Flash News

KRYESORE

Jep llogari sot para vettingut prokurori i 21 janarit dhe Mark Frrokut, si ka ndryshuar pasuria e tij ndër vite

Jep llogari sot para vettingut prokurori i 21 janarit dhe Mark Frrokut, si ka

Komisioni i pavarur i Kualifikimit zhvillon sot seancën e radhës për prokurorin e Tiranës, Adriatik Cama.

Ai njihet si një nga dy prokurorët që ka hetuar dosjen hetimore të 21 janarit, ku u vranë 4 persona në bulevard, si dhe ka përfaqësuar akuzën në gjykimin ndaj ish-deputetit Mark Frroku, i akuzuar për vrasje në Belgjikë.

Procesi i rivlerësimit do të drejtohet nga Genta Tafa Bungo, me anëtarë Suela Zhegun dhe Pamela Qirkon.

Një nga shtyllat bazë të vettingut është ajo e pasurisë,  bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në vitin 2017.

Birn ka publikuar skedën që paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Adriatik Cama nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Adriatik Cama zotëronte pasuri familjare në vlerën e 3.3 milionë lekëve në vitin 2003-kur deklaroi pasurinë për herë të parë. Në fund të vitit 2017, pasuria e tij rezulton e dyfishuar me një vlerë totale prej 7.9 milionë lekësh.

Pasuria e zotit Cama ndahet në 4.8 milionë lekë pasuri të paluajtshme, 1.3 milionë lekë kursime të akumuluara në cash, një automjet me vlerë rreth 1.1 milion lekë dhe likujditete në bankë në vlerën e rreth 700 mijë lekëve.

Të ardhurat familjare të prokurorit Cama kapin vlerën e rreth 24 milionë lekëve për të gjitha vitet e deklarimit. Paga nga funksioni dhe ajo e familjarëve përbën pjesën dërrmuese të të ardhurave, ndërkohë që 6.1 për qind e tyre përbëhet nga të ardhurat nga qiratë.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik mbi 14 vite të deklaruara të zotit Cama dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me diferenca të pambuluara.

Megjithatë, u evidentuan disa “flamuj të kuq” në analizën e deklaratave të pasurive të zotit Cama, të cilat lidhen me disa kredi bankare, një kontratë huaje dhe burimin e paqartë të një llogarie bankare.

Të fundit