Flash News

KRYESORE

Ish-drejtori i Policisë: E kisha parashikuar fundin e Tahirit; Prokuroria kishte prova edhe pa dosjen e italianëve

Ish-drejtori i Policisë: E kisha parashikuar fundin e Tahirit; Prokuroria

Ahmet Prençi, ish-drejtori i Policisë së Shtetit jep alarmin se krimi i organizuar ka para në dorë më shumë se buxheti i shtetit, çka sipas tij e cenon sigurinë kombëtare.  Në një intervistë për ‘Gazetën Shqiptare’, Prençi paralajmëron se këto para mund të kanalizohen dhe për terrorizëm, pasi janë krejt të qetë e të sigurt në përdorimin e tyre. Sa i përket “peshqve të mëdhenj” të krimit, Prençi thotë se ambasadori Lu di shumë detaje për ta, dosjen “Habilaj” dhe implikimin e ish-ministrit të Brendshëm me krimin, fletarrestet për zyrtarët e lartë të policisë. Ai shpreh rezerva për punën e Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa akuzon policinë për lidhjet me bandat kriminale.

“Të them të drejtën, gjatë gjithë kohës mua më habiste euforia e një ministri aventurier, që unë për vete ia parashikoja fundin dhe këtë e kam shprehur mes miqsh e kolegesh. Mua më habiste fakti që ai po bënte atë që bëri dhe nuk kishte frikë për të nesërmen e tij. Dhe jo vetëm kaq, por së bashku me kryeministrin krenoheshin për situatën që krijuan. Autoritetet e Antimafies italiane janë më të suksesshmet në botë në këtë fushë dhe puna profesionale e tyre është për t’u admiruar. Nuk mundet as ish-ministri Tahiri dhe askush tjetër të vë në diskutim preçizionin e tyre kur godasin. Trafiku ndërkombëtar i drogës është vepër e rëndë penale dhe shumë komplekse, që hetohen vetëm me masë sigurie arrest në burg. Për mua jo Antimafia, por Prokuroria shqiptare duhet të kishte hetuar dhe duhet të kishte kërkuar arrestimin e tij dhe të drejtuesve të policisë që kriminalizuan vendin. E gjithë situata e dosjes që implikon Tahirin në trafikun e drogës është vetëm aparenca e asaj çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Provat për Tahirin, Prokuroria shqiptare i ka pasur pa ardhur dosja nga Italia, pa përgjimet e Habilajve, pa “Audi”-n e famshëm, pa Zaganin e oficerë të tjerë kurajozë, që u ndëshkuan se thanë të vërtetën për lidhjet e ish- ministrit me trafikun e drogës, pa patentat e milionat e eurove që u duken para xhepi. Prokuroria kishte 219 000 ha kanabis të mbjella, tonelata kanabis të kapura nga autoritetet e huaja, pistat e avionëve që transportonin e trafikonin drogë, mijëra qytetarë që punonin në të katërta anët si skllevër etj., që në çdo rrethanë sikur edhe për neglizhencë apo mosveprim, Tahiri si drejtues politik e teknik i Policisë së Shtetit ka përgjegjësi penale”, ka deklaruar Prençi.

Të fundit