Flash News

KRYESORE

“Jeruzalemi”/ Flet ish-ambasadori shqiptar në Izrael, Gjuraj: Tirana të jetë në një linjë me BE-në, SHBA e vetëdijshme për pozicionin tonë

“Jeruzalemi”/ Flet ish-ambasadori shqiptar në Izrael, Gjuraj:

[lock][/lock]Kevin Sinani – Politiko.al

Tonin Gjuraj, ish-ambasador i Shqipërisë në Tel Aviv të Izraelit, kërkon që Shqipëria të qëndrojë në një linjë me Bashkimin Evropian sa i përket çështjes së Jeruzalemit. Në një intervistë për Politiko.al, ish-ambasadori thekson se Tirana duhet të niset nga interesi kombëtar siguria e vendit dhe avancimi në proceset integruese në qëndrimin që do të mbajë për këtë çështje, e kjo është ajo çfarë kërkojnë edhe SHBA-të. Sipas Gjurajt, administrata e presidentit Donald Trump është e vetëdijshme për pozicionin aktual të vendit tonë në proceset integruese dhe rolin që ne luajmë në rajon, nisur dhe nga specifika e Shqipërisë si një vend multifetar. Sa i përket Kosovës, ish-ambasadori kritikon përpjekjet e Izraelit për të mos pranuar njohjen duke hequr paralele me çështjen palestineze, që sipas tij nuk kanë asgjë të përbashkët.

  • Zoti Gjuraj, si e konsideroni vendimin e presidentit Donald Trump për të njohur Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit dhe vendosjen atje të ambasadës amerikane?
  • Me vendimin e tij për njohjen zyrtare të Jeruzalemit si kryeqytet të shtetit të Izraelit, presidenti Trump, mesa duket, është motivuar më shumë nga politika e brendshme, si përmbushje e premtimit të tij elektoral për përkrahësit evangjelistë dhe lobit hebre në SHBA. Ai nuk duket të ketë marrë parasysh dhe/apo të njohë si duhet pasojat imediate të këtij vendimi në Lindjen e Mesme. Edhe pse formalisht ai citon një ligj të vitit 1995, ‘The Jerusalem Embassy Act’, duke thënë se kishte ardhur koha për këtë njohje si diçka që ishte me kohë e vërtetë dhe si "as më pak, as më shumë, por njohje e realitetit", megjithatë më duhet të them se ky vendim nuk përcakton kufijtë definitiv të sovranitetit izraelit mbi Jeruzalemin. Pra, ai dhe administrata e tij, nga mënyra sesi kanë artikuluar vendimin, kanë lënë të hapur përsëri mundësinë që statusi final i këtij qyteti duhet të zgjidhet në negociatat midis dy palëve, izraelitëve dhe palestinezëve. Madje Trump ka përforcuar formulën e zgjidhjes me dy shtete, të dakortësuar nga të dyja palët. Përtej kësaj, ky vendim ka qenë sfidues ndaj komunitetit ndërkombëtar që në shumicë dërrmuese e kanë kundërshtuar, si dhe ndaj administratave të mëparshme amerikane. Edhe pse zyrtarisht ambasadat e huaja sot janë të vendosura në Tel Aviv, përfshirë dhe atë të SHBA-ve, puna, veprimtaria dhe marrëdhëniet me Izraelin realizohen në fakt në Jeruzalem. Duket pra që me këtë vendim të rialokimit të ambasadës në Jeruzalem në dy vitet e ardhshme, thjesht justifikohen pretendimet legale të Izraelit mbi Jeruzalemin.
  • A do të ndikojë ky vendim për nxitjen e një vale të re të dhunës në rajon? Protestat kanë nisur tashmë...
  • Natyrisht që një vendim i tillë ka nxitur tashmë një valë protestash të dhunshme në rajon dhe veçanërisht në territoret palestineze, në Gaza dhe Bregun Perëndimor, megjithatë deri në këto momente nuk duken të kenë atë masivitet apo nxitje të pritshme të dhunës. Më lejoni të kujtoj këtu se lideri i Hamasit, Haniyeh, ka bërë thirrje për një Intifadë të tretë, me synimin e protestave të dhunshme popullore, por deri tani, edhe pse një situatë më e rënduar në Gaza, nuk duket të jetë e tillë. Përkrahja jashtë kufijve të territoreve palestineze, pra në Lindjen e Mesme, është më shumë deklarative sesa konkrete. Kjo, për arsye se vetë vendet e atij rajoni kanë diversitet, ndryshon qëndrimi i qeverive nga ai popullor, pasi lufta për lidership dhe zgjerim të influencës midis vetë atyre vendeve, nuk arrinë të krijojë kohezion dhe unitet në qëndrime. Një valë e tillë protestash, madje më të dhunshme, ka ndodhur në 2000, pas Camp David, në fundin e 2008 dhe fillimin e 2009, pas operacioneve në Gaza, etj ..
  • Ju keni qenë ambasadori i Shqipërisë në Tel Aviv, a mendoni se Tirana duhet t’i bashkohet vendimit te aleatit strategjik, SHBA-së, apo duhet të qëndrojë në të njëjtën linjë me Bashkimin Evropian dhe Turqinë, që janë shprehur kundër vendimit të Trump?
  • Tirana duhet të jetë në të njëjtën linjë me qëndrimin e BE-së. Besoj se Turqia kundërshton vendimin e Trump, për arsye jo të njëjta me ato të BE-së, dhe nuk është momenti këtu të bëjmë analizë historike të marredhënieve midis Izraelit dhe Turqisë, se nuk ndihmon realpolitikën e sotme. Pavarësisht vendimit të Trump, nën Presidentin Erdogan vitet e fundit raportet midis të dy vendeve kishin shënuar regres. Aleanca strategjike me ShBA -të nuk na imponon qëndrim të njëjtë me ta në këtë çështje, dhe për këtë besoj se administrata e Trump është e vetëdijshme për pozicionin aktual të vendit tonë në proceset integruese dhe rolin që ne luajmë në rajon, nisur dhe nga specifika e Shqipërisë si një vend multifetar. Shqipëria në këtë çështje duhet të jetë në konformitet të plotë me BE-në, të artikulohet qartë në mbrojtje të zgjidhjes së konfliktit atje me formulën dy shteteve, atij izraelit dhe palestinez.
  • A rrezikon qëndrimi që do të mbajë Shqipëria në krijimin e një boshllëku në marrëdhëniet me SHBA-në, nëse rezulton i kundërt me atë të presidentit Trump, apo anasjelltas, një qëndrim i mundshëm pro vendimit të Trump të krijojë boshllëk në marrëdhëniet Shqipëri-BE dhe Shqipëri-Turqi?
  • Shqipëria duhet të niset, së pari, nga interesi kombëtar, siguria e vendit dhe avancimi në proceset integruese. Kjo është çfarë kërkojnë dhe SHBA-të për faktorin shqiptar në rajon. Po ashtu, në marrëdhëniet diplomatike midis nesh dhe shtetit të Izraelit, si me çdo vend tjetër, ne duhet të udhëhiqemi nga norma e reciprocitetit, pra të këmbejmë me vendet mike vendime me të njëjtën vlerë politike dhe diplomatike. Kosova për ne përbën një interes të madh kombëtar.
  • Sa i përket pavarësisë së Kosovës, Izraeli ka mbajtur një qëndrim më pozitiv krahasuar me Palestinën, liderët e të cilës e shprehin hapur qëndrimin kundër Republikës së Kosovës. A mund të ndikojë në të ardhmen ky pozicionim i Izraelit dhe Palestinës për çështjen e Kosovës, që Tirana të njoh Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit apo ndikimi i Turqisë dhe vendeve të tjera arabe e bën të pamundur një zhvillim të tillë?
  • Qëndrimi zyrtar i Izraelit "po, por jo tani" për njohjen e shtetit të Kosovës duket më inkurajues apo me pozitiv, siç thoni ju, por megjithatë analiza të ndryshme në mediat vendase atje, si dhe hezitimi akoma për të shpallur njohjen, nuk janë realiste dhe të justifikuara. Përpjekjet për të hequr vije paralele midis Kosovës dhe çështjes palestineze, janë të gabuara dhe jo korrekte. Ato nuk janë dy çështje identike, por dy çështje të ndryshme, që ndryshojnë thelbësisht politikisht, juridikisht, veçanërisht pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare, kulturalisht, për të mos përmendur këtu që ajo çfarë ndodhi në Kosovë ishte genocid i pastër. Tashmë këto argumente janë të njohura botërisht dhe të gjithëpranuara.
  • Si ish-ambasador në Izrael, cila mendoni se është zgjidhja më e mirë për statusin e Jeruzalemit?
  • Do të ishte naive, sipas meje, të mendohet se, ky vendim i Presidentit Trump do të avanconte procesin e paqes atje dhe/apo do të lehtësonte hapat në këtë proces. Thelbi i konfliktit në Lindjen e Mesme është konflikti izraelito - palestinez dhe për t'i dhënë zgjidhje këtij konflikti duhen trajtuar dhe zgjidhur tri "core issues": 1. kufijtë e percaktuar të territorit të shtetit të ardhshëm palestinez; 2. çëeshtja e refugjatëve palestinezë dhe 3. statusi i Jeruzalemit. Brenda Jeruzalemit, siç dihet, gjendet Qyteti i Vjetër, aq i kontestuar dhe i pretenduar nga palët. Duket se një status ndërkombëtar i kësaj hapësirë, pra i Qytetit të Vjetër, ku të kenë akses të tria fetë, të jetë më i arsyeshëm, nën administrim ndërkombëtar, në emër të paqes së qëndrueshme. Nëse kabineti Netanjahu dhe Departamenti i Shtetit artikulojnë qartë formulen e zgjidhjes me dy shtete, atëherë opsioni i një shteti të ardhshëm palestinez të demilitarizuar, me kryeqytet Jeruzalemin Lindor, nuk mund të injorohet. Kjo megjithatë duhet të vijë si një produkt i bisedimeve të drejtpërdrejta midis të dyja palëve, me ndërmjetësimin e fortë ndërkombëtar.

*Tonin Gjuraj ka shërbyer si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Izrael në vitet 2007-2009.

Të fundit