Flash News

KRYESORE

Ish-deputetja e PD denoncon Veliajn: Shkatërroi Tregun Elektrik duke dhunuar tregtarët; me dhunë policore prish banesat te Medreseja

Ish-deputetja e PD, Dhurata Çupi, e pozicionuar në zonën pranë Tregut Elektrik, në rrugën ‘Mihal Grameno’ në Tiranë, ka denoncuar kryebashkiakun Veliaj se po ushtron dhunë mbi tregtarët, duke i njoftuar dy ditë para për lëvizjen.

Çupi theksoi se tregu është funksional prej 20 vitesh dhe me prishjen e tij mbeten në rrugë shumë tregtarë.

Ish-deputetja kujtoi se ky treg u transferua në këtë zonë që nga lagjja ’21 dhjetori’ në vitin 2000, në kohën kur Edi Rama ishte kryetar bashkie. Sipas saj transferimi ndodhi për shkak se atje do të ndërtohej një kullë.

Ajo nënvizoi se tregtarët u njoftuan në momentin e fundit për të lëvizur dhe shtoi se të njëjtën gjë Veliaj po bën te Medreseja ku sipas saj banorët po dhunohen nga policia.

“Nëse do të tregonim historinë, është një treg i transferuar këtu kur ishte kryetar bashkie Edi Rama në vitin 2000, nga “21 Dhjetori”. U transferua për shkak se atje bëhej një kullë, në atë zonë bëhej kulla e radhës e lejuar nga Edi Rama kryetar i Bashkisë. U transferua në këtë sheshin këtu ku u bë përsëri një pallat tjetër dhe nga ky pallat u transferua në këtë shesh. Pra, në 19-20 vite ky treg funksionon këtu, tashmë të gjithë qytetarët e Tiranës por edhe qytetarë të tjerë e dinë rëndësinë e këtij tregu.

Janë me qindra tregtarë që këtu kanë shitur çdo ditë në 20 vite; kanë mbajtur familjet e tyre; kanë shkolluar familjet e tyre; kanë mbajtur ekonominë familjare dhe sot kanë dalë në rrugë. Nuk u është njoftuar asnjë vendim, asnjë akt administrativ ku do të transferohen.

Mos harrojmë, dhuna brenda dy ditëve, kjo dhunë e ushtruar dhe mbyllja e Tregut Elektrik, nxjerrja e tregtarëve në rrugë, mbyllja e ekonomive familjare dhe shkatërrimi i ekonomive të tyre familjare dhe e njëjta dhunë në këto çaste që ne po flasim po ushtrohet po nga Policia Bashkiake, po nga kryetarë Bashkie, po për një qëllim të vetëm, ndërtimin e një kulle tjetër, tek Medreseja”, tha ndër të tjera Çupi.

Të fundit