Flash News

KRYESORE

Intervista/ Më mirë me Metën a me Monikën? Klajda Gjosha flet për LSI dhe arrestimet e drejtorëve: akt politik   

Intervista/ Më mirë me Metën a me Monikën? Klajda Gjosha

Deputetja e LSI-së Klajda Gjosha, në një intervistë për Politiko.al, trajton aktualitetin politik dhe social në Shqipëri. Gjosha, ish-ministre e Integrimit në 'Qeverinë Rama 1', thotë se qeveria, por edhe mediat duhet të realizojnë një analizë specifike për problematikat e strategjisë së integrimit të bëra publike nga Komisioni Europian.

Arrestimin e dy ish-drejtorëve të ARRSH-së, Gjosha e konsideron politik.

Deputetja u pyet edhe për opozitën e bashkuar të cilën ajo e shikon si një shpresë për shqiptarët. Ndërsa sa i përket kryetares aktuale dhe ish-kryetarit të LSI-së, Gjosha nuk ka mundur të bëjë asnjë dallim, pasi sipas saj të dy kanë sjellë ndryshime në parti.

Intervistoi: Anxhela Celibashi

 

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, por dhe Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian Knut Flackenstein, deklarojnë se Shqipëria ka bërë hapa pozitive drejt Integrimit në BE. Si i vlerësoni ju këto deklarata dhe qëndrimin e opozitës përballë tyre? Në syrin e shqiptarëve duket sikur kemi të bëjmë thjeshtë me inate politike midis qeverisë dhe opozitës, cili është komenti juaj?

Pjesa e hapave pozitivë është gjithmonë e integruar në raportet për Shqipërinë dhe të gjitha vendet aspirante. Është një lloj motivimi për të gjitha palët që të çojnë përpara reformat shtet ndërtuese në vend. Ajo çka kërkon një analizë të thellë nga Qeveria, por edhe nga media është pjesa e elementëve problematikë të strategjisë, që kanë të bëjnë me kapjen e pushteteve, lidhjen e shtetit me krimin e organizuar në të gjitha nivelet, korrupsioni, liria e munguar e medias etj. Nëse këto çështje nuk merren seriozisht dhe nuk veprohet në mënyrë të menjëhershme për t’i dhënë një zgjidhje, Shqipëria do ta ketë shumë të vështirë rrugëtimin e saj europian.

Arrestimet e ish- drejtoreve te Autoritetit të Rrugëve, si i konsideroni?

Nuk do doja të flisja para drejtësisë, sepse i takon asaj të japë verdiktin, por duke njohur çështjen me keqardhje them se janë arrestime politike. Të arrestosh dikë për tendera të kryera në 2008, kur detyrën e ka marrë në 2013, besoj se çështja flet vetë.

Si do të vijojë marrëdhënia LSI-PD? Krahas opozitës së bashkuar do të shohin shqiptarët një koalicion opozitar?

Opozita është e unifikuar tashmë në qëndrime dhe kjo besoj e bën atë më të fortë, më të besueshme dhe i jep mundësi qytetarëve të kenë një alternativë reale. Protestat janë hapi i parë i këtij bashkëpunimi. Gjithçka tjetër do të shihet në vijimësi. Shqiptarët më shumë se koalicione dëshirojnë të shohin vizion, alternativë dhe shpresë për të ardhmen. Opozita e bashkuar çdo ditë e më shumë po e ofron këtë.

Si ish-ministre e Integrimit, si e vlerësoni marrëveshjen detare me Greqinë? Mund të bëni një raport krahasuar me marrëveshjen detare të vitit 2009?

Janë dy gjëra që nuk mund të krahasohen, për sa kohë ne nuk kemi asgjë të dokumentuar mbi bisedimet që po kryhen në këto momente me Greqinë. E vetmja gjë që më shqetëson është mungesa e transparencës dhe konsultimit me institucionet kryesore ne vend. Gjithashtu, para se marrëveshjet të kryhen është me rëndësi të informosh opinionin publik dhe t’i sigurosh ata se interesat kombëtare nuk do të preken. Këto marrëveshje vijnë pas një katër vjeçari shumë të vështirë bashkëpunimi me Greqinë, për shkak të retorikave të forta mes përfaqësuesve shtetërorë. Ndaj dhe është vështirë të besosh se do të kemi marrëveshje historike brenda dy raundeve të bisedimeve.

Opozita e bashkuar ka paralajmëruar se do të vijojnë protestat deri në rrëzimin e qeverisë, çfarë do të bëjë ndryshe opozita në protestat e ardhshme, ka një skenar dhe data të përcaktuara?

Opozitat do të vazhdojë të jetë e koordinuar mirë për protestat, të cilat tashmë do të vazhdojnë edhe jashtë kryeqytetit për të prekur problematikat në të gjithë Shqipërinë.

Çizmja e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, mendoni se e forcoi apo e dobësoi impaktin e LSI te shqiptarët?

Çizmja ishte një simbol i thyerjes së frikës dhe thyerjes së mitit që Rama nuk mund të jetë i paprekshëm. Marrëdhënia e LSI me qytetarët është ndërtuar prej kohësh tashmë dhe ajo është sa shpirtërore dhe ideologjike, aq edhe marrëdhënie besimi. Të jeni të bindur që nëse do të kishim zgjedhje të lira nesër, rezultati i LSI do të ishte spektakolar.

Monika Kryemadhi apo Ilir Meta? Si ka ndryshuar LSI që pas ardhjes së Kryemadhit në krye të partisë?

Të dy kanë specifikat e veta. Ndërkohë që Ilir Meta sillte një eksperiencë dhe një maturi të jashtëzakonshme gjatë kohës së qeverisjes, Monika i jep një energji tejet të nevojshme LSI në opozitë. Mban gjallë shpirtin opozitar dhe mendoj se po i shërben në mënyrë të shkëlqyer forcimit dhe rritjes së LSI në bazë.

Të fundit