Flash News

KRYESORE

Ironia e deputetes së PD-së me Senida Mesin: Lum banorët e Shkodrës që kanë një zv.kryeministre gjakftohtë dhe largpamëse!

Deputetja Izmira Ulqinaku ka ironizuar me deklaratën e bërë nga zëvendëskryeministrja Senida Mesi sa i takon përmbytjeve në Shkodër. Lum banorët e Shkodrës që kanë një zv.kryeministre gjakftohtë dhe largpamëse!, e nis shkrimin e saj, në rrjetin social Facebook, Ulqinaku.

“Pasi vendosi në Tiranë me vizionarët e tjerë të Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave, se banorët e Dajçit dhe Anës së Malit, nuk janë në gjendje emergjence edhe pse prej 20 ditësh kanë tokat nën ujë, edhe pse prej pesë ditësh uji i ka hyrë në shtëpi, edhe pse dhjetra familje po evakuohen, edhe pse është në rrezik gjëja e gjallë, edhe pse ata që janë të izoluar nga uji kanë filluar të kenë problem ushqimet dhe ujin e pijshëm, znj.Mesi na dha edhe këshillën e madhe: të mos tregohemi emotivë!”, shkruan deputetja demokrate në rrjetin social Facebook.

Ulqinaku ndalet më tej edhe tek deklaratat e bëra nga ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi si dhe tek vendimi i KESH i cili ofroi 8 milionë lekë në ndihmë të të përmbyturve.

“Ndërkohë që strategu i bujqësisë, ministri Peleshi na qetësoi kur u shpreh se “s’ka nevojë për të spekuluar me shpalljen ose jo të gjendjes së emergjencës se qeveria është vigjilente”.

Madje në këtë mirësi të madhe të kësaj dite përmbytjesh na vjen edhe lugati i ujit, KESH-i, që po na përmbyt, por ama sot u kujtua të na thotë me gojën e zv.kryeministres se do të na ndihmojë me 8milionë lek (o Zot, vetëm për të dëmshpërblyer një familje nuk mjaftojnë!)”, thekson Ulqinaku.

Deputetja e PD-së e mbyll reagimin e saj duke thënë se “në frikën e asaj çfarë po ndodh dhe çfarë mund të ndodhë, sepse argjinaturat janë të rrezikuara, shkarkimet nga kaskada s’kanë të ndalur dhe s’dihet si mund të na vejë halli, të paktën kemi zv.kryeministren Mesi & co. që na qetësojnë”.

Të fundit