë: jo ne nuk jemi nipër të sllavëve, por të Aleksandrit të Madh! Dhe tani, ec e merre vesh se kush gënjen, se kush e ka ngjizur e kush e ka lindur këtë popull, kur ata vetë, sezonalisht, i ndryshojnë të dhënat në ‘kartën’ e identitetit të tyre etnik.

Dhe, ky do ishte problem me të cilin nuk duhej të merreshim ne shqiptarët, por për fat të keq, kjo mosmarrëveshje brenda vetë llojit, lidhur me identitetin e këtij populli,  na dëmton edhe neve shqiptarëve, sepse na largon nga rrugëtimi drejt institucioneve euro-atlantike.

Vijon...

 

Të fundit