Flash News

KRYESORE

Ish-deputeti i PS infektohet me covid-19, mesazh nga spitali: Nuk qenka një lojë, uroj mos ta provoni!

Ish-deputeti i PS infektohet me covid-19, mesazh nga spitali: Nuk qenka një

Ish-deputeti i PS, Fatmir Toçi preket nga virusi covid-19. Sipas vetë ish-zyrtarit të Vlorës, pas qëndrimit të tij prej pesë ditësh në karantinë, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, ndaj kërkoi të trajtohej në spital.

Prej andej, Toçi apelon të gjithë përmes një mesazhi në rrjetet sociale për më shumë kujdes, pasi sipas tij virusi nuk është një lojë tashmë që po e provon edhe ai vetë.

Reagimi:

I PREKUR NGA COVIDI

Dua të njoftoj miqtë e mi, të afërmit dhe të njohurit e shumtë se pas disa hamendjesh e dyshimesh për shkak të një gjendje dobësie shëndetësore vendosa të bëj provën e tamponit nëse kjo vinte nga prekja e sëmundjes së shekullit, Covid-19.

Dhe rezultova pozitiv:-(

Pas kësaj, unë dhe familjarët e mi, edhe pse ata nuk rezultuan si unë të prekur, iu nënshtruam vetëkarantinimit, për të mbrojtur jetët tona dhe të të tjerëve, por dhe në zbatim të ligjit, transparencës e në emër të moralit qytetar.

Sot, 5 ditë pas jetës në karantinë i izoluar në shtëpi, vendosa t’u drejtohem institucioneve të specializuara të kujdesit shëndetësor për ta ndjekur gjendjen time shëndetësore, me besimin e plotë në kujdesin dhe aftësitë e tyre profesionale e humane.

U bëj thirrje të gjithë atyre njerëzve që puna, shoqëria apo rastësia i ka bërë të kontaktojnë me mua këtë javën e fundit, të shkojnë e të bëjnë me domosdo provën e tamponit, për t’u siguruar se janë negativ, për të mbrojtur veten, familjet e tyre, të afërmit dhe gjithë shoqërinë tonë!

Duke besuar në mirëkuptimin dhe vlerësimin e këtij njoftimi jo të këndshëm, ju ftoj të bëni të gjitha përpjekjet për vlerësimin dhe zbatimin e masave me rreptësi dhe rigorozitet për t’u mbrojtur nga kjo flamë, sepse unë që po e provoj ju garantoj se nuk është thjesht një lojë dhe as ekzagjerim i situatës, siç thuhet jo rrallë me mendjelehtësi të çuditshme dhe naive.

Lutem për ju të gjithë, miqtë e mi, që të mos ta provoni këtë situatë, por çdo gjë varet nga secili prej jush!

 

Të fundit