Iu dogj makina/ Gjyqtari nga Shkodra u kallëzua penalisht 5 vjet më parë se kërkoi 25 mijë euro në këmbim të lirisë

Mbrëmë, makina e gjyqtarit të Shkodrës Andri Ymeriu përfshi nga flakët dhe nga hetimet paraprake mendohet se kemi të bëjmë me një ngjarje të qëllimshme.

Nga flakët, u dogj mjeti i gjyqtarit teksa ndodhej në parkim, bashkë me një mjet tjetër që ndodhej ngjitur.

Por, kush është Gjyqtari i Shkodrës Andri Ymeri

Pesë vjet më parë, gjyqtari Ymeri u kallëzua në prokurori për akuzën e korrupsionit, pasi ra pre e një filmimi nga kamerat e fshehta të emisionit investigativ “Fiks-Fare”.

Ai u vu nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pasi u kallëzua penalisht nga një i dënuar me 21 vite burgim.

Gentjan Hoxhaj, një i ri që ishte dënuar në mungesë nga Ymeri në një kallëzim të paraqitur në Prokurori të Përgjithshme tregonte se gjyqtari i kishte kërkuar 25 mijë euro për hapjen e dosjes penale ndaj tij, në mënyrë që ky i fundit të rigjykohej sërish, pasi ishte dënuar në mungesë në vitin 2009.

Në 2014-ën u denoncuar nga emisioni investigativ bashkë edhe me gjyqtarin Ken Dhima pasi kishin marrë 2 mijë euro për të liruar nga burgu një të dënuar me iniciale P.N nëpërmjet avokatit të tij Ndrek Rukës.

Pavarësisht këtyre akuzave, ai ka vijuar të jetë në detyrë, madje për disa vite ka drejtuar edhe Gjykatën e Shkodrës.