Flash News

KRYESORE

Ishte zaptuar nga 6 subjekte, policia liron 4500 m2 plazh në Shëngjin e Velipojë, procedohet drejtori i Lezhës

Ishte zaptuar nga 6 subjekte, policia liron 4500 m2 plazh në Shëngjin

Një tjetër sipërfaqe plazhi, pronë publike është vënë në dispozicion të pushuesve në Shëngjin dhe Velipojë.

Policia sqaron se në sajë të operacionit "Plazh i lirë", është vënë në dispozicion të pushuesve rreth 4500 m2 plazh, pronë publike, e zaptuar në mënyrë të kundërligjshme nga 6 subjekte në dy plazhe të frekuentuara.

Po ashtu, procedohet për  "Shpërdorim detyre" A. N., me funksion Drejtor në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Lezhë.

“Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Task - Forcën të ngritur nga Prefekti i Qarkut Lezhë , proceduan penalisht 4 persona për  veprat penale "Fshehja e të ardhurave", "Mospagimi i taksave dhe tatimeve", konkretisht:

-M. Gj., L. P., F. N. dhe GJ. GJ., pasi këta shtetas kishin zaptuar hapësirën publike (rërë) në Shëngjin, duke  vendosur rreth 350 shezlongë dhe 150 çadra pa kontratë përdorimi (qira) me Bashkinë Lezhë.

Në Velipojë, Policia e Shkodrës e mbështetur nga FNSH, ka liruar një hapësirë publike rreth 1000 m2 të zaptuar në mënyrë të kundërligjshme nga dy shtetas, pronarë të subjekteve që ushtronin veprimtari në zonën e plazhit në fshatin Pulaj - Plazh.

Gjatë operacionit, u sekuestruan rreth 100 çadra dhe 100 shezlongë, që shtetasit XH. B. e E. S., kishin vendosur në mënyrë të kundërligjshme para lokaleve në administrim, duke zënë hapësirën publike dhe duke mos paguar taksat për to.

Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër,  proceduan penalisht shtetasit XH. B. e E. S., për veprat penale "Fshehja e të ardhurave", "Mospagimi i taksave dhe tatimeve"”, sqaron policia.

[video width="1280" height="720" mp4="https://cdnimpuls.com/politiko.al/uploads/2019/08/WhatsApp-Video-2019-08-06-at-09.31.47.mp4"][/video]

Të fundit