Flash News

KRYESORE

Intervista/ Meta nga Estonia: Me Ramën? Asnjë problem. Ka ai probleme me demokracinë dhe zgjedhjet e lira

Intervistoi për emisionin 'Välisilm', Johannes Tralla

Përkthimi dhe përshtatja: Politiko.al

(Në foto: Meta me Presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid (foto e Presidencës estoneze))

 

Keni pasur zgjedhje lokale që u kontestuan. Opozita nuk pranoi të marrë pjesë. Sidoqoftë, ju u përpoqët pa sukses të shtyni zgjedhjet. A e konsideroni të ligjshëm rezultatin e këtyre zgjedhjeve?

Duhet të them që në fillim se bëra çdo përpjekje për të siguruar zgjedhje demokratike gjithëpërfshirëse në Shqipëri. Fatkeqësisht, Kryeministri nuk ishte gati për këtë. Sigurisht, këto zgjedhje nuk ishin as kushtetuese dhe as të ligjshme. Kjo është arsyeja pse Parlamenti gjerman tha të njjëtën gjë kur diskutoi për bisedimet e pranimit të Shqipërisë në BE: që Gjykata Kushtetuese në Shqipëri duhet të vlerësojë legjitimitetin e atyre zgjedhjeve.

Por ju nuk keni një Gjykatë Kushtetuese funksionale...

Po, ky është një problem tjetër. Por shpresojmë që ajo të formohet në muajt e ardhshëm.

Ju jeni në një rrugë pa dalje midis Parlamentit dhe institucionit të Presidentit. Të dy institucionet duhet të emërojnë gjyqtarë për Gjykatën Kushtetuese dhe ju duket se e keni shumë të vështirë për të arritur një marrëveshje. Si do ta prishni këtë bllokim?

Ky është një bllokim i përgjithshëm që karakterizon zbatimin e reformës në drejtësi. Të gjitha partitë votuan unanimisht në favor të kësaj reforme kur isha kryetar i Parlamentit. Por kishte probleme me zbatimin e kësaj reforme. Shpresoj që së shpejti do të jemi në gjendje të kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionuese dhe të ecim përpara me reformën gjyqësore.

Sidoqoftë, nëse shikoj zgjedhjet lokale ku fitoi njëra palë, sepse njerëzit nuk kishin zgjidhje të tjera, dhe faktin që nuk keni një Gjykatë Kushtetuese funksionuese, çfarë do thotë kjo për shëndetin e demokracisë në Shqipëri?

Aktualisht nuk kemi momentin më të ndritur të demokracisë në Shqipëri.

Si po ia çoni me kryeministrin Edi Rama?

Unë nuk kam asnjë problem me të. Por ai ka probleme të jetojë në harmoni me demokracinë, pluralizmin politik dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Por këto janë parimet themelore të vendeve demokratike europiane.

Vetëm disa muaj më parë, Kryeministri tha se Shqipëria nuk është ende e gatshme të anëtarësohet në BE sepse institucionet tuaja politike janë ende të pazhvilluara.

Kjo është arsyeja pse ai duhet të bëjë përpjekje më të mëdha për të ndihmuar vendin të rivendosë rendin demokratik dhe kushtetues.

Ju jeni duke shpresuar që të ftoheni në bisedimet e pranimit në BE javën e ardhshme. Unë mendoj se BE është mjaft e lodhur nga krizat e saj të brendshme. Pse BE duhet të dëshirojë të importojë një krizë tjetër si juaja me demokracinë?

Kriza në Shqipëri të cilës i referoheni, kriza brenda BE-së po ndikon gjithashtu në të. Europa mund të jetë më e dobishme, e paanshme dhe më e përkushtuar në promovimin e dialogut politik. Por Europa duhet të mbajë derën e hapur për Shqipërinë sepse Ballkani është thelbësor për stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen e BE-së. Mbajtja e derës së hapur për Shqipërinë, Maqedoninë veriore dhe vendet e tjera është një investim në stabilitetin dhe sigurinë e nevojshme për të ruajtur stabilitetin në kontinent.

Hollanda, Franca dhe Greqia janë skeptikë për hapjen e bisedimeve. Si do i bindni ata?

Unë mendoj se ata duhet të ndjekin shembullin e Gjermanisë. Nëse ata ende kanë rezerva, bëni siç bëri Bundestagu, i cili mori një vendim të drejtë dhe racional, duke thënë 'po' për fillimin e bisedimeve të pranimit të Shqipërisë, por gjithashtu duke përcaktuar një hartë të qartë se si do të fillonte ky proces.

 

Të fundit