Flash News

KRYESORE

Intervista/ Pse nuk ka vlerë ankesa në Kushtetuese. Do t'i drejtohemi protestave. Misioni i Çadrës, i pambyllur

Intervista/ Pse nuk ka vlerë ankesa në Kushtetuese. Do t'i

3 pyetje nga Politiko.al për Edmond Spahon

 

1-Pse duket sikur PD e ka përjashtuar mundësinë që zgjedhja e Kryeprokurores në mënyrë të njëanshme dhe antikushtetuese, sipas jush, të çohet në Gjykatën Kushtetuese?

Gjykata Kushtetuese interpreton paqartësi në raport me Kushtetutën. Rasti në fjalë është tërësisht i qartë, dhe Kushtetuta është shkelur me të dy këmbët dhe me qëllim. Kushtetuta shprehet që Prokurori i Përgjithshëm propozohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pasi ka kaluar vetingun dhe zgjidhet nga Kuvendi me 3/5 e votave. Prokurori i Përgjithshëm u zgjodh me 69 vota, pa veting dhe me propozimin e deputetëve të Grupit Parlamentar të PS.

Ligji për Prokurorinë parasheh Prokuror të përkohshëm vetëm një herë, dhe në rast se zoti Llalla nuk do ta përfundonte mandatin e tij për arsyet e parashikuara në ligj. Të njëjtët argumente ka dhënë Drejtoria e Monitorimit të Institucioneve të Pavarura në Kuvend. Deri më sot nuk kam takuar ndonjë jurist që të shprehet se në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm nuk është shkelur Kushtetuta, me përjashtim të Ulsi Manjës dhe ndonjë tjetri që është antar i Grupit Parlamentar të PS.

Edhe sikur të ishim në kushtet e paqartësisë kushtetuese dhe nevojës për interpretim, çuarja në Gjykatën Kushtetuese do ta fuste problemin në kalendat greke për shkak të kohës së gjatë që duhet për shqyrtim duke e bërë verdiktin e saj praktikisht të pavlefshëm për çka diskutojmë sot. Dëshiroj të kujtoj që vetë Gjykata Kushtetuese është në impas për shak të mosfunksionimit të institucioneve të Reformës në Drejtësi. Tre anëtarëve të saj ju ka mbaruar mandati njëlloj si Prokurorit të Përgjithshëm, por nuk mund të zëvendësohen sepse nuk është krijuar Këshilli i Lartë i Gjyqësorit për të njëjtat pengesa si në rastin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Për rrjedhojë rruga e vetme e mbetur është t'i drejtohemi qytetarëve për të mbrojtur Kushtetutën e vendit dhe të pengojmë instalimin e një regjimi që në thelb është diktaturë në suazën e “demokracisë”.

2-Pse PD nuk është shprehur zyrtarisht për nënshtetësinë e akorduar nga Presidenti Meta për Kryepeshkopin Janullatos?

Përsee duhet të shprehet? Asnjëherë nuk e kam pëlqyer zakonin që për çdo gjë që ndodh në Shqipëri duhet të shprehen me domosdo politikanët. Feja është e ndarë nga politika dhe i shërben të gjithë njerëzve.

Për çështjen në fjalë është shprehur Presidenti i Republikës duke dhënë edhe shpjegimet. Komentet mbi të mendoj se janë të tepërta pasi Presidenti i Republikës flet në emër të gjithë qytetarëve të Shqipërisë.

Individualisht, në faqen time në FB, me këtë rast, kam shprehur mirënjohjen për punën e madhe që Hirësia e tij Janullatos ka bërë për ringritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, kontributin që ka dhënë për ruajtjen e forcimin e harmonisë fetare në vend, si dhe kënaqësinë për deklaratën që pasuesi i tij do të jetë një prift shqiptar. Fakti i fundit flet në të mirë të asaj që Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare është ringritur dhe ka krijuar kapacitete për ta drejtuar.

3-A mund të sjellë janari apo shkurti një 'Çadra 2'?

Nga ana formale, fizike, mendoj se jo. Ne tashmë u kemi kërkuar qytetarëve që t'i kundërvihen mazhorancës së Edi Ramës nëpërmjet protestave në rrugë dhe në Janar do të organizohet protesta e radhës shumë më e madhe dhe më e fuqishme se ajo e 18 Dhjetorit.

Nga ana përmbajtësore Çadra dhe fryma e saj mbeten edhe më aktuale, sepse çështjet për të cilat ajo protestoi në mënyrë aq origjinale, janë jo vetëm të pazgjidhura por të thelluara në drejtimin negativ.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme mbeten çështja themelore e këtij vendi. Ju e patë që zgjedhjet e 25 Qershorit 2017 u blenë masivisht, u përdorën grupet kriminale, administrata, policia në favor të PS dhe në thyerje të marrëveshjes së arritur. Këto fakte janë të konfirmuara nga raporti i OSBE/ODIHR i cili, si rekomandim të dytë midis rekomandimeve thelbësore, ka nevojën e dhënies fund shitblerjes së votës. Investigimi i fundit i një OJQ në Shkup me fondet e BE, tregoi se 20% të qytetarëve shqiptarë ju ishin ofruar para në këmbim të votës. Ky nivel i përfshirjes në zgjedhje i parave me burim krimin dhe drogën përmbys çdo rezultat zgjedhor.

Pa zgjedhje të lira e të ndershme nuk ka demokraci, nuk ka institucione funksionale, nuk ka luftë ndaj krimit të organizuar dhe drogës të cilat janë dy plagët më të mëdha të këtij vendi që gjenerojnë mungesën e zhvillimit ekonomik dhe papunësinë masive si dhe barrierat drejt antarësimit në BE.

Misioni i Çadrës është i pambyllur. Këtë e dimë edhe ne, edhe qytetarët të cilët do i drejtohen protestave të prirë nga PD për ta hequr Edi Ramën nga pushteti dhe hapur rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe një qeverie sipas vullnetit të popullit.

Politiko.al

Të fundit