Flash News

KRYESORE

Ish-konsullja i shkruan Ramës pas shkarkimit: Pse nuk më testove zotëri, jam 28-vjeçare pa parti, pa ryshfete, pa k*rvëri

Ish-konsullja i shkruan Ramës pas shkarkimit: Pse nuk më testove

Ilda Topalli, ish sekretare e parë e Konsullatës së Përgjithshme në Stamboll e cila u shkarkua nga detyra në sajë të vendimit nga ministria e Jashtme, i është drejtuar me një letër kryeministrit Edi Rama, përmes platformës së bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.

Ajo i kërkon Ramës para se të firmoste shkarkimin e saj që ta testonte më parë se cila ishte ajo dhe sa e denjë ishte për këtë post.

Letra e plotë:  

Kryeministri im,

Faleminderit që firmose si fletërrufe urdhrin e lirimit tim nga detyra si diplomate dhe që më dhe shtysë tanimë të mos kem frikë të nxjerr zërin për të mbrojtur të drejtën time dhe atë mendoj se meritoj.

Sapo më rikonfirmove se në Shqipërinë tonë të bukur të drejtën nuk u njihet kurrë e drejta apriori, por u duhet të çirren për ta kërkuar e marrë atë.

Këtë do bëj edhe unë, me çdo mjet ligjor dhe ankimor. Hidhu një sy kualifikimeve të një vajze 28-vjeçare pa parti, pa miq, pa ryshfete, pa kurvëri dhe pa lidhje farefisnore në administratë.

Por, ty dhe drejtorëve të tu në ministri nuk ju pëlqejnë njerëzit e drejtë dhe të aftë si unë apo jo?

Më vjen keq dhe inat i dashur kryeministër që nuk munda të gjej as kohën dhe as mikun që do ngopte egot e drejtorëve që të servirin mbi tavolinë emrin tim për ta bërë kurban të kopesë së emërimeve despotike dhe partiake jashtë sistemit, pa denjuar të pyesje se kush isha, çfarë CV –je kisha.

Pse nuk më ftove për të me testuar nga koka të këmbët, para se të më flakje në rrugë, më testo të lutem!

A nuk jam njësoj shtetasja dhe nëpunësja jote ashtu sic janë edhe ata që janë pjesë e shërbimit të jashtëm?! Vlej më pak se ata për ty zotëri, vetëm se nuk kam hyrë në konkurset e DAP sepse jam pa krahë?!

Ke firmosur urdhërshkarkimin për një të re që flet 5 gjuhë të huaja , ndër ta tri rrjedhshëm, jam kualifikuar për programe të avancuara dizajni kompjuterik, dhe që ka një bachelor në Shkencat Politike dhe dy mastera në Diplomacinë Ballkanike dhe Çeshtjet Globale?

A nuk janë mjaftueshëm për të përmbushur kushtet e rekrutimit në shërbimin tonë të jashtëm?! Apo se kushtet tuaja të rekrutimit janë mik, ryshfet, vetëofrim apo jo?

Më ke emëruar po ti dhe ish ministrit yt një vit më parë bazuar në nenin 31 pika 3 të ligjit nr 23.2015 sepse Konsullata e RSH në Stamboll kishte dhe ka nevojë për një diplomate të kualifikuar si unë. Më keni gjetur ju mua i dashur kryeministër dhe jo unë ju, sepse flas turqisht shkëlqyeshëm, e kam  një eksperiencë 5 vjecare shkollimi, jetese e punësimi në Stamboll, kushte jetike këto për një zyrtar në këtë konsullatë.

Kam mbaruar me stazh me sjellje shembullore pranë kësaj konsullate i dashur kryeminister, sjellje të cilat janë bërë shkak reference për mua nga ish konsulli i përgjithshëm në këto përfaqësi asokohe.

Me justifiko të lutem shkarkimin nga detyra pa më hetuar e pyetur mua, pasi më detyrohesh kaq gjë.

Llogjet e kazanit të drejtorëve të tu më pohuan se kjo reformë ka prekur të gjithë diplomatët e emëruar jashtë sistemit pa asnjë përjashtim pas janë emërime partiake.

Më provo të lutem, lidhjen time partiake, miqësore, dashnorore, apo fisnore me cilindo që pretendon se është bërë shtysë për emërimin tim.

Dhe më thuaj nëse Europa nuk do të përshëndesë një diplomate të re si unë pasi t;i kesh hedhur një sy dosjes sime.

Më trego me transparencë se cilin kanë propozuar në vendin tim. Më ke shkatërruar ëndrrën e një jete i dashur kryeministër, e bashkë me të edhe shpresën e besimin në ty, sepse ti nuk i ngjake shpresës e as të ardhmes që dua për vendin tim, familjen time.

P.S: Nga një socialiste since day one të cilën sapo e humbe, jo nga ato që i mbështesin se i detyron tesera partiake, e as nga ata që brohorasin emrin tënd nëpër mitingje për të përfituar një vend pune. Sot ke humbur një votë nga ato të sinqertat dhe më besniket, ato me zemër e shpirt kryeministri im,

E jotja Ilda.

Marrë nga gazeta Panorama

Të fundit