Flash News

KRYESORE

Jo vetëm akuza për korrupsion, lëvizja studentore i publikon tjetër shkelje ish-burrit të Linda Ramës: Ky është pedagogu famëkeq që mbron kryeministri

Lëvizja ‘Për universitetin’ ka publikuar një tjetër shkelje ndaj pedagogut Thanas Xhillari, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Ish-bashkëshorti i Linda Ramës është akuzuar vazhdimisht nga studentët se kërkon shuma të mëdha deri në 700 euro për një provim, ndërkohë së fundmi ai akuzohet se ka zgjatur kontratën e punës pas mbushjes së moshës së pensionit në shkelje flagrante të ligjit të arsimit të lartë.

Denoncimi:

Në takimin e djeshëm në Elbasan Edi Rama mori në mbrojtje një pedagog “të nderuar”, të cilit, sipas tij, ishte bërë padrejtësi e madhe duke u denoncuar publikisht për korrupsion. “I nderuari” nuk është tjetër përveçse Thanasi famëkeq i Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Se kush është Thanasi, mjafton të flisni me studentët e atij fakulteti. Në çdo tryezë diskutimi që kemi realizuar atje, emri i parë që përmendej për korrupsion ishte pikërisht Thanasi. Faqet virtuale të studentëve të FSHN gëlojnë nga akuzat dhe rrëfimet për të. Për të inkurajuar studentët e FSHN, përpara një viti hapëm një banderolë të madhe “Mr. 700 Euro”, që u referohej të gjithë Thanasëve të atij fakulteti e më tej. Kurrë nuk kemi gjetur aq shumë mbështetje nga studentët e atij fakulteti.

Mirëpo prapësitë e Thanasit nuk mbyllen me një proces gjyqësor ku policia dhe prokuroria nuk u zotua për asnjë çast të mbrojë dëshmitarët të cilët, po të thoshin të vërtetën, rrezikonin nga djegia e diplomës te burgosja për korrupsion aktiv.

Nga hulumtimi i deritanishëm kemi zbuluar se Thanas Xhillarit, të ditëlindjes 31 korrik 1953, i është zgjatur kontrata e punës pas mbushjes së moshës së pensionit në shkelje flagrante të ligjit të arsimit të lartë 80/2015. Në nenin 65 (Kohëzgjatja e punësimit të personelit akademik), pika 2 shkruhet qartë:

“Personeli akademik, që mban titullin “Profesor i asociuar”, shërben në detyrë deri në moshën 65 vjeç. Mbështetur mbi nevojat e institucionit të arsimit të lartë dhe me pëlqimin e tij, ai mund të shërbejë në detyrë edhe pas moshës së lartpërmendur, përmes kontratave me kohëzgjatje deri në një vit, të përsëritshme, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë.”

Sipas faqeve ueb të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Universitetit të Tiranës Thanas Xhillari mban gradën shkencore “Doktor shkencash”.

Shtrohet pyetja: Mbi ç’bazë ligjore i është zgjatur kontrata Thanas Xhillarit pas mbushjes së moshës së pensionit (31 korrik 2018) kur nuk ka titullin “Profesor i asociuar”?!

Më tej, mbi bazën e cilave norma etike i zgjatet kontrata e punës një pedagogu të përfolur masivisht nga studentët për shkelje të etikës pedagogjike – duke filluar nga mitmarrja, mosvendosja e pikëve në tezën e provimit e deri te refuzimi për të ballafaquar provimet e korrigjuara?!

Thanasët janë turpi i universitetit tonë!

Të fundit