Flash News

KRYESORE

Jeta e një deputeteje të re; nga çastet e vështira në Kuvend te veshja 'e tepruar' e kolegeve. Nada Meçorapaj brenda dhe jashtë politikës

Jeta e një deputeteje të re; nga çastet e vështira në

Nada Meçorapaj është deputetja e re e Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës. Në një intervistë për Politiko.al, Nada na prezanton me një tjetër pjesë të jetës së saj; me të përditshmen, me personat e saj më të shtrenjtë dhe dëshirat për ta bërë një vend më të mirë Shqipërinë.

Dy familjet e mëdha Xhaferri e Meçorapaj janë suporti i saj më i madh, e sa për fëmijët, Nada jeton për ta...

 nga Xhuliana Jakimi

 

-Zonja Meçorapaj, ju jeni deputetja e vetme femër demokrate në qarkun e Vlorës. Si e pritët propozimin për të kandiduar?

Jam krenare që jam përfaqësuese e qytetit tim dhe, për të qenë realiste, ka qenë një vendimarrje e vështirë sepse ka të bëjë me një propozim i cili ka kërkuar shumë maturi dhe përgjegjësi. Eshtë privilegj dhe detyrim shumë i madh të marrësh përsipër angazhime politike të këtij niveli, aq me tepër për një grua.

-Prej sa kohësh jeni angazhuar në politikë?

Në fakt, angazhimet e mia në politikë janë të hershme. Kam qenë e angazhuar me Forumin Rinor të PD-së në qytetin e Vlorës, Lidhjen e Gruas, anëtare Seksioni në Grupseksionin 5 të qytetit të Vlorës, anëtare e Kryesisë së Degës së PD-së Vlorë, nënkryetare Këshillit Bashkiak, Vlorë. Në çdo aksion politik të PD kam qenë aty. Sigurisht, edhe do të jem. Dua të shtoj se në PD nuk më ka sjellë mandati i deputetit, jam këtu si prej origjinës time familjare të djathtë ashtu dhe bindjeve të mia ideologjike dhe angazhimit.

-Cila është diferenca mes të ndjekurit politikën nga jashtë, dhe angazhimit të brendshëm?

Realisht ka një diferencë të madhe midis asaj që t’i sheh së largu në politikë dhe asaj që realisht është. Janë dy realitete të ndryshme. Megjithatë, për mua shtylla kurrizore e një force politike është baza, struktura. Sa më tepër merrem me këtë punë aq më tepër më tërheq. Kërkon seriozitet dhe përkushtim.

-A keni patur ndonjë moment të sikletshëm që pas marrjes së mandatit tuaj?

Mendoj që marrja e mandatit të rrit detyrimin ndaj atyre që të kanë besuar, ndaj atyre që ju dëgjon shqetësimet, takon, përcjell problematikat e tyre dhe në këtë këndvështrim unë dua të mos humbas besimin e tyre. Ka pasur momente të sikletshme në Parlament ose në debate midis kolegësh në Komision. Nuk jam dakord me fyerjet, përbuzjet, indiferencën, mungesen e përgjegjësisë, e gjithçka tjetër që më duket e padrejtë. Më vjen keq që edhe te njerëzit figura e deputetit ka veshur “xhaketen e gabuar”.

-Nga deputetet femra, cila vishet më bukur?

Mendoj se veshjet në Parlament kanë dalë pak jashtë kuptimit të institucionit. Veshja duhet të jetë serioze dhe jo e ekzagjeruar në stil, ngjyra apo model. Duhet respektuar institucioni, por nuk duhet harruar që jemi zgjedhur nga njerëz të thjeshtë, të profileve të ndryshme dhe jetojmë në kohëra të vështirësive ekonomike. Me këtë dua të them që nuk është sfidë apo paradë, por institucioni më i lartë shtetëror dhe kjo duhet respektuar.

-Si deputete e Vlorës, cilat janë problematikat më të shumta që hasni në këtë qark dhe çfarë keni bërë ju për t’i zgjidhur?

Të jesh deputete në një qark si Vlora është një përgjegjësi shumë e madhe sepse ka një shtrirje territoriale të gjerë. Problematikat janë të shumta, por kryeson varfëria, papunësia, korrupsioni, mungesa e investimeve, mbyllja e bizneseve, problemet sociale siç janë; ndihma ekonomike, dhuna në familje, pabarazia gjinore etj. Por, e ritheksoj, varfëria është ajo që është ulur këmbëkryq. Të jesh deputete në opozitë e bën akoma më të vështirë zgjidhjen e tyre, por nga ana ime ka angazhim maksimal për të ndihmuar. Jam çdo fundjave aty, në takime, vizita, aktivitete, përpiqem që për shumë probleme t’i zgjidh me sa kam mundësitë e mia partiake, familjare e shoqërore.

-Kush janë personat më të afërt (familjarë) që ju kanë mbështetur në përfshirjen tuaj politike?

Në fakt, vendimarrja për angazhimin tim në politikë, patjetër që ka pasur dakordësinë e famijes sime, ose më saktë të dy familjeve të mëdha Xhaferi e Meçorapaj. Më kanë mbështetur në çdo moment gjatë fushatës e deri më sot, janë suport shumë i madh dhe më japin siguri e forcë për të vazhduar.

-Sa ka ndikuar politika në jetën tuaj familjare dhe sa e vështirë është për një grua të mbajë familjen, njëkohësisht dhe të angazhohet në politikë?

Sigurisht, që ka ndikuar madje shumë. Së pari, sepse unë jam e një formati shumë familjar, në një fare mënyrë strikte në gjithçka që ka të bëjë me familjen. Përfshirja në politike është kënaqësi , por edhe kërkon shumë punë e angazhim, për një grua familjare është sakrificë sepse ti përpiqesh që të mos e neglizhosh dhe të mos humbasësh momentet e rëndësishme nëpër të cilat familja jote kalon.

-Si është Nada jashtë politikës?

Nuk di se si mund të dukem unë në politikë për momentin,por jashtë saj jam një person i thjeshtë, shumë sociale, e vendosur dhe korrekte në marrdhëniet me njerëzit, përpiqem t’i respektoj të gjithë, shumë familjare. Jashtë politikës jamë bijë, motër, bashkëshorte, shoqe, mikeshë, kolege, e mbi të gjitha nënë e mirë.

-Ju jeni nënë e tre fëmijëve, si e mendoni të ardhmen e tyre në Shqipëri?

Unë jam nënë e tre fëmijve...kjo fjali me mbush me jetë dhe më emocionon. Në fund të gjithçkaje që bëjmë në jetë, fëmijët janë mrekullia që ngelet e përjetshme, e pazëvendësueshme. Në fakt, fëmijët e mi kanë diferencë me njëri-tjetrin. Andia është vajza ime e madhe, është 16 vjeçe, studion në vitin e dytë në gjimnaz. Asaj i pëlqen të studiojë për Mjekësi dhe, me vjen keq ta them, por dëshiron të shkollohet në Gjermani. Dy fëmijët e tjerë janë binjakë, Ajla dhe Helio, janë vetëm 4 vjeç dhe shkojnë në kopësht; kështu që për ta është shumë shpejt për të përcaktuar se ku do ta kenë të ardhmen. Edhe pse për ta nuk do të doja kurrë të largoheshin nga Shqipëria.

- Formimi juaj dhe eksperiencat e punës lidhen me biznesin dhe turizmin. Çfarë duhet të bëhet më mirë?

Kam punuar në Këshillin e Qarkut Vlorë si përgjegjëse e Programit të Zhvillimit dhe Turizmit, kam qenë pjesë e projektit 'Artgold 2' në hartimin e “Planit strategjik të Qarkut Vlorë’ dhe kjo më ka ndihmuar të kem njohuri në këtë fushë.

Kam marrë pjesë në panaire kombëtare e ndërkombëtare të Turizmit ku jemi vlerësuar edhe me çmime të ndryshme, si dhe kam hartuar guida turistike për qarkun e Vlorës.

Turizmi është një sektor shumë i bukur, të jep mundësi njohjeje të historisë, traditës, kulturës, resurseve e gjithçka tjetër që e bën multidimendional këtë sektor. Sigurisht, që duhet punuar duke filluar që me ndryshimin e Ligjit të turizmit, duhen hartuar politika ndihmëse për zhvillimin e këtij sektori, lehtësira fiskale, duhet promovuar turizmi gjithë-vjetor dhe jo vetëm tre mujor, sepse vendi ynë i ka të gjitha kushtet e favorshme për pasjen e një pakete të plotë 365 ditëshe për këtë sektor.

 

 

Të fundit