Flash News

KRYESORE

Ish deputeti flet për nismën e re të ambasadës së SHBA brenda PD: Nuk do t’i shpëtojë asnjë

Ish deputeti flet për nismën e re të ambasadës së SHBA

Ish-deputet i Partisë Demokratike, me profesion mjek, Halim Kosova deklaron se partia ku ai bën pjesë po i kushton rëndësi etikës dhe pastërtisë së figurës të njerëzve të saj.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Dr. Kosova flet për rëndësinë e ideve të reja që Partia Demokratike ka për të nesërmen dhe propozon zgjidhje për kujdesin shëndetësor në Shqipëri në kushtet kur shumë mjekë dhe infermierë vazhdojnë të largohen nga vendi. Ai ishte në Uashington për të marrë pjesë në ceremoninë e Mëngjesit të Lutjeve.

“Shqipëria është vend i vogël dhe njerëzit njihen shumë njëri me tjetrin. Besimi në një forcë politike vjen në radhë të parë nga njerëzit që e përfaqësojnë këtë forcë politike, qoftë PD, qoftë opozitën. Duke e ditur mirë PD këtë, ka disa kohë që ka ngritur Komisionin e Etikës dhe Pastërtisë së Figurës brenda PD.

Nuk është sekret ta them, që ambasada amerikane në Tiranë më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë për ta nxitur këtë projekt, pasi nuk kisha ndonjë ide për t’ia nisur punës, por ata janë shumë të gatshëm kur bëhet diçka e mirë për të parandaluar korrupsionin. Kemi ndërtuar një pyetësor, që do të thoja perfekt, se si të përzgjidhen njerëzit, që do të hyjnë nesër në PD apo që janë edhe brenda PD, dhe që janë figurat e ardhshme të marrjes së pushtetit apo pozicioneve shumë të rëndësishme në qeverisjen e vendit.

Çdo institucion nesër, që PD do të marrë, kur të marrë pushtetin, do njeriun perfekt, që të bëjë punën, njeriun me figurë të pastër, por edhe me ide të shëndosha. Dekriminalizimi është i përshkruar me hollësi, që nuk ka mundësi asnjë t’i shpëtojë këtij lloj vaksinimi kundër të keqes nesër ose pasnesër”, shprehet Kosova.

I pyetur se udhëheqja e PD sot ka një apati, e për këtë si do vazhdohet, Kosova thotë: “Unë nuk hyj në atë grupin që vendos nëse do bëhet apo jo protestë. Unë mendoj se përmes protestave të dhunshme asnjëherë nuk mund të vish në pushtet. Më e rëndësishme se protestat është ajo se çfarë premton PD dhe me çfarë njerëzish përballet apo për të nesërmen. Pra, nëse njerëzit shohin se një ide shumë të mirë të PD e thotë një njeri që s’ka derdhur djersë asnjëherë në jetën e vet dhe që nuk është i besueshëm si figurë, kuptohet që kjo e cenon reputacionin e PD”.

Të fundit