Flash News

KRYESORE

"Ish-ministri influent në skemën e trukimit të ndeshjeve". Britanikja 'The Guardian' artikull për "përrallën e pabesueshme të Skënderbeut"

Ish-presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo, presidenti aktual, Ardjan Takaj, dhe ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, në prononcimet që i kanë dhënë gazetës britanike The Guardian, i kanë mohuar akuzat ndaj tyre në lidhje me trukimin e dyshuar të ndeshjeve të klubit korçar në ligat e Europës.

The Guardian në artikullin me titull 'Trukim ndeshjesh si asnjëherë më parë: Përralla e pabesueshme e Skënderbeut', shkruan se, me ardhjen në krye të Zeqos, në janar 2010, gjërat filluan të ndryshonin për Skënderbeun, i cili po binte nga kategoria, dhe më pas u bë, për pesë vjet rresht kampion i Shqipërisë. Sipas një rapoti të UEFAs-s, të cituar nga gazeta britanike, loja e parë e fiksuar i përket nëntorit të vitit 2010.

I pyetur nga The Guardian, Zeqo tha: e mohoj me forcë mundësinë që ndonjë ndeshje të jetë trukuar gjatë kohës që unë kam qenë President. Jam gati të përballem me çdo akuzë publikisht, apo dhe në gjykatë nëse është e nevojshme.

Presidenti aktual i Skënderbeut, Ardian Takaj, vazhdon gazeta, i cili pasoi Zeqon në vitin 2012, dhe ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, thuhet se kanë qenë influentë në skemën e dyshuar. Ky i fundit, sipas raportit, ka qenë një donator kryesor. Po në raport thuhet se ai 'ka pushtetin, lidhjet dhe dijenitë për të influencuar ndeshjet e Skënderbeut dhe e ka bërë këtë përgjatë viteve".

Takaj akuzohet se ka shënjestruar ndeshjet miqësore për përfitime ilegale dhe ka përdorur lidhjet me lojtarët e Skënderbeut për të ndikuar në veprimet e tyre në fushë. Një pjesë labirintike e raportit  fokusohet në biznesin e Takajt duke eksploruar lidhje ndërmjet Skënderbeut dhe kompanive të basteve në të cilat ai, sipas dyshimeve, është apo ka qenë i përfshirë.

Si Takaj ashtu dhe Bode i kanë mohuar akuzat. Bode i tha së përditshmes së huaj se ai nuk e ka mbështetur asnjëherë Skënderbeun financiarisht. Ai shtoi se akuzat janë bërë me lehtësi të padurueshme dhe se 'nuk është dhe as ka qenë ndonjëherë pjesë e ndonjë skeme për të ndikuar në rezultatet e  ndeshjeve'.

Mohues ndaj akuzave janë edhe portieri Orges Shehi dhe mbrojtësi Tefik Osmani, gjithashtu të përmendur në raport si të përfshirë në skemën e fiksimit të ndeshjeve. 

Të fundit