Flash News

KRYESORE

Intervista/ Njerëzit shkojnë atje ku është mirëqënia, sepse në rajon nuk e kanë një të tillë

Intervista/ Njerëzit shkojnë atje ku është

Fakti që Bashkimi Europian në muajin tetor nuk dha dritën jeshile për fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe propozimi i paradokohshëm francez për ndryshimin e metodologjisë së pranimit për vendet kandidate, ka vënë në pikëpyetje faktin sesa Bashkimi Europian dëshiron me të vërtetë t’ia bashkojë Ballkanin Perëndimor pjesës tjetër të kontinentit europian. Nga ana tjetër, përbërja e re e Komisionit Europian, e ka vendosur politikën e zgjerimit në listën e prioriteteve të larta. Për atë se cilët janë problemet e modelit aktual të bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, dhe cili është kyçi i zgjidhjes së tyre, European Western Balkans bisedoi me Dushan Reljiçin, shefin e kancelarisë në Bruksel të Institutit gjerman për marrëdhënie dhe sigurinë ndërkombëtare (SWP) në Berlin. Reljiçi me datë13.12.2019, ishte i ftuar në konferencën me temë „Si ta rikthejmë Ballkanin Perëndimor në tryezën europiane“ që u mbajt në Beograd nën organizimin e Instituto Affari Internazionali (IAI) në bashkëpunim me portalin  European Western Balkans, si dhe me mbështetjen e Delegacionit të BE në Republikën e Serbisë.

European Western Balkans: Franca ka paraqitur propozimin për reformimin e metologjisë së antarsimit të vendeve kandidate në Bashkimin Europian. Si e vlerësoni propozimin francez dhe në cilin drejtim mendoni se duhet t’i orientojë Bashkimi Europian përpjekjet e tij në planin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor?

Dušan Reljiç:Unë nuk mendoj se Bashkimi Europian ka nevojë të prodhojë ndonjë shtëpi të re me letra. Për BE-në do të ishte mirë që të ketë një gjysëm faqeje letër në të cilën të shkruhej që vendet që ende nuk kanë hyrë në BE duhet të fitojnë mbështetje për ta arritur Europën nga pikëpamja ekonomike dhe sociale. Kjo mund të arrihet nëpërmjet rrugës që BE të krijojë mundësi për vendet kandidate të marrin ndihmë financiare pa kthim në lartësinë, që marrin vendet e tjera tashmë antare të BE-së, le të themi Kroacia.

Shkaku i kësaj është se pjesa më e madhe e zhvillimit ekonomik të vendeve si puna e Kroacisë, Bullgarisë, Hungarisë dhe Rumaninë, bazohet pikërisht në ndihmën pa kthim të BE-së. Përshembull: Kroacia, sipas buxhetit shumëvjeçar të BE-së për vitin 2020 merr 8 miliardë ndihmë pa kthim. Por këto mjete nuk janë diçka që BE-ja i jep ashtu kot, sepse duhet patur parasysh se gjashtë vendet e Europës Juglindore, të ashtuquajtura Ballkani Perëndimor, gjatë dhjetë viteve të fundit, vetëm nëpërmjet shkëmbimit të mallrave me BE-në, kanë shënuar një deficit prej 100 miliardë euro. Nëse merrni në konsideratë edhe kreditë, atëherë mund ta shihni lehtë se nga Ballkani Perëndimor shkojnë në BE më shumë para sesa në çfarëdo mënyre vinë prej saj këtu si mbështetje për zhvillim.

Në mënyrë që rajoni i Ballkanit Perëndimor të tërheqë investime të huaja, shteti i subvencionin nëpërmjet ndihmave të ndryshme financiare me para të qytetarëve të këtij rajoni. Kjo është në mënyrë të veçantë e theksuar në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut. Pra, qytetarët në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut paguajnë për të marrë investime të huaja të cilat pikërisht nuk e mbështetin zhvillimin, si të thuash të mençur, por mbështetin zhvillimin e bazuar në krahun e lirë të punës. Ky është thelbi i raporteve mes BE-së dhe rajonit të këtushëm. Mendoj se kjo gjë duhet të ishte në vendin e parë të çdo diskutimi mbi marrëdhëniet mes nesh, dhe jo të një krijese burokratike dhe përpunim të strategjive të reja të zgjerimit. A e dini sesa ka patur të tilla këto 15 vjetët e fundit? Debati, i cili do të prodhonte edhe një kullë tjetër letrash,është vetëm humbje kohe.

Serbia ka një rritje ekonomike nga 3-3,5%. Nëse do të kishte një rritje dyfish më të madhe, asaj do t’i duhesin 30 vite për të arritur mesataren europiane. Në rrethanat e momentit, disproporcioni mes mesatares së zhvillimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor rritet vazhdimisht në vend që të zvogëlohet. Për shkak të faktit se modeli në të cilin bazohet raporti mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe bërthamës së BE-së, prodhon largësim në vend që të prodhonte afrim, vendet e Europës Juglindore po i drejtohen Azisë, e cila është qendër e zhvillimit botëror, duke shpresuar në kapitale të reja dhe investime të reja. Kjo nuk është kështu vetëm në Ballkanin Perëndimor, e tërë Europa po kthehet për nga Azia. Duhet pra, të flitet për atë se çfarë duhet bërë me strukturën e raporteve politike dhe ekonomike mes vendeve të rajonit dhe vendeve të BE-së, dhe jo për rregulla të reja antarsimi në BE, të cilat këto vende nuk kanë për t’i përmbushur sepse nga pikëpamja social-ekonomike nuk janë në gjendje të arrijnë kërkesat e tyre.

EWB: Përse pra zhvillimi social-ekonomik nuk është në fokusin e Bashkimit Europian?

DR: Për faktin se BE-ja është dashur të respektojë modelin e tranzicionit, i cili është vendosur pas rënies së socializmit, dhe që po jep shumë ngadalë rezultate. Me përjashtim të Çekisë, e cila është në 85% të mesatares europiane dhe Sllovenisë, e cila ka mundur të shterrojë akumulimin e vjetër jugosllav, në vendet e tjera arritja po ecën mjaft ngadalë. Kjo i zemëron njerëzit në këtë rajon, sepse ata kanë pritur cilësi mesatare të jetës, dhe nuk kanë marrë asgjë në këtë drejtim. Këtë e shohim në periferinë e Europës: punëtori i industrisë në fabrikën „Audi“ në Gjer të Hungarisë merr një pagë prej 600-700 euro në muaj dhe nuk ka asnjë perspektivë që një ditë të fitojë sa fiton edhe punëtori në industrinë gjermane. Një e treta e banorëve të Rumanisë është larguar e punon në Perëndim të Europës. Meqënëse në këtë rajon nukka mirëqënie njerëzit shkojnë atje ku ka një të tillë.

EWB:Cilat janë sipas jush, parakushtet për vendosjen e shtetit ligjor në rajon, i cili është rezultati vendimtar për eurointegrimin?

DR: Çdo vend, që të ketë shtetin e së drejtës, duhet të ketë më përpara një grup të popullsisë materialisht të siguruar në mënyrë relative, e cila nuk varet direkt as nga shteti dhe as nga pushteti. Kjo është ajo që thuhet klasë e mesme, mësuesit profesorët që fitojnë mjaftueshëm për të mos patur nevojë të hyjnë në raporte korruptive. Nëse nuk ka një klasë të mesme, atëherë shoqëria ndahet në grupin e madh të njerëzve që janë të varfër dhe që jetojnë në të ashtuquajturin prekarijat (gjendje pasigurie materiale dhe jetësore) dhe grupin e oligarkëve. Shteti merr para si nga njëra palë ashtu edhe nga tjetra në mënyra të ndryshme. Pa klasë të mesme, e cila gjithsesi nuk është garanci për shtet ligjor, por parakusht për të, vimë në një situatë autoritare dhe populiste. Këtë sot mund ta shohim nga Polonia derinë Turqi, ku pushteti nga njëra anë vepron nga pozitat e mbrojtësit që shpik përditë rreziqe të ndryshme, komplote botërore etj., ndërsa nga ana tjetër, luan rolin e furnizuesit me privilegje, vende pune, tituj doktorature, e çfarëdo gjëje tjetër nevojitet dhe kësisoj i siguron vetes qëndrimin në pushtet. Ky nuk është model specifik serb apo malazez, ky është produkt i modelit të tranzicionit në Europën Lindore i cili i ka zhgënjyer në këtë mënyrë njerëzit, sepse nuk u ka përmbushur pritmëritë e viteve nëntëdhjetë, domethënë që ata të jenë europianë si francezët apo gjermanët.

EWB: A shihni ndonjë mënyrë që kjo gjendje të ndryshojë?

DR: Nëse në një shkallë të madhe do të mund të shfrytëzohej kapitali i pakthyeshëm, sipas ndonjëfarë modeli ku vetë shtetet të mos ta disponojnë paranë, por nëpërmjet Bankës Botërore. Në ish Jugosllavi ka pas ekzistuar Banka për bashkëpunim ekonomik ndërkombëtar e cila ishte shumë e sukseshme në shfrytëzimin e mjeteve financiare të Bankës Botërore. Një model i tillë i përbashkët i monitorimit të parave do të bënte të mundur që sëpaku një pjesë e ndihmës pa kthim të investohej në të mirat publike, siç janë arsimi, shkollat, kërkimi dhe zhvillimi. Megjithatë ky është krejtësisht model tjetër nga ai që Bashkimi Europian është i gatshëm të ideojë. Është akoma më e rëndësishme të kihet parasysh se për pranimin nuk vendos Komisioni Europian, por vendet antare. Përgjigjet janë në Berlin, e në një masë më të vogël në Paris, i cili vendos veton.

EWB: Gjatë paraqitjes së programit të Komisionit të ri Europian, presidentja e re Ursula fon der Lajen, theksoi se dyert e BE-së mbeten të hapura për Ballkanin Perëndimor. A prisni ju angazhim më të madhe të BE-së për integrimin e Ballkanit Perëndimor?

DR: Unë mendoj se i ashtuquajturi Ballkan Perëndimor ka kohë që është integruar, është i rrethuar nga BE dhe NATO, tregtia mes BE-së e Ballkanit Perëndimor është 75%, shumë njerëz kanë shkuar atje, vinë shuma në para (remitanca) në vendet e rajonit...Disa vende të veçanta të rajonit kanë shkëmbim më të madh me vendet e BE-së sesa disa vende të vetë BE-së me Gjermaninë. Gjermania ka 40% të tregtisë së saj me vendet e BE-së ndërsa 60% me pjesën tjetër të botës. Maqedonia eksporton në Gjermani më shumë sesa Kroacia për shkak të investimeve në industrine e përpunimit të metaleve. Ky rajon nuk është jashtë, ai tashmë edhe thellë në barkun e Bashkimit Europian, e cila duhet ta tretë edhe politkisht këtë rajon dhe kjo nuk është bash e thjeshtë. Nëse vendet udhëheqëse antare do ta ndjejnë nevojën të tregojnë se janë fuqi gjeopolitike, gjë e cila është edhe arësyeja për të cilën Ursula fon der Lajen flet tani vazhdimisht mbi Ballkanin Perëndimor, ndoshta në fund pikërisht për këtë shkak do të shohim një antarsim të përshpejtuar, por kjo tani për tani është vetëm një spekulim.

 

 

 

 

Të fundit