Flash News

KRYESORE

Ironia e kreut të Kuvendit të Kosovës: Edi Rama është kreativ, por idetë e tij nuk na ndihmojnë

Ironia e kreut të Kuvendit të Kosovës: Edi Rama është

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ironizuar propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për një president të përbashkët midis dy vendeve. Gjatë një interviste në emisionin ‘Pressing’, në T7, Veseli ka thënë se Rama ka shumë kreativitet artistik, por kjo nuk e ndihmon tani Kosovën.

Ai theksoi se Kosova duhet të bëhet fillimisht anëtare e OKB-së dhe ndoshta pas 20 vitesh mund të shkohet në një referendum për bashkimin me Shqipërinë.

“Unë besoj te sinqeriteti i kryeministrit të Shqipërisë, por edhe te kreativiteti artistik. Është diçka që në momente të caktuara bëhet edhe për konsum të kreativitetit artistik, për arsye se ne nuk e dim çfarë do të bëjnë fëmijët tanë pas 20 vitesh. Unë sot mundohet që Kosova të hyjë në OKB, por nuk e di nëse fëmijët do të kenë të njëjtin mendim pas 20 vitesh, kur Kosova të jetë anëtare e OKB-së, ndoshta shkojnë te ideja e referendumit e cila e ndërron situatën. Të ecim hap pas hapi. Të ruajmë këtë që kemi dhe pastaj të shohim perspektivat. Kjo çështje nuk është negative në kreativitetin artistik, por nuk na ndihmon tani, siç është ideja që e kanë disa kolegë të opozitës se duhet ta shkatërrojmë këtë shtet dhe të shkojmë në bashkim kombëtar. Këtë shtet nuk është mirë me prek ndokush sepse është i shenjtë”, ka deklaruar zyrtari i lartë kosovar.

Sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve me Serbinë, Veseli tha se dëshiron që Lugina e Preshevës të bëhet pjesë e Kosovës, por Prishtina nuk është e gatshme të lëshojë veriun e vendit.

“Asgjë më shumë nuk do të kisha dëshiruar se sa Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i bashkoheshin Kosovës. Ne e pranojmë me dëshirë një marrëveshje bilaterale nëse Republika e Serbisë e pranon një çështje të tillë, por ne nuk kemi çfarë të japim. Por hapja e kufijve në Ballkan do të thotë luftë”, tha Veseli.

Të fundit