Flash News

KRYESORE

Ish-Presidentja Jahjaga s’lejohet të hyjë në Serbi: Arsyetim absurd, Beogradi vijon politikën e viteve ‘90

Ish-Presidentja Jahjaga s’lejohet të hyjë në Serbi:

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk është lejuar që të kalojë sot kufirin e Serbisë.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Jahjaga, e cila përmes një postimi në rrjetin social Facebook e ka dënuar veprimin, duke u shprehur se Beogradi po vijon politikën e viteve 90-të.

Ish-Presidentja do të merrte pjesë në një aktivitet për promovimin e një libri si dhe mbajtjen e një fjalimi për viktimat e dhunës seksuale gjatë periudhës së luftës.

Sipas Jahjagës leja ishte marrë në përputhje me dialogun e Brukselit dhe se arsyetimi për këtë bllokim ishte absurd.

Statusi i Jahjagës:

Unë sot do të duhej të isha në Beograd për promovim të librit "Unë dua të dëgjohem" në kuadër të festivalit "Mirëdita, dobar dan!", ku u ftova të mbaj fjalim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Hyrja ime në shtetin e Serbisë u pamundësua me një arsyetim absurd.

Përgatitjet për vizitën janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë.

Autoritetet e Kosovës i kanë njoftuar me kohë dhe me përpikëri autoritetet e Serbisë, siç është e paraparë me marrëveshje, por zyrtarët në Beograd kanë dështuar t'i përmbahen kësaj marrëveshjeje, duke e shkelur atë me qëllim që të ndalojnë vizitën time.

Zyra ime dhe organizatorët e festivalit janë në komunikim të vazhdueshëm për të siguruar pjesëmarrjen time në këtë festival, me bindjen se pranimi i së vërtetës mbi krimet e luftës në Kosovë është e vetmja mënyrë që shoqëritë e dy vendeve të ecin përpara.

Unë nuk kam iluzione që zyrtarët e sotëm të Serbisë do ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, sepse ata po e vazhdojnë politikën e viteve të 90-a kur kanë qenë edhe protagonistë.

Por dua të shpreh respektin tim për organizatorët e festivalit, një grup të rinjve dhe aktivistëve që nuk do të lejojnë që e ardhmja e tyre dhe e tërë rajonit të mbahet peng nga këta udheheqës që duan ta fshehin të vërtetën. E vërteta nuk njeh kufinj.

 

Të fundit