Flash News

KRYESORE

Ish-kampi i internimit Tepelenë-Wilton: Ballafaqimi me të shkuarën komuniste duhet të vazhdojë!

Ish-kampi i internimit Tepelenë-Wilton: Ballafaqimi me të

Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së, Robert Wilton, ka qenë i pranishëm sot në ish- kampin e internimit të Tepelenës, aktivitet i organizuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Në fjalën e tij, Wilton tha se të qenit këtu, në Tepelenë, në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave e të Zhdukjeve me Forcë, mbart një kuptim të rëndësishëm për mua.

 “Ky ish-kamp internimi ka parë të vërteta të dhimbshme të së shkuarës komuniste të Shqipërisë: shpërnguljet me forcë, internimet, punën e detyruar, torturat dhe vrasjet e panumërta. Zbulimi i të vërtetës është çelësi me të cilin të afërmit e të zhdukurve dhe shoqëria në përgjithësi ta mbyllin përfundimisht këtë kapitull”, u shpreh Robert Wilton.

Më tej, ai shtoi se “Familjarët kanë nevojë të dinë të vërtetën që të mbajnë zi, t’i nderojnë dhe t’i kujtojnë të dashurit e tyre në paqe. Shoqëria ka nevojë të dëgjojë historitë e të mbijetuarve, që të përfytyrojë dhunimet e tmerrshme që janë kryer gjatë regjimit komunist dhe të kuptojë se si shqiptarët arrinin të trajtonin vetë shqiptarët në atë mënyrë. Shpërfillja e të vërtetave të rënda të së kaluarës nuk e shëron dhimbjen që ende është e gjallë. Plaga edhe mund të zhduket, por helmi jo”.

Po ashtu, Wilton pohoi se “Transformimi i vendeve si kampi i Tepelenës, burgu i Spaçit e të tjerë, në vende kujtese është hap i guximshëm. Përgëzoj Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, grupet e të mbijetuarve, Trashëgiminë Kulturore pa Kufij dhe të gjithë ata që punojnë për menaxhimin e duhur dhe me respekt të trashëgimisë që la diktatura. Qytetarët kanë nevojë të shohin që autoritetet po punojnë aktivisht për të hedhur dritë mbi krimet e dikurshme, që çështja e të zhdukurve po trajtohet me kujdes dhe me përkushtim. Vetëm kështu, shteti ndërton besimin se situata të tilla nuk kanë për të ndodhur kurrë më. Prania jonë sot na kujton se ballafaqimi me të shkuarën komuniste duhet të vazhdojë”.

Ai theksoi se “Ne, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, kemi zhvilluar projektin “Në mbështetje të dialogut kombëtar rreth së shkuarës komuniste”, i cili synon të mbështetë Autoritetin në punën e tij. Puna e Autoritetit është thelbësore; por duhet kuptuar si punë profesionale dhe serioze, e cila lidhet me menaxhimin e informacionit dhe me mënyrën se si e kupton shoqëria veten; s’ka lidhje me thashethemet, skandalet apo grindjet politike të ditës. Ne duhet të kuptojmë dhe të përballemi me krimet dhe vuajtjet e brezave para nesh, sepse kështu mbrojmë brezat e ardhshëm nga i njëjti tmerr”.

“Vetëm duke zbardhur një herë e mirë fatin e të zhdukurve, duke mbajtur në zemër kujtimin e tyre me po aq kujdes sa është ruajtur ky vend i tmerrshëm që ne shohim sot, ne mbrojmë të drejtat e familjeve të tyre, si dhe kontribuojmë në konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe të një shoqërie të shëndetshme, të hapur e demokratike”, përfundoi fjalën e tij,  zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së, Robert Wilton.

 

Të fundit